Kanali i ujit Ibër-Lepencit në veri të Kosovës që furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit si dhe i shërben Korporatës Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj është hedhur në erë mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në veri.
Ky sulm është i treti në një periudhë 72 orëshe në veriun Kosovës.
Kryeministri Kurti e quajti "sulm kriminel dhe terrorist, dashakeq" nga fqinj verior agresiv e armiqësor që ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme pak pas shpërthimit, kryeministri akuzoi Serbinë se fshihej pas këtij sulmi, i treti brenda 72 orëve në veri të Kosovës.
Sulmi është dënuar nga ndërkombëtaret të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në hetime të gjithanshme.
Si pasojë e shpërthimit gjatë natës u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm si dhe energjia elektrike, derisa me punën e ekipeve profesionale u rikthye sot në mëngjes, sikurse edhe ngrohja qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinës.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Gramos Agusholli.
Ai thotë se sulmi në Zubin Potok është një akt terrorist që duhet ndëshkuar.
Sipas tij, arrestimet e shpejta dhe efikase, të kryera në kohë rekord, dëshmojnë vendosmërinë tonë për të luftuar çdo sulm ndaj sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.
“Kështu ndodh kur funksionon shteti ligjor. Aktet terroriste të tilla, që vazhdojnë të ndërmerren kundër shtetit tonë, duhet të ndëshkohen rëndë, në mënyrë që ato të mos përsëriten kurrë më.
Arrestimet e shpejta dhe efikase, të kryera në kohë rekord, dëshmojnë vendosmërinë tonë për të luftuar çdo sulm ndaj sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vendit dhe qytetarëve tanë”, u shpreh ai.
Më tej, deputeti thekson që ky sulm është një dëshmi që Serbia po vazhdon politikat e saj destabilizuese në rajon.
Duke vazhduar ai shton që është koha që Serbia të përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare për politikat e saj destabilizuese.
“Sulmi mbi kanalin e Ibër-Lepencit përbën një krim të organizuar dhe të mirë-orkestruar nga Serbia, në bashkëpunim me individë dhe struktura që operojnë brenda Kosovës.
Ky akt i rëndë është një dëshmi e qartë e vazhdimësisë së politikave destabilizuese të Serbisë në rajon.
Gjithashtu, armatimi i konfiskuar nga autoritetet tona provon se ishin planifikuar edhe sulme të tjera, të cilat fatmirësisht janë parandaluar në kohë.
Ky fakt tregon jo vetëm seriozitetin e kërcënimit, por edhe rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të institucioneve tona.
Unë personalisht mendoj se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të kufizohet vetëm në dënimin verbal të këtij akti.
Është koha që Serbia të përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare për politikat e saj destabilizuese dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë ndaj këtyre akteve kriminale.
A ka ardhë koha që ndërkombëtarët ta kuptojnë se problemi nuk qëndron tek ne, por tek Serbia?”, përfundoi deputeti Agusholli për “Bota sot”.