A mund të zhbëhet zotimi që FSK të shkojë në veri? Ja çka thonë ekspertët

Politika

A mund të zhbëhet zotimi që FSK të shkojë në veri? Ja çka thonë ekspertët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 dhjetor 2024 Në ora: 20:16
FSK

Sulmi i 29 nëntorit në Zubin Potok, ku një shpërthim i fuqishëm ka dëmtuar kanalin kritik të Ibër- Lepencit, ka risjellë në vëmendje mundësinë e dërgimit të FSK-së në zonën e prekur.

Një gjë të atillë sipas KFOR-it, institucionet e Kosovës kanë kërkuar autorizim.

“Komandanti i KFOR-it nuk e ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, ka thënë ky mision në një përgjigje me shkrim.

Një leje të tillë, nuk e ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti, por ai ishte shprehur se ““ushtria jonë – bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 – nuk mund të shkojë në veri”.

“Ndaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë”, ka thënë Kurti në një konferencë për gazetarë.

Kujtojmë se në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë jap garanci se FSK-ja do të ndërmarrë mision në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, thuhet në letrën që mban nënshkrimin e Thaçit dhe datën 19 prill, 2013.

Duke e konsideruar si të dëmshme për vendin, ai e dërgoi letrën e Thaçit në prokurori në vitin 2021, por në lidhje me të nuk u mor ndonjë vendim.

Koordinimi me KFOR-in

Image
Ardian Bajraktari

Në lidhje me atë sesa mund ta ndryshojë Qeveria Kurti këtë apo edhe t’i kërkojë KFOR-it bashkëpunim në këtë drejtim, avokati Ardian Bajraktari thotë se zotimi është  koordinimi me KFOR-in e jo mos shkuarjen në veri.

“Në lidhje me çështjen e letrës së vitit 2013, nga sa mund të shihet ish Kryeministri në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka ofruar garanci që Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësi të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in. Prezenca e KFOR-it në Kosovë është siguri për Kosovës, ngase dihen kapacitetet tona dhe zotimi, marrëveshja apo çfarëdo qofshin ato, nuk duhet vlerësuar si të dëmshme, por përkundrazi. Vlen të theksohet se është zotim, e dyta, i referohet veprimeve të ndërmarra në pjesën veriore në koordinim me KFOR-in, e jo mos shkuarje në veri, siç po tentohet të interpretohet”, shprehet Bajraktari.

Sipas tij, zotimi edhe mund të tërhiqet.

“Po ashtu, është vetëm një zotim, dhe si i tillë edhe mund të tërhiqet, por se sa do të ishte e mundur apo e dobishme një gjë e tillë, vlerësoj se tashmë është e qartë se Kosova po vuan pasoja, duke ndërmarrë veprime pa koordinim”, shprehet Bajraktari.

Shala tregon detyrat e FSK-së

Image
Drizan Shala

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Drizan Shala konsideron se sulmi i së premtes ishte i përgatitur dhe i mbështetur nga Beogradi.

“Veprimi i së premtes së kaluar ishte i përgatitur në aspektin profesional dhe padyshim i mbështetur nga Beogradi zyrtar përmes formës Proxy duke përgatitur gjithë këtë ngjarje në formën që të mos diktohet nga mekanizimi i sigurisë vendor. Por një gjë e tillë tani më është ndryshe për arsye që strukturat e sigurisë kanë vepruar pas rastit duke rritur numrin e pjesëtarëve të saj ne terren dhe për të sjellë një frymë sigurie për gjithë qytetarët e vendit. Serbia përgjatë viteve që kemi lënë pas ka investuar në veri të vendit dhe në grupet e saja që pikërisht në situata të tilla të vihen në funksion dhe lëvizje këto grupe që marrin direktiva të caktuar për të kryer veprime terroriste dhe diversante mbi territorin e Kosovës”, shprehet Shala.

Ai armatimin e gjetur e konsideron sikur në sulmin e Banjskës, gjersa shton se metodologjia është përdorur në Ukrainë nga ana e Rusisë.

“Armatimi i gjetur në pikat kyçe nuk është asgjë më shumë apo më pak i asaj që kemi pas rastin të shohim në sulmin e Bajnskës nga ky formacion ushtarak që përmes janë edhe element të kontravers privat ushtarak që metodologjia e tyre është ajo e përdorur në Ukrainë nga ana e Rusisë dhe elementeve të saj. Organet e rendit dhe ato të sigurisë kanë vepruar dhe janë duke analizuar dhe hetuar në çdo detaj gjithë këtë ngjarje dhe mbi këto do t’i rritin veprimet e tyre në terren për të ofruar siç e theksova sigurinë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës”, thekson eksperti.

Ai përmend mandatin e FSK-së, por shton se në rastin e fundit KFOR ka ofruar ekspertizën e saj dhe ndihmën.

“Ndërsa sa i përket FSK ajo ka për mandat dhe mision ruajtjen e territorit të saj në rast se kërkohet nga situata në terren bazuar në votimin e ligjeve të 2019 që iu shtua misionit të saj në mbrojtjen e territorit. Por në rastin e fundit KFOR ka ofruar ekspertizën e saj dhe ndihmën e organeve të sigurisë për të ofruar dhe garantuar sigurinë për çdo qytetar në atë pjese”, përfundon Shala.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat