Dr. Ibrahim Rugova, lideri epokal i historisë shqiptare - bashkëpunëtorët vlerësojnë trashëgiminë e tij në 80 vjetorin e lindjes

Politika

Dr. Ibrahim Rugova, lideri epokal i historisë shqiptare - bashkëpunëtorët vlerësojnë trashëgiminë e tij në 80 vjetorin e lindjes

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 2 dhjetor 2024 Në ora: 08:01
Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

2 dhjetori shënon ditëlindjen e presidentit historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë me 21 janar të vitit 2006.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut, dhe po të ishte gjallë sot, Rugova do të festonte 80 vjetorin e lindjes.

Padyshim, 2 dhjetori mbetet një datë emblematike për Kosovën, pasi shënon ditëlindjen e njeriut i cili gjithë jetën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Rugova, i cili njihet edhe si arkitekti i shtetësisë së Kosovës, përveç si politikani më i suksesshëm dhe më i dashur për popullin e Kosovës, sot kujtohet edhe si studiues dhe kritik i shquar letrar.

Epoka e Rugovës

Sot, kur shënohet ditëlindja e Rugovës, bashkëpunëtori dhe njeriu i afërt i Presidentit Rugova, publicisti Skënder Zogaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, thotë se Rugova zë vendin e një lideri epokal në historinë shqiptare.

"Ata që e kanë njohur studiuesin dhe kritikun letrar Dr. Ibrahim Rugovën padyshim që e kanë në kujtesë lëruesin që me penën e tij të mprehtë e ka kultivuar fjalën shqipe duke i dhënë bukuri e forcë të rrallë shprehëse, në shërbim të pasqyrimit të traditës së lashtë të gjuhës shqipe dhe korifejve të saj, nga gjeniu popullor e deri te krijuesit e brezit të vet, që Ibrahim Rugova u ka dhënë rrezatim nderimi! Kultura shpirtërore e Dr. Rugovës pas kontributit të çmueshëm kërkimor e  shkencor elitar, reflekton e fuqishme edhe në politikë dhe në diplomaci, ku shkëlqen si rrallë dikush tjetër, duke zënë vendin e  liderit epokal në historinë shqiptare, sepse, pas Skënderbeut është figura më e ndritshme e të gjitha kohëve!", shprehet publicisti Skënder Zogaj.

Image
Skënder Zogaj.

Sipas tij, kjo pasqyrohet nga fakti se  atë që ka bërë Skënderbeu me shpatë, Ibrahim Rugova e ka bërë me laps, duke ia hapur udhën çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nga okupatorit serb.

"Liderizmi i Ibrahim Rugovës është ekzemplar i veçantë në gjithë historinë botërore, sepse,  me urtësinë e mendjes i ka mposhtë hordhitë e gjakatarisë serbe dhe e ka përfitu miqësinë e shteteve më të forta dhe më demokratike të botës dhe e ka kurorëzuar idealin çlirimtar të tokës dhe popullit të vet! ", shton Zogaj.

Ai thotë se edhe pse u sha dhe u luftua nga kundërshtarët e tij politikë, Rugova i trajtoi me respekt e mirësjellje.

"Një dimension tjetër madhështor është ana njerëzore e Dr. Ibrahim Rugovës, zemërgjerësia    e tij që, edhe kundërshtarët e tij i ka trajtuar me mirësjellje dhe konsideratë, duke ua respektuar anët e mira dhe duke mos u marrë me keq bërjet e tyre! Prandaj, ata që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë me te, kanë qenë të shpërblyet nga fati që të shohin, shijojnë dhe mësojnë vlerën madhështore të tij, që pa e tepruar, ka pas reflektim shenjtëror!", shprehet Zogaj.

"I këtillë ishte dhe mbetet përjetësisht Presidenti Ibrahim Rugova në kujtimet e mia, e beson edhe tek të gjithë ata që kanë punuar me të dhe që e flasin të vërtetën!  Si i këtillë nënkuptohet se figura e tij është mungesë e jashtëzakonshme për skenën politike e shtetërore të Kosovës, figurë madhështore që nuk do të mund të zëvendësohet kurrë, por që do të dëshiroja që të del ndonjë figurë sado pak e ngjashme dhe që  do ta rikthente besimin e shqiptarëve për realizimin e aspiratave të Rugovës, sepse, dihet se çlirimi i Kosovës është fillimi i suksesit kombëtar!", përfundon publicisti Skënder Zogaj.

Figura më emblematike për popullin shqiptar

Image
Haki Latifi

Kurse Haki Latifi, ish kryetar i LDK-së në Zvicër dhe njëri nga ata që kishte fatin të bashkëpunonte me Rugovën, shprehet se Rugova mbetet figura më emblematike për kombin shqiptar.

“2 dhjetori i këtij viti shënon 80 vjetorin e lindjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, intelektualit dhe burrështetasit qe riktheu identitetin dhe dinjitetin kombëtar. Për qytetarët e Republikës së Kosovës, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, ishte dhe mbeti figura më emblmatike e kombit shqiptar, i cili u amshua në përjetësi, pikërisht, atëherë kur Kosovës i duhej më se shumti. Me veprën e tij të ndritur, na ka lënë një trashëgimi të begatë, një Atdhe të lirë dhe miq të fuqishëm. Por, pasuesit e tij, të inkriminuar dhe batakçinj, për interesa egoiste, karrieriste, personale, duan ta zvetënojnë e minojnë këtë miqësi. Populli i Kosovës nuk duhet të bëjë sehir, nuk duhet të heshtë. Forcën morale duhet ta gjejë në mësimet gjithnjë rrezatuese të Presidentit Rugova. Ai ka qenë udhërrëfyes në kohë zezonë”, thekson Latifi për “Bota sot”.

Ai thotë se Kosova e ka për obligim që ta ndjekë rrugën e Ibrahim Rugovës.

“Për fat të keq Presidenti historik, Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006, pak muaj mbasi kishte nisur procesi ndërkombëtar për përcaktim të statusit përfundimtar që u përmbyll me shpallje të pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Por, për të ndërtuar një shtet solid, për të arritur Liri, Pavarësi, Demokraci nevojitet shumë më tepër se një fjalë goje. Mbi të gjitha, është e domosdoshme që secili qytetar demokracinë ta shohë si detyrë të tij personale. Është detyrimi ynë të ndjekim këtë rrugë deri në fund dhe të mos dorëzohemi. Me energji, nganjëherë edhe me zemërim të arsyeshëm, por jo me vajtime dhe ankesa dhe jo kundër njëri-tjetrit”, shprehet Latifi.

“Kështu e nderojmë më së miri Presidentin historik, duke i kthyer vetës krenarinë për Republikën e Kosovës. Dihet se platforma e tij politike ishte e shkurtër, por e qartë: Kosova e pavarur, e inkuadruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe në miqësi të veçantë më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, kjo platformë mbijetese e qëndrese, është edhe busulla e së ardhmes së vendit tonë. Trashëgimia Atit Themeltar të shtetit të pavarur të Kosovës e Dr. Ibrahim Rugovës, duhet të vendoset përgjithmonë në themelet e shoqërisë e të Republikës sonë”, përfundon Haki Latifi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat