Kosova dhe veriu i saj nuk po gjejnë “qetësi” as në fundvit. Të premten e 29 nëntorit, në mbrëmje, në fshatin fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në veri kanali i ujit Ibër-Lepencit të Kosovës që furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit si dhe i shërben Korporatës Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj është hedhur.
Ky sulm është cilësuar si sulm terrorist, ndërsa për këtë çështje kryeministri i Kosovës është takuar të hënën me QUINT-in.
Në takim, Kurti ka theksuar se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit, duke qenë sulmi i tretë në 72 orë kundër Republikës sonë, pas atyre të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor në Zveçan dhe në afërsi të objektit të kësaj Komune.
Më tutje bëhet e ditur se Kurti në takim ka thënë se një sulm të tillë të ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike e kemi parë pak ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia.
Ai i informoi diplomatët prezentë se Policia po i zhvillon hetimet, gjersa tashmë ka të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij, si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse. Kryeministri nënvizoi se kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.
Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media pas sulmit të kanalit ka thënë se Serbia ka “dyshime të caktuara” se kush e shkaktoi shpërthimin që e dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Sipas tij, ka pasur “një tentim për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj Serbisë”, ndërsa shtoi se po e zhvillojnë një hetim.
“Ata (Prishtina) akuzuan menjëherë Beogradin dhe Serbinë se qëndronin pas saj. Beogradi dhe Serbia nuk e kishin idenë për këtë dhe askush nuk duhet të shqetësohet, nuk ka një gjë të tillë, sepse nuk mund të provoni diçka që nuk ekziston”, ka thënë Vuçiq.
Ai ishte shprehur se po ndjekin “me kujdes” gjithçka që “është paralajmëruar nga Prishtina” dhe “sponsorët ndërkombëtarë” të Kosovës, siç i referohet bashkësisë ndërkombëtare.
Profesori në Universitetin amerikan, Daniel Serwer në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk dihet qëllimi i këtij sulmi, apo kush mund ta ketë bërë.
Ndërsa, akuzat e Serbisë kundrejt Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti dhe akuzat e këtij të fundit kundrejt Serbisë, Serwer i sheh jo të befasishme.
“Unë e di vetëm atë që është raportuar në shtyp. Nuk e kam idenë se kush e bëri këtë dhe cili ishte qëllimi. Do të doja të shihja disa prova përpara se të komentoja për këtë. Akuzat e ndërsjella nuk janë befasi, nisur nga raportet jo fqinjësore mes dy kryeqyteteve”, shprehet Serwer.
Sulmi në Zubin Potok është dënuar menjëherë nga ndërkombëtarët. Ndërsa, të hënën ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se ky sulm ka targetuar infrastrukturën kritike të Kosovës, teksa e ka quajtur të papranueshëm.
Ai ka thënë se ShBA po punon ngushtë me institucionet e vendit për të gjetur personat përgjegjës për këtë sulm të papranueshëm.
I pyetur se a mund të mbahet Serbia përgjegjëse për këtë sulm, ai ka thënë se është herët që të dihet saktë se kush ka pasur gisht në sulm.
“Nuk jemi ende në atë pikë që ta dimë se kush ka pasur gisht në sulm”, tha Hovenier.
I pyetur se çfarë duhet të bëjnë ndërkombëtarët që të mos përsëriten sulme të tilla dhe se a do të mbetet Serbia pa u ndëshkuar ashtu si në sulmin e Banjskës, Serwer thotë se mos ndëshkimi jep nxitje për më shumë sulme.
Por, sipas tij, duhet pritur dalja e provave.
“Unë nuk shoh prirje në bashkësinë ndërkombëtare për të ndëshkuar Serbinë për sulmin në Banjskë. Kjo është e tmerrshme, pasi ishte planifikuar dhe mbështetur qartë nga qeveria serbe. Sigurisht që mospërgjigjja jep nxitje për më shumë sulme të tilla, por nuk mund të them se sulmi i së premtes është rezultat. Duhet të presim që të dalin më shumë prova”, përfundon profesori.