Sveçla akuzoi Listën serbe për përfshirje në sulmet ndaj KFOR-it/ Eksperti: Duhet të hulumtohet nëse...

Politika

Sveçla akuzoi Listën serbe për përfshirje në sulmet ndaj KFOR-it/ Eksperti: Duhet të hulumtohet nëse...

Nga: M.L. Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 21:30
Foto ilustrim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë të martën se pjesëtarë të Listës Serbe, janë të përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri

“Nuk mund të thotë Lista Serbe se nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur asistentë, shoferë, truproje, zyrtarë të Listës Serbe, kanë qenë pjesë aktive e sulmit, janë identifikuar dhe tash një pjesë e tyre janë në arrati”, ka deklaruar Sveçla.

Kjo deklaratë e ministrit erdhi një javë pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk i lejuan deputetët e Listës serbe që të nënshkruhen në seancën e Kuvendit, ku u paraqitën pas 6 muajsh.

Lista serbe është në mesin e gjashtë partive nga komuniteti serb, që garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Kjo po konsiderohet edhe si dobësim i monopolit që kishte ky subjekt në zgjedhjet e kaluara ku qytetarët serbë nuk kishin alternativa të tjera.

Lista serbe në vazhdimësi është shquar për sjellje destruktive ndaj shtetit të Kosoës, por që asnjëherë nuk ka pasur ndonjë veprim ndëshkues ndaj saj.

Në lidhje me këtë, për gazetën “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike, Zejnullah Jakupi.

Fillimisht ai tha se duhet të ketë një reformim të Listës Serbe dhe se e njëjta nuk duhet të shpallet “terroriste”.

Image
Zejnullah Jakupi
Foto galeri

“Pra duhet të hulumtohet sa veta kanë marrë pjesë në aktin terrorist në Banjska dhe natyrisht dhe të sillen para drejtësisë të gjithë pjesëmarrësit, urdhëruesit ose të gjithë ata që kanë qenë të involvuar në sulmin terrorist dhe të shikohet se a mund të ndërtohet një Listë kooperuese dhe pa konflikte, një Listë konformiste, sepse me reformimin e saj, nëse është i mundur fitohet edhe përkrahja e qytetarëve serbë dhe kjo tregon se komuniteti shqiptar dhe institucionet qendrore e kanë njëmend dhe dëshirojnë që t’i integrojnë serbët në Veri të vendit. Edhe Beogradi zyrtar e sheh të domosdoshme aktivizimin e Listës Serbe dhe pjesëmarrjen në zgjedhje dhe kjo është në interes të Kosovës dhe të vet serbëve. Sikur do të kishte një Listë Serbe tjetërfare, të ishte krijuar pa strukturat e Listës së deri tanishme duke e ndërtuar nga figura politike ose personalitete që nuk kanë qenë të involvuara më parë, do ishte në rregull, por kjo për momentin duket e pamundshme”, ka thënë ai.

Për Jakupin, riaktivizimi i Listës së tanishme natyrisht duhet të plotësohet dhe të aranzhohet me figura të reja nga serbë që e kanë kuptuar dhe e kuptojnë se participimi politik dhe pjesëmarrja në parlament është në interes të tyre dhe natyrisht kjo i duhet edhe shtetit të Kosovës.

“Kjo, sepse pa mbushjen e 10 vendeve nga komuniteti serb në Kuvend nuk mund të ndryshohet Kushtetua, apo ndonjë nen i saj, e që në momentin kur Lista është gati të hyjë në zgjedhje do ketë edhe stabilitet politik në Kosovë dhe do hiqen edhe masat politike që i ka vërë BE ndaj Kosovës. Tani edhe politikanët serbë dhe opinioni në Serbi e ka kuptuar se është bërë gabim që Lista Serbe është tërhequr nga Kuvendi, por tashmë ajo ka kaluar prandaj gabimi që është bërë sipas tyre tani ka mundësi të përmirësohet me aktivizimin, plotësim të Listës dhe besoj se edhe Qeveria, dhe institucionet, shoqëria civile duhet të kërkojë dhe të dialogojë me serbët në veri për të krijuar mirëbesimin e nevojshëm që të arrihet kjo”, është shprehur ai.

Natyrisht, sipas Jakupit, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq mund të jetë personi i duhur që të kontribuojë në këtë drejtim për të promovuar dhe për ta bërë Listën valide, jokonfliktuoze dhe të gjitha elementët radikalë që kanë udhëhequr Listën dhe kanë qenë direkt apo indirekt të involvuar ose e kanë ditur se do të ndodh një sulm në Banjska, të dorëhiqen.

“Elementët e tillë nuk mund të jenë në Listë, sepse ata sërish mund t’i drejtojnë sytë nga Beogradi dhe do jenë elementë poencial për daljen nga kuvendi dhe të organizojnë tutje sulme terroriste apo të vejnë barrikada, t’i frikësojnë qytetarët serbë dhe të tjerë dhe t’i pengojnë institucionet e shtetit për t’i kryer detyrat e tij dhe kjo e pengon Kosovën në progresin e saj, integrimin në BE dhe në NATO”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Lista Serbe, të mërkurën ka dorëzuar listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Nga ky subjekt politik do të garojnë 48 kandidatë për deputetët dhe sipas tyre, në listën zgjedhore do të ketë shumë emra të rinj.

comment1 koment
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat