Aktakuza e re nga Gjykata Speciale ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë dhe ndikim tek dëshmitarët ka nxitur rikthimin e kërkesës për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ani pse kjo gjykatë po vazhdon gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët ndër tjerash po akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të LDK-së.
Madje disa analistë dhe njerëz të afërt të të akuzuarve po shpresojnë se një gjë e tillë të ndodhë me ardhjen në pushtet në SHBA të presidentit të sapo zgjedhur, Donald Trump.
Propagandë kundër Speciales
Por një gjë të tillë po e kundërshton ashpër avokati, Gazmend Halilaj. Madje sipas tij, pikërisht nën administratës Trump edhe u ngritën aktakuzat e para nga Gjykata Speciale.
“Shumë njerëz kanë konfuzion mes realitetit dhe fantazisë, tentativë shterp, pa sens logjik. Veprime krejtësisht qyqare që seriozisht na bënë të kuptojmë që disa njerëz e kanë humb aftësinë e gjykimit të drejtë... E sa i përket çështjes lidhur me ardhjen në krye të SHBA-së të z. Trump, i’ u rikujtoj se pikërisht në mandatin e Trump janë ngrit dhe konfirmuar aktakuzat e para dhe janë arrestuar të apostrofuarit. Tani po ashtu patëm aktakuze të re me (11) dispozitave”, shprehet Halilaj për “Bota sot”.
![Image](/media/botasot.info/images/2024/December/10/auto_9001733821354.jpg)
Sipas tij, kjo është vetëm një propagandë e radhës që po bëhet ndaj Gjykatës Speciale.
“Amerika njihet si vend që promovon demokraci dhe sundim të ligjit, e jo që mbyll Gjykata dhe riviktimizon viktimat. Tutje, asnjëherë z Trump, nuk e ka premtuar një gjë të tillë as gjatë fushatës, dhe ardhja e tij në krye të SHBA, nuk ka ndodh për të mbyll Gjykata kudo në botë, por për të promovuar demokraci, paqe, ekonomi të qëndrueshme për vet Amerikën dhe aleatët e saj. Andaj propaganda të tilla i bëjnë vetëm ata që vërtetë kanë gjynahe aq të mëdha sa që edhe ata pak arsye që kanë, mund ta kenë më humbur. Ata duhet ta rikujtojnë shprehjen e vjetër që nëse keni hipur në trenin e gabuar, aq më larg që shkoni, kostoja e kthimit do të jetë më e lartë”, nënvizon Halilaj.
Më tej, Halilaj thotë se kjo po i kushton rëndë buxhetit të Kosovës, kur dihet se Kosova paguan avokatët mbrojtjes të të akuzuarve të Speciales.
“Këta njerëz, në vend që të mendojnë për zgjidhjen e problemeve, këta po krijojnë situata te reja, ku veprimet e tyre detyrimisht po e vënë Prokurorinë të ndërmarr veprime të tjera dhe arrestoi edhe persona të tjerë siç ndodhi ditët e fundit. Gabimet më të mëdha të tyre po ndodhin kur pa zgjedhur metoda po mundohen mu nxjerr, e kjo po u kthehet bumerang vet atyre, e fatkeqësisht edhe buxhetit të Kosovës”, përfundon avokati Gazmend Halilaj.
Frika nga Specialja
Kurse Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit të kombit Sali Çekaj, thotë se kërkesa për zhbërjen e Speciales nuk është një risi, por vjen pikërisht nga ata që ndihen të frikësuar nga Specialja.
![Image](/media/botasot.info/images/2024/December/10/auto_9011733821353.jpg)
“Kjo kërkesë nuk është risi, është përsëritur disa herë nga persona dhe grupe që ndihen të frikësuar nga ndonjë arrestim i ri. Gjithashtu duhet ta kuptojmë se jemi në fushatë elektorale dhe partitë e caktuara politike dhe eksponent të tyre e përdorin për përfitim nga një pjesë e elektoratit”, thekson Tahiraj.
Ai thotë se Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet assesi për pëlqimin e Bashkimit Evropian.
“Sado që kjo retorikë mund të shtohet në ditët dhe javët në vijim, janë shumë të vetëdijshëm edhe ata që e përdorin se kjo është e pamundur. Këtë e kanë konfirmuar edhe drejtuesit e kësaj Gjykate se nuk kanë fuqi ta zhbëjnë institucionet e Kosovës, pa pëlqimin e Bashkimit Evropian”.
“Mendoj se është në interes të shtetit, po edhe për vet të dyshuarve të lihet e qetë kjo gjykatë, në zhvillimin punës së sajë pa këto presione. Arrestimet e fundit e dëshmuan se sa të dëmshme janë këto veprime për vet të dyshuarit në Hagë ,në radhë të parë e pastaj edhe për ata që po veprojnë në pengimin e punës së kësaj gjykate”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.