A po shkon kombi shqiptar drejt shpërbërjes tragjike?

Politika

A po shkon kombi shqiptar drejt shpërbërjes tragjike?

Nga: H.O. Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 22:50
Foto ilustrim

Prof. Dr. Eshref Ymeri, në një prononcim për ‘Bota sot’, thekson se fakti që Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë një shtet ligjor gjatë më shumë se tridhjetë viteve të fundit, vërteton se ajo nuk do ta ndërtojë kurrë pa ribashkimin e trojeve tona etnike, që nga Arta dhe Preveza deri në Tivar, hapësirë në të cilën jetojnë disa milionë shqiptarë.

“Ju e dini shumë mirë se në Lidhjen e Prizrenit u aprovuan 16 vendime shumë të rëndësishme dhe 14 urdhëresa ushtarake. Por pse nuk u zbatuan për çlirimin e trojeve tona nga barbarët serbo-grekë? Në Vlorë, më 28 nëntor, u mblodhën 40 firmëtarë dhe morën vendimin për shpalljen e pavarësisë së të gjitha trojeve tona etnike. Por, pas marrjes së atij vendimi, pse nuk lëshuan kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë dhe krijimin e forcave të armatosura? Pse 40 firmëtarët nuk u vunë në krye të situatës dramatike? Udhëtimi i Ismail Qemalit për në Londër, për të kërkuar mbrojtjen e trojeve tona nga Evropa, ishte vërtet paradoksal. Prandaj edhe ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grei, tallej me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin,” vlerëson profesor Ymeri.

Ai përmend se, në vitin 1915, kryetrimi Elez Isufi, në mungesë të shtetit dhe qeverisë, lëshoi kushtrimin dhe ngriti në këmbë popullin dibran kundër pushtuesve serbë, duke mbushur lumin Drini i Zi me kufoma ushtarësh serbë. Në vitin 1920, populli i Lumit të Vlorës dhe i Labërisë, pa shtet dhe pa qeveri, rrëmbeu armët dhe i flaku në det pushtuesit italianë.

Image
Prof.dr. Eshref Ymeri

“Në këndvështrimin tim, me festimin e 28 Nëntorit si ditë të shpalljes së pavarësisë, ne bëhemi qesharakë para Evropës. Ajo pavarësi u shpall për të gjitha trojet etnike, jo për këtë Shqipëri të katandisur sa një fushë tenisi, me 28 mijë km². Prandaj, po nuk u bashkuan të gjitha trojet tona etnike në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur, ne si komb do të shkojmë drejt shpërbërjes së plotë. Kjo shpërbërje tragjike po zbatohet me shpejtësi nga kryetradhtari Rama, përmes shpopullimit të Shqipërisë, ku popullsia është katandisur në 1.5 milionë banorë, nga të cilët 790 mijë janë pensionistë,” shton Prof. Dr. Ymeri.

Profesor Ymeri sjell në vëmendje një bisedë të hershme me babain e tij, veteranin e Luftës së Vlorës, Hasan Ymeri:

“Kujtoj diçka që më pati thënë babai im, Hasan Ymeri (1890–1970), veteran i Luftës së Vlorës, i dekoruar me medaljen 'Për veprimtari patriotike.' Ishte muaji maj i vitit 1959, kur po përgatitesha për provimet e maturës në Gjimnazin 'Ali Demi' në Vlorë. Më 25 maj kishte ardhur për vizitë Nikita Hrushovi. Qëndroi tetë ditë në vendin tonë dhe u largua më 3 qershor. Babai më pyeti: 'Po ky Enveri pse nuk bisedoi me Hrushovin që të ndërhynte te Titua për ta kthyer Kosovën këtej nga ne, se ajo është truall shqiptar, është toka jonë?' U zura ngushtë dhe nuk dija ç’t’i përgjigjesha. I thashë se ndoshta i kishte ardhur zor, meqenëse e kishte mysafir. Atëherë ai më tha: 'Dëgjo, more djalë i babait! Shqipëria, në këtë gjendje që është, duket si një kopaç përdhe, sepse kështu na e katandisi Evropa për fajin tonë që nuk qemë të zotë t’i mbrojmë tokat tona. Në këtë gjendje, kjo e shkretë Shqipëri është pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë. Po nuk u bashkuan koka, shpatullat dhe këmbët, ky vend jo vetëm që nuk do ta marrë veten kurrë, por edhe bota do të tallet me të. Dëgjoji këto fjalë që po të them, se ti je i ri dhe e ke jetën përpara, kurse unë sot për nesër jam.' Me 'kokë' ai kishte parasysh trojet tona në Mal të Zi dhe Dardaninë, me 'shpatulla' trojet e sotme në Maqedoninë e Veriut dhe me 'këmbë' Çamërinë,” përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat