Gjeneral major Racaj zbulon për “Bota sot”: Ky ishte qëllimi i terroristëve me sulmin te Ibër-Lepenci

Politika

Gjeneral major Racaj zbulon për “Bota sot”: Ky ishte qëllimi i terroristëve me sulmin te Ibër-Lepenci

Nga: A.Zh Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 11:48
Gjeneral major Muhamet Racaj

Gjeneral major Muhamet Racaj, ka analizuar aktin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, duke theksuar se autorët e tij janë profesionistë dhe njohës të mirë të infrastrukturës kritike në veri të Kosovës.

Në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ai ka argumentuar se aktet e tilla zakonisht ndodhin në momente të gëzimit kombëtar, me synimin për të shkaktuar tragjedi me përmasa të mëdha.

Sipas tij, institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare kanë dështuar në parandalimin e këtij akti, pasi nuk kanë kryer analiza paraprake dhe nuk kanë mësuar nga incidentet e mëparshme terroriste.

“Terroristët që kanë vendosur eksplozivin në kanalin Ibër-Lepenc, janë profesionistë dhe njohës të mirë të infrastrukturës kritike në veri të Kosovës. Armiku me aktet teroriste gjithmonë është i zgjuar dhe shfrytëzon momente kur të gjithë manifestojnë dhe gëzohen. Qëllimi i tyre është që gëzimin ta shndërrojnë në tragjedi me përmasa karastrofike. Në kohën e manifestimeve të ngjarjeve historike, institucionet shtetërore duhet të jenë në gatishmëri më të lartë të sigurisë që populli të manifestojë i qetë. Në këtë rast, institucionet e sigurisë të shtetit dhe institucionet ndërkombëtare në Republikën e Kosovës kanë dështuar. Sepse nuk janë bërë analiza paraprake për parandalimin e aktit terrorist ndaj infrastrukturës kritike edhe pse paraprakisht ndodhen disa raste terroriste më të vogla, që ishin indicie që do të ndodhë akt terrorist më i madh”, është shprehur gjenerali.

Sipas Racajt, përgatitjet për këtë sulm ishin të gjata dhe të detajuara, duke përfshirë vëzhgimin e terrenit, analizën e materialeve të ndërtimit, matjet për sasinë dhe vendosjen e eksplozivit, dhe përcaktimin e pikave kritike për të arritur dëmtime maksimale.

Ai ka theksuar se akti ishte planifikuar për një moment kur vëmendja e institucioneve të sigurisë ishte e ulët, si pas manifestimeve të Ditës së Flamurit më 28 Nëntor.

Racaj ka nënvizuar se ky akt tregon nivelin e lartë të profesionalizmit të terroristëve, të cilët janë të aftë të dëmtojnë rëndë infrastrukturën kritike dhe të shkaktojnë pasoja fatale për popullatën. Ai ka apeluar për një gatishmëri më të lartë dhe analiza të detajuara për parandalimin e këtyre akteve në të ardhmen.

“Ata që e kanë realizuar aktin terrorist janë profesionistë, të cilët kanë njohuri të mirëfillta për infrastrukturën kritike në veri të Kosovës.

Për vendosjen e një sasie të saktë të eksplozivit për shkatërrimin e një objekti nga materialet e forta si beton i armiruar ose konstrukcione metalike terroristët së pari bëjnë vëzhgimin e detajuar të objektit dhe identifikojnë pikat më të dobëta të objekteve, ku mund të vendoset sasia më e vogël e eksplozivit që të ketë efikasitet dhe dëmtime më të mëdha, për të arritur qëllimin e tyre të dëmtojnë infrastrukturën dhe shkaktimin sa më të mëdha të pasojave në paralizimin e funksionimit të infrastrukturës shtetërore që mund të jenë fatale dhe vdekjeprurëse edhe për popullatën që jeton në afërsi të objekteve të dëmtuara, por edhe për popullatën në brendësi të territorit.

Terroristët që kanë vendosur eksplozivin në kanalin Ibër-Lepenc janë profesionistë dhe njohës të mirë të infrastrukturës kritike në veri të Kosovës, sepse:

-Kanë bërë përgatitje të detajuara për realizimin e atit terrorist.

-Vëzhgimin e terrenit

-Identifikimin e pikës kritike të objektit

-Matjen e objektit për aktin terrorist

-Përbërjen e materialit të betonit të armiruar

-Trashësinë e materialit dhe me anë të formulës për llojin dhe sasinë e nevojshme të eksplozivit kanë caktuar sasinë e nevojshme të eksplozivit që do ta shkatërrojë objektin e destinuar.

Caktojnë datën e vendosjes të eksplozivit

Marrin masa për sigurimin personal të tyre nga organet e sigurisë të shtetit dhe nga eksplodimi dhe caktojnë orën, minutin dhe sekondat e koeksplodimit të objektit.

Në bazë të këtyre veprimeve të lartpërmendura, mund të konkludojmë se përgatitjet për këtë akt terrorist kanë qenë të gjata, ,të detajuara dhe është caktuar koha kur të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës pushonin pas manifestimit të 28 Nëntorit - ditës së Flamurit”, ka thënë gjenerali për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat