Qeveria Kurti edhe pak javë përfundon mandatin e saj e plotë, për të shkuar vendi në zgjedhje parlamentare. Kjo qeveri u sfidua me ҫështje të ndryshme, me sulme, kërcënime e deklarime të forta kundër saj dhe Kosovës në përgjithësi nga shteti serb.
Disa sulme ndodhën gjatë kësaj qeverisje, duke e detyruar të marr vendime të ndryshme pas sulmeve terroriste serbe. Kështu, kryeministri Albin Kurti ndaloi dinarin serb në Kosovë, gjë që u kritikua mjaftë shumë nga ndërkombëtarët e më pas edhe opozita. Mirëpo, derisa kryeministri nuk e ktheu vendimin pas, ky mbeti në fuqi dhe në ‘harresë’.
Qeveria Kurti mbylli edhe shumë zyra paralele serbe në veri, postat serbe e veprimtari të jashtëligjshme për Republikën e Kosovës. Edhe për këto Kurti u kritikua. Një ide tjetër që Kurti e dha kishte të bënte me hapjen e urës së Ibrit që ‘zgjoi’ reagimin e serbëve, ndërkombëtarëve, por edhe opozitës në Kosovë. Këta të fundit e ‘sulmuan’ Kurti se po prishë marrëdhëniet me aletët ndërkombëtarë.
Mirëpo, gjithë këto reagime sa do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit? Profesori dhe eksperti amerikan, Alon ben Meir në një prononcim për ‘Bota sot’ ka folur rreth asaj se sa mund të ndikojnë në zgjedhjet e reja, raportet e krijuara ndërmjet Kurti dhe ndërkombëtarëve.
“Qeveria aktuale në Kosovë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është përballur me kritika të ashpra nga aleatët e saj, veçanërisht nga SHBA dhe BE. Ata janë të frustruar me Kurtin për marrjen e shumë veprimeve të njëanshme pa asnjë konsultim me aleatët e tij kryesorë. Këto veprime përfshijnë vendosmërinë e Kurtit për të vendosur kontrollin mbi shumicën etnike serbe në komunat veriore dhe vendimin e tij për të ndaluar pagesat e bëra në dinarë serbë, gjë që shihej si e dëmshme për komunitetet e dominuara nga serbët. Dhe, sigurisht, refuzimi i Kurtit për të vepruar në Asociacionin e Komunave Serbe ka qenë një burim tensioni të vazhdueshëm”, vlerëson profesori.
Ai thotë më tutje se, SHBA dhe BE e kanë kritikuar prej kohësh Kurtin për veprime të njëanshme pa konsultim dhe për mungesën e progresit në dialogun Serbi-Kosovë. Më tej ata kërkuan veçanërisht zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilën Kosova u pajtua në bisedimet e mëparshme pa rezultat.
“Nuk e kemi parë ende nëse politikat aktuale të Kurtit ndaj Serbisë do të ndryshojnë. Në fakt, politikat e tij mund ta kishin përkeqësuar situatën gjatë dy viteve të fundit me komunat veriore të dominuara nga serbët, e dëshmuar nga tensioni dhe dhuna në rritje. Thënë kështu, veprimi apo mosveprimi i Kurtit është i motivuar nga zgjedhjet e ardhshme. Ai duket se gëzon mbështetje të gjerë publike për politikat e tij, të cilat nuk mund t'ia lejojë vetes t'i humbasë nëse dëshiron të rizgjidhet. Megjithatë, duhet theksuar se ndërsa aleatët e Kosovës kritikojnë Kurtin për politikat e tij, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mendon se “qasja e BE-së dhe e SHBA-së ishte e pabalancuar”, thekson ai.
Sipas tij, pavarësisht kritikave nga aleatët e Kosovës, BE-ja dhe SHBA-ja vazhdojnë të mbështesin sovranitetin dhe integrimin e Kosovës në BE.
“Megjithatë, ata do të punojnë me cilëndo qeveri që mund të formohet pas zgjedhjeve në shkurt 2025. Ata padyshim do të rifillojnë dialogun Serbi-Kosovë në përpjekjet e vazhdueshme për të zbutur konfliktin e tyre dhe për të promovuar stabilitetin rajonal”, thotë profesor Ben-Meir për ‘Bota sot’.