Kaja Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, nisi mandatin pesëvjeçar të kryediplomates evropiane nga 1 dhjetori.
Nën përgjegjësinë e saj do të jetë edhe ndërmjetësimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Takimet e ndara në Bruksel nuk do të zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Arifi: Ky takim është takim krejtësisht protokolar
Njohësi i politiksë, Avni Arifi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se ky takim do të jetë protoklar dhe se nuk do të ketë kurrfarë rezultati sa i përket dialogut.
"Ky takim është takim krejtësisht protokolar dhe në shërbim të njohjes me njëri-tjetrin dhe materien që kanë palët përballë dhe znj. Kallas. Nuk është ky takim nga i cili mund të ketë rezultate dialogu, por mund të ketë një pajtueshmëri në parim për rrugën që do të pasojë në këtë proces”, thekson ai.
Maraj: Takim ka gjasë të mbahet për të njoftuar palet për kornizën e re të dialogut
Analisti Milazim Maraj, thotë se ky takim ka gjasë të mbahet me qëllim për të njoftuar palët për kornizën e re të dialogut.
Sipas tij, do të ishte e udhës që Serbia të detyrohej të zbatojë marrëveshjet.
“Sot pritet të mbahen takime të ndara në mes të liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Takimi sipas publikimeve të deritashme nuk do të mbahen në kuadër të dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi. Procesi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian nga shefja e re znj. Kaja Kallas duket që do të ketë ndryshime në qasje. Takim ka gjasë të mbahet për të njoftuar palet për kornizën e re të dialogut. Ngase korniza e deri tashme nuk ka dhënë rezultate. BE nuk do të humbë shumë kohë për të ledhatuar Serbinë. Do të ishte e rrugës që Serbia të detyrohet fillimisht të zbatoj marrëveshjet e nënshkruara deri tani”.
Më tej, ai thotë se takimi me liderët e Ballkanit ka të bëjë me përshpejtimin e zgjerimit të BE-së, duke shtuar se po ashtu do të ketë ndryshime.
“Nuk mendoj që takimi do të vazhdoj aty ku ka mbetur me ndërmjetësimin e Lajçak dhe Borrel. Darka që do të shtrohet për lideret e Gadishullit Ilirik ka të bëjë për përshpejtimin e zgjerimit të BE. Do të ketë ndryshime, kjo kornizë dhe formë e dialogut që ka përkrahur kriminelin dhe ri dëmtuar viktimën më sanksione. Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian znj. Kaja Kallas nesër do të njoftoj liderët e Kosovës dhe Serbisë me planin e saj; për rrugën që do të zgjedh dhe sigurisht për kohën e shkurtër që ka ndarë për këtë çështje”, përfundon ai për “Bota sot”.