Dashevci: Kosova me hapa të shpejtë po i plotëson kapacitetet e saja operacionale me standarde të NATO-s.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka njoftuar të mërkurën se ka nënshkruar vendimin për themelimin e një komisioni ndërministror për siç thuhet, vlerësimin dhe nisjen e procedurave e negociatave për hapjen e fabrikës për prodhimin e municioneve dhe laboratorit për projektimin e dronëve.
“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj, me sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, ka thënë kryeministri Kurti.
Edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se prodhimet do të bëhen sipas standardeve të NATO-s.
“Ne asnjë hap nuk e ndërmarrim pa u konsultuar me gjithë partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë partneri ynë kryesor strategjik në zhvillimin e kapaciteteve dhe të mbrojtjes e sigurisë”, tha ministri Maqedonci.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se vendimi për hapjen e fabriksë për prodhimin e municioneve është një vendim i qëlluar.
Ai thotë se Kosova ka kapacitete ta bëjë një gjë të tillë.
“Ky lajm për nisjen e procedurave për hapjen e fabrikës për prodhimin e municioneve dhe laboratorit për projektimin e dronëve është vendim i qëlluar dhe shumë me rëndësi për Republikën e Kosovës.
Kosova armatimin e saj e blenë nga partnerët strategjik dhe këta partnerë janë anëtarë të NATO-s.
Kosova me hapa të shpejtë po i plotëson kapacitetet e saja operacionale me standarde të NATO-s.
Kosova ka kapacitete për një gjë të tillë, kur ka kapacitete për blerjen e armatimit, ka kapacitete edhe për prodhim vendor të municionit dhe projektimin e dronëve vendor”, shprehet eksperti.
Sipas tij, edhe viti 2025 do të jetë sfidues për sigurinë në përgjithësi andaj edhe Kosova duhet të jetë në hap që të forcojë kapacitet e saja mbrojtëse si e gjithë bota demokratike.
“Viti 2024/2025 është vit i sfidave për mbarë botën në aspekt sigurie, andaj edhe Kosova mundet dhe duhet të jetë në hap t’i plotësojë dhe forcoj kapacitet e saja mbrojtëse si e gjithë bota demokratike.
Mbrojtja nuk ka alternativë dhe shërben si preventivë për parandalimin e çfarëdo rreziku që kanoset kundrejt vendit tonë.
Kosova zhvillon gjithmonë vetëm kapacitete mbrojtëse dhe këto që përmenda më lartë mendoj unë do na shërbejnë si mbrojtje, duke pas parasysh sfidat që kemi kaluar ne si shtet (Bajnska), por edhe sfidat që po kalon bota(Lufta në Ukrainë, Lindje e mesme, Iran, Liban etj)”, përfudnon ai për “Bota sot”.