“Sulm terrorist”, alarmojnë ekspertët pas ngjarjeve në veri – ja çka fshihet pas shpërthimit në Ibër-Lepenc!

Politika

“Sulm terrorist”, alarmojnë ekspertët pas ngjarjeve në veri – ja çka fshihet pas shpërthimit në Ibër-Lepenc!

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 3 dhjetor 2024 Në ora: 10:01
Pamje nga sulmi në Ibër-Lepenc

Kosova u trondit nga një shpërthim mbrëmjen e 29 nëntorit.

Shpërthimi ndodhi në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, ku u dëmtua kanali i ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nga ky shpërthim, fatmirësisht nuk ka kishte viktima, ndonëse u cilësua si sulm terrorist e kriminal.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e mbajti përgjegjëse Serbinë, për "sulmin kriminel dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Ndërkaq, edhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar fuqishëm shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Mirëpo, ky sulm ndodhi vetëm pak kohë pas shfaqjes së disa posterave në vëri të Kosovës, me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin "Po vijmë për Krishtlindje".

Shfaqja në veri e postareve të tillë apo grafiteve me mesazhe që bëjnë thirrje për kthimin e Ushtrisë Serbe në Kosovë ose thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës, nuk është gjë e re.

Natyrisht, këto provokime u cilësuan si lloj kërcënimi, derisa edhe u paralajmërua për kujdes.

Duket se bandat serbe në bashkëpunim me Beogradin zyrtar nuk e kanë në plan t’i ndalin sulmet e provokimet. Ku, me Radoiçiqin në lirë, duket se po e kanë më të lehtë organizimet për sulme të tillë.

E këtë rast e komentuan njohësit e çështjeve të sigurisë, të cilët e dënuan shpërthimin në Ibër-Lepenc, derisa kërkuan vigjilencë të shtuar të Kosovës dhe bashkëpunim të thelluar me KFOR-in.

Dashevci: Duhet të monitorohen të gjitha kapacitetet vitale të shtetit

E për këtë sulm foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

Ai në një prononcim për “Bota sot” e cilësoi këtë si një sulm shumë të rëndë, derisa e krahasoi edhe me sulmin që ndodhi në Banjskë, vitin e kaluar.

Image
Arben Dashevci.

“Republika e Kosovës u përball me një sulm të rëndë, tash në një formë tjetër, formë subverzive dhe jo si sulmi në Banjskë.

U sulmua infrastruktura jetike, vitale, kritike e Republikës së Kosovës, u sulmua uji dhe arteria që ujit dhe shuan etjen e 500 mijë banorëve në Kosovë, u sulmua edhe kapaciteti energjetik, sepse ai ujë ftohë turbinat e KEK”, tha ai.

Krahas kësaj, Dashevci potencoi se duhet të jemi shumë me vigjilentë ndaj kriminelëve e bandave serbe, pasi kryekrimineli Radoiçiq ende është i lirë.

“Pra, jemi dëshmitarë se çka janë në gjendje të bëjnë kriminelët me këtë akt terrorist, sepse është akt terrorist, u sulmua uji dhe uji është jetë, u sulmua edhe energjetika dhe ajo është pjesë e jetës, ftohen turbinat me atë ujë, janë vitale të jetës.

Ne si shtet, mendoj unë, duhet të jemi shumë proaktiv dhe më vigjilent që këtyre pasigurive që po na vijnë nga ata që shkaktuan Banjskën, ku kryekrimineli është i lirë dhe për sa ai kryekriminel është i lirë paraqet rrezik për Kosovën”, nënvizoi ai.

Në këtë pikë, eksperti kërkoi që të bëhet një monitorim më i shtuar ndaj kapaciteteve vitale të shteti.

Ndonëse, situata është e qetë, ai nuk e përjashtoi mundësinë e eskalimit të saj.

“Duhet të monitorohen të gjitha kapacitetet vitale të shtetit me resurse humane dhe pajisje teknologjike.

Kjo pjesë e Kosovës është në satdin e brishtë e qetë me mundësi tensionimi ose eskalimi, asgjë në siguri nuk ka 100% e sigurtë. Prandaj, të gjithë duhet ta ndihmojmë shtetin, dhe çdo gjë që paraqitet si e dyshimtë të lajmërohen organet e sigurisë me maksimën policia është qytetari, qytetari është policia”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Softa: Kjo tregon për prezencën e forcave militare, te financuara dhe mbështetura nga vetë Serbia

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa e cilësoi si sulm të rrezikshëm terrorist.

Ai shpërthimin në Zubin Potok e ndërlidhi me posterat provokues që janë shfaqur kohët e fundit në veri.

Image
Fatjon Softa

Për këtë, në bashkëbisedimin me “Bota sot” tha se kjo tregon prezencën e forcave militare të financuara nga shteti serb.

“Ky është një “sulm terrorist” i rrezikshëm, jo vetëm duke dëmtuar strukturën ujore, por dhe rreziku i infektimit të popullsisë. Kujtojmë posterat e vendosur në veriun e Kosovës me mbishkrime “Po vijmë për Krishtlindje” dhe reagimin nga Policia e Kosovës: Është vendosur që rasti të mos hetohet në këshillim me Prokurorinë, meqenëse nuk ka “rast”.

Por pak ditë më parë, ishte Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, që në deklaratën e tij u shpreh që sa kohë që kryeterroristi Millan Radoiçiq mbetet i lirë, nuk përjashtohen edhe sulme të reja ndaj vendit.

Nga Policia e Kosoves, pas sulmit, gjatë bastisjeve të disa vendbanime dhe vendstrehime janë gjetur në cilësinë e provës shumë armë të rënda deri te “raketa hedhës anti-tank e uniforma të ndryshme të Serbisë, Kosovës e UÇK”, dhe jane kryer arrestime për persona te dyshuar. 

Kjo tregon për prezencën e forcave militare, te financuara dhe mbështetura nga vetë Serbia”.

Po ashtu, Softa theksoi se kjo ngjarje është paralajmërim serioz për ndërkombëtarët, derisa tha se është një tendencë për ta destabilizuar rajonin.

“Serbia ka një shërbim inteligjent shumë të avancuar, dhe sipas tyre informacione, vetëm për forcën e Policisë së Kosovës që kalon territorin dhe jo për këtë prezencë armësh dhe municionesh, trupash që përgatiten e stërviten në territorin e saj.

Kjo ngjarje e jashtëzakonshme, është paralajmërimi më serioz për tendeca për një destabilizim të rajonit, reagimi i EU dhe surprizues edhe nga Presidenti Hungarez Urban, që njihet për qëndrimet e tij kundër Kosovës dhe në mbështetje të Vuçiçit, tregon seriozitetin dhe shkallën e madhe të një përshkallëzimi. Pas saj është dhe vetë Rusia, bashkëpunim me Serbinë, ku kërkon të godasë dhe të hap front të ri lufte në zemër të Evropës”, shpjegoi ai.

Në fund, eksperti i sigurisë kërkoi nga Kosova që të thellojë bashkëpunimin me KFOR-in, pasi paralajmëroi edhe për mundësinë e sulmeve të reja.

“Kosova dhe forca e saj e sigurisë, të kalojë në gatishmëri të plotë, bashkëpunimi me forcat e KFOR në këtë fundvit, ku rreziqet janë për sulme të tjera të mundshme. Nuk është me një ngjarje e shkëputur, por një nxitim për të hapur një front të ri të luftës. Ka ndikim negativ deklarata e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy kur ka sugjeruar që një marrëveshje armëpushimi mund të arrihet nëse territori ukrainas që ai kontrollon mund të merret “nën ombrellën e NATO-s” – duke e lejuar atë të negociojë kthimin e pjesës tjetër më vonë “në mënyrë diplomatike” përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat