Çështja e Asociacionit dhe trysnia për themelimin e tij sa më shpejt që është e mundur nga ana e Kosovës, po vazhdon të jetë prezente.
Ndërkombëtarët në takimet që po zhvillojnë në Kosovë dhe në deklaratat e tyre po kërkojnë që Qeveria të fillojë zbatimin e Asociacionit.
Së fundmi, është Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, porositi që draft- satuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese.
“Është drafti ynë. Ne e kemi paraqitur, pasi asnjë qeveri në Kosovë që nga viti 2015 nuk ka bërë asgjë për ta çuar këtë përpara, edhe pse është obligim ligjor. Kështu që ekspertë eminentë evropianë kanë hartuar një tekst, i cili faktikisht është pranuar edhe nga qeveria e Kosovës dhe ka pasur për këtë edhe komente publike. Prandaj ne kemi thënë që nëse ka dyshime, dërgojeni në Gjykatën Kushtetuese, në gjykatën tuaj!”, tha Rohde.
Ai tha se drafti është një dokument zyrtar që i është paraqitur Kosovës dhe se ky dokument i hartuar dhe paraqitur nga BE-ja, i plotëson të gjitha kriteret.
“Ne jemi që qartë. Për ne ai është një dokument zyrtar dhe gjithashtu … i është paraqitur … unë e kam theksuar disa herë ai (dokument) i është paraqitur qeverisë së Kosovës. Reagimet e para, për dallim nga reagimet e mëvonshme – të ndryshosh mendimin siç të shkon për shtati – sipas meje kjo gjithashtu nuk paraqet rrugën përpara. Dhe deri tani nuk ka pasur asnjë dokument tjetër që është paraqitur, është obligim ligjor i Kosovës, prandaj jemi bllokuar”, u shpreh ai.
Ai tha se dokumenti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe se Kosova nuk e ka përmbushur ende këtë obligim që do të çonte në përparim të dialogu dhe në të gjitha frontet e tjera.
Mirëpo, sa e drejtë është gjithë kjo trysni për Asociacion kur dihet që mund të dëmtohet Kosova?
Kelmendi: Projekt - statuti i paraqitur nga BE-ja në gjerësinë e vet nuk njihet publikisht
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi.
Ai thotë se projekt -statuti i paraqitur nga BE nuk njihet publikisht dhe është tërësisht antikushtetues.
Sipas juristit, pranimi i këtij draft-statuti dëmton Kosovën si vend dhe nuk duhet të lejohet një gjë e tillë.
“Projekt - statuti i paraqitur nga BE-ja në gjerësinë e vet nuk njihet publikisht. Atë e kanë lexuar vetëm qarqet e larta të shtetit. Ajo që duhet theksuar këtu është fakti, aq sa dihet, se ky projekt është tërësisht antikushtetues. Ky përkufizim juridik qëndron në organet që i ka projekt-statuti i BE-së dhe në vetë përmbajtjen e vetë që shprehet në kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas Kushtetutës janë të garantuara të drejtat e minoritarëve dhe ato më shumë dhe se kudo tjetër për minoritetet në botë. Kjo sipas BE-së nuk është e mjaftueshme për të kënaqur orekset serbomëdha në Ballkan. BE po krijon kështu një subjekt të ri juridiko-politik dhe kushtetues, një Republikë të re serbe në trupin e Kosovës”, u shpreh ai.
Më tej, ai thekson që Serbia duhet të pranojë Asociacionin pa kompetenca dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se tjetër mundësi nuk duhet të i ofrohet asaj.
“Me këtë status shkatërrohet shteti i Kosovës dhe krijohet edhe një shtet serb që dëmton për vdekje paqen në Evropën Juglindore dhe vet shtetin e Kosovës. Serbia duhet të pranojë Asociacionin pa kompetenca dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Në të kundërtën fare nuk duhet organizuar Asociacionin. Duhet futur reciprociteti në marrëdhënien me Serbinë. Kosova ka përvojë dhe dinë të organizon çdo subjekt që mbron të drejtat e minoritetëve. Këtej nuk duhet bërë lëshime”, foli juristi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Qarri: Të formohet draft-statuti për Asociacionin në përputhej me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës
Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, fillon me një kronologji të situatës duke përmendur jetesën në Kroaci dhe mënyrën se si menaxhohen minoriteti i komunave serbe.
Sipas tij, imponimi i një Asociacioni të tillë nga BE është mekanizëm për të shkatërruar Kosovën.
“Duke qenë se në Kroaci jetojnë mese 2010-2050 mijë minoritar të komunitetit serb, kurse në Kosovë numri i tyre, nuk arrin më tepër se 70-80 mijë sosh, modeli kroat sa shkon e aktualizohet gjithnjë e më shumë, edhe kur është fjala për formimin e një Këshilli Nacional për minoritarët serb në Kosovë, mekanizëm i krijuar pas përfundimit të konflikteve në Sllavoninë Lindore me Marrëveshjen e Erdutit të vitit 1995, i cili ka për referencë Kushtetutën dhe ligjet e Kroacisë, përfshirë dokumentet dhe simbolet e shtetit kroat.
Përndryshe, imponimi i formimit të të ashtuquajturit "asociacion" me "Trup Vetëqeverisës dhe Autonomi thelbësore" për komunitetit serb, siç thuhet se shkruan në draft-statusin e BE-së, është mekanizëm i qëllimshëm për shkatërrimin e shtetit dhe vetëvrasjen e Republikës së Kosovës
Ndaj para se të këmbëngulet që format e propozuara si “zajednica” një etnike serbe, të gjejnë zbatim në Kosovë, dhe të shkohet me urdhra, siç bëjnë të huajt ndaj vendit tonë, paraprakisht nga ndërkombëtarët duhet të pyetet Kosova, se ka, apo nuk ka mundësi, të formojë në trupin e saj. Gangrena të tilla kancerogjene, të cilat bosnjëzojnë vendin tonë, kërcënojnë drejtpërsëdrejti tërësinë territoriale dhe rrezikojnë seriozisht vazhdimësinë e shtetit të Kosovës, që edhe vet, akoma ndodhet në proces të shtetndërtimit”, thotë Qarri.
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan marrëveshjen për Asociacionin në prill të vitit 2013
Analisti, tutje përmend zanafillen e marrëveshjes së Asociaiconit në krye në atë kohë me Hashim Thaçin.
Pastaj, analizën Qarri e vazhdon duke përmendur edhe letrën e Bërnabiq drejtuar Bashkimit Evropian.
“Fatkeqësisht, marrëveshja mbi parimet e themelimit të të ashtuquajturit asociacionin një etnik serb, më 19 prill të vitit 2013, u nënshkrua nga Hashim Thaçi në Bruksel, që mjerisht asokohe mbante postin e kryeministrit të Kosovës dhe rinënshkrua edhe nga Isa Mustafa më 2015,por duke qenë se po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se marrëveshja e nënshkruar për asociacionin nga Thaçi dhe Mustafa, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit, Kosova edhe nuk ka mundur ta zbatojë asnjëherë një akt të tillë të rrezikshëm, që bie drejtpërsëdrejti ndesh me ligjin dhe kushtetutën e vendit.
Shto kësaj faktin tjetër, se edhe drafti që me 21 tetor të vitit të kaluar, u është paraqitur palëve nga përfaqësuesit evropian, megjithëse thuhet që parasheh "Trup Vetëqeverisës dhe Autonomi thelbësore" për minoritetin serb, duke qenë se në dhjetor 2023 ish kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq iu drejtua me letër zyrtare Bashkimit Evropian, se Serbia tërhiqet nga Marrëveshja e Brukselit dhe do të zbatojë vetëm pjesët e aneksit të Ohrit, që i konvenojnë Serbisë, përmbajtja e draftstatusit për asociacionit, siç thuhet zyrtarisht, me kërkesë të BE-së dhe pesë emisarëve perëndimorë, vijon të mbahet sekret dhe nuk është bërë e ditur, asnjëherë për qytetarët dhe opinion e gjerë”, shpjegon Qarri.
Gjithashtu, analisti thekson që këmbëngulja nga ana e Serbisë për të u zbatuar marrëveshja e nënshkruar në vitin 2013 dhe 2015 është për të kuptuar që e njejta dëmton Kosovën.
Por, trysnia po ashtu nga BE për të pranuar një Asociacion të tillë është e papranuar.
“Nga ana tjetër, përkundër paraqitjes së draftit të fundit nga vet zyrtarët e BE-së, Serbia ngul këmbë që i ashtuquajturi "asociacion" të formohet sipas marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015, pa marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, që pikat kundërligjore të marrëveshjes, të harmonizohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të mos krijohet shtet brenda shtetit dhe të lind edhe një "republika srpska" brenda truallit tonë, e cila do të kthehej në bombë me "sahat", dhe do ta rrezikonte pariparueshëm tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit të Kosovës, ndaj dhe duke njohur rreziqet që sjell me vete, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë një ngrehinë të tillë shkatërrimtare, për Kosovën.
Prandaj derisa në Kroaci jetojnë qindra mijëra minoritar serb, ndërsa në Kosovë vetëm disa dhjetëra mijëra, nuk ka arsye, që BE të mat me dy kute, duke pranuar që për qindra mijëra serb që jetojnë në Kroaci të ketë një "Këshill Nacional" kurse për disa mijëra minoritar serb në Kosovë, të kërkojë "Trup vetëqeverisës me autonomi thelbësore", që në realitet ¨nënkupton, shtet brenda shtetit dhe bosnjëzim të Kosovës, si hapi i parë që qon drejt ndarjes dhe shkatërrimit të Republikës së Kosovës”, foli analisti.
Modeli kroat si Këshilli Nacional për minoritarët serb duhet të aktualizohet edhe në Kosovë
Tutje, Qarri propozon modelin kroat për Kosovën, gjithmonë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Me sa dihet, bazuar në ato që thuhen në mënyrë publike, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute duke filluar me draft-vizionin e paraqitur nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, drafti-statuti i Ekipit Menaxhues që është hedhur poshtë nga Kosova, draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), por që , për asnjërin, deri më tani nuk është arritur dakordim nga palët dialoguese as nga BE dhe SHBA.
Duke qenë se në Kroaci jetojnë 2010-2050 mijë minoritar të komunitetit serb, kurse në Kosovë numri i tyre, nuk arrin më tepër se 70-80 mijë sosh, modeli kroat si Këshilli Nacional për minoritarët serb duhet të aktualizohet edhe në Kosovë, mekanizëm i cili njëjtë si në Kroaci, për referencë duhet ta ketë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe dokumentet dhe simbolet e shtetit të Kosovës”, thotë ai
Ndër të tjera, analisti nënvizon bisedën duke iu drejtuar ambasadorit Rohde nuk mund të ketë zgjidhje tjetër të pranueshme, përveçse neni 7 i Marrëveshjes Bazike
“Këtë model e pati propozuar pas takimit më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur u kundërshtua draftstatuti i ekipit menaxhues (serb) që e kishte veshur "asociacionin" me kompetenca ekzekutive, kështu që ambasadori i Gjermanisë Jörn Rohde duhet ta dijë se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër të pranueshme, përveçse neni 7 i Marrëveshjes Bazike, të zbatohet, po sipas shembullit kroat të trajtimit të pakicës serbe edhe në Kosovë, model që mund të dërgohet për shqyrtim dhe ka gjasa reale edhe të miratohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nëse ambasadori dhe përfaqësuesit tjerë ndërkombëtar, vërtetë janë të interesuar ti japin përfundimisht zgjidhje kësaj çështjeje!
E modeli kroat, është po ashtu një dokument i dëshmuar zyrtar dhe i hartuar në koordinim me BE-në, model që e kanë edhe pakicat në Serbi dhe Mal të Zi, që mund të dërgohet si draft dokument, i aprovuar zyrtarisht nga BE, edhe për zgjidhjen e çështjes së minoritetit serb në Kosovë, pa presione tjera të panevojshme, pa humbur më tepër kohë të vlershme në këto vite krizash ndërkombëtare dhe pa përsëritur dialogun shterp, i cili i mori edhe dy-tre vite të dekadës së dytë, prej kur ka filluar, pa sjellë asnjë zgjidhje, që do të normalizonte marrëdhëniet Kosovë-Serbi, krijonte stabilitet politik dhe siguronte paqen afatgjatë në rajon e më gjerë”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.