Publicisti serb “zbulon” arsyen dhe kush fshihet prapa sulmit në Zubin Potok

Politika

Publicisti serb “zbulon” arsyen dhe kush fshihet prapa sulmit në Zubin Potok

Nga: N.E Më: 3 dhjetor 2024 Në ora: 22:30
Pamje nga sulmi në Ibër-Lepenc

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Jovan Viqentijeviq, i dyshuar për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Viqentijeviq është i arrestuar i njëmbëdhjetë lidhur me sulmin në veri.

Autoritetet në Kosovë e kanë cilësuar sulmin në Zubin Potok si terrorist, gjersa e kanë fajësuar Serbinë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorporata Energjetike e Kosovës.

Ndërsa, Beogradi ka mohuar përfshirjen në këtë sulm. Të martën presidenti i Serbisë ka shprehur gatishmërinë e tyre për zbardhjen e rastit.

“Nëse [shpërthimi] është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe, dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, ka thënë Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar dhe është kërkuar zbardhja e rastit.

Publicisti serb Zlatoje Martinov në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Vuçiq sa herë është në telashe në shtëpi, atëherë hap ndonjë problem tjetër.

Sipas tij, sulmi në Zubin Potok ka ndodhur për ta larguar vëmendjen nga gjërat e pakëndshme për të.

“Sa herë që Vuçiq është në telashe në shtëpi - dhe tash e një muaj po përballet me protesta serioze të qytetarëve për shkak të tragjedisë në Novi Sad - ai hap ndonjë problem tjetër, këtë herë në Kosovë, për ta larguar vëmendjen e publiku serb nga këto gjëra të pakëndshme për të dhe protestën e tij jodemokratike të qeverisë”, shprehet Martinov.

Image
Publicisti serb Zlatoje Martinov

Për shpërthimin në kanalin Ibër- Lepenc, kishte reaguar edhe partia kryesore e serbëve në Kosovë, partia që ka mbështetjen e Beogradit, Lista Serbe.

Sipas tyre, akti është kundër interesave të popullit serb.

“Dëshirojmë të bëjmë të qartë se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim urgjent në lidhje me këtë rast. Dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu ka shkaktuar shqetësim tek serbët në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Kurse, Martinov shpërthimin nuk e konsideron të rastësishëm, gjersa thotë aty janë përfshirë njerëz të afërt me Radojçiqin.

“Në bazë të sendeve të sekuestruara (uniforma dhe armë) shihet qartë se në sulmin në Zubin Potok është përfshirë Lista Serbe, gjegjësisht “Mbrojtja Civile” njerëz të afërt me Radojçiqin. Besoj se nuk është rastësi që shpërthimi ka ndodhur më 29 nëntor, në ditën e flamurit shqiptar”, nënvizon publicisti serb.

Martinov reagimet e Serbisë zyrtare ku ia hedhin fajin Kurtit, i sheh të pritshme dhe sipas tij, do të ishin të çuditshme nëse do të ishin ndryshe.

“Të pritshme janë reagimet e Serbisë zyrtare, e cila ia hedh fajin Kurtit dhe qeverisë së tij: do të ishte vërtet e çuditshme sikur reagimet të ishin ndryshe. Vuçiq akuzoi edhe Kurtin për Banjskën, edhe pse vetë Milan Radoiçiq e pranoi se ai e organizoi Banjskën”, shton Martinov.

Theksojmë se, Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Po ashtu, para se të ndodhte sulmi në Zubin Potok, kishte pasur edhe dy incidente me mjete plasëse në veri, një në afërsi të Komunës së Zveçanit dhe një sulm me granata dore në stacionin policor në këtë komunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat