Analisti politik dhe zyrtari nga AKR-ja, Vesel Makolli në një prononcim dhënë për ‘Bota sot’ lidhur me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Zubin Potok, thekson se sulmi i mbrëmshëm në Zubin Potok, në infrastrukturën ujore, e cila është jetike për tërë Kosovën, është pa dyshim një akt terrorist, me qëllim që të cënoj sigurinë kombëtare dhe të krijoj pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale.
“Ekspertët e kësaj lamie, por edhe partitë politike, ka kohë që kanë paralajmëruar që regjimi i Serbisë, nëpërmes njerëzve që i ka të rekrutuar në forma të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, mund të ndërmarrë akte të dhunës dhe mbase edhe sulme të ngjajshme të armatosura me paramilitarë, me qëllim të cënimit të sovranitetit të vendit, të ngjashme si para një viti. Serbia deri tash nuk ka paguar "faturë" për të gjitha që i ka bërë kundër Kosovës dhe kundër ushtarëve të NATO-së që janë përgjegjës për sigurinë dhe sovranitetin e Shtetit të Kosovës, përkundrazi, ne jemi nën sanksione nga BE-ja, e kjo tangon me atë fabulen e ujkut dhe qingjit”, thekson ai.
Makolli tutje paralajmëron se ‘Serbia këta dy muaj deri sa të inaugurohet kryetari i ri në Shtëpinë e Bardhë, ka me tentuar që në mënyra të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe sulmet e armatosura, që t'i arrijë synimet e saj dhe që ta ketë një pozitë më të avansuar kur të rifillojnë bisedimet pranverën e ardhshme, për arritjen e marrëveshjes së përgjitheshme, të udhëhequra nga nuni i pavarësisë së Kosovës, SHBA-ve’.
“Institucionet tona e në veçanti AKI-a duhet të jenë syçelë, të kërkojnë ndihmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë dhe të kenë koordinim të plote me ta për çdo veprim që do ta marrin. Kur kemi të bëjmë me raste të tilla dhe të ngjajshme, që cënojne sigurinë kombëtare, pozitë dhe opozitë duhet të jenë një - të bashkuar. Kishte me qenë jonjerëzore e besa edhe qëllimkeqe, që ky rast dhe të ngjajshëm, të përdoren për nevoja elektorale. Kjo vlenë për të dyja "taboret", pozitë dhe opozitë”, vlerëson ai.