“Dënim i ashpër...”/ Avokati Gazmend Halilaj: Thaçi nuk do të shmang dënimin!

Politika

“Dënim i ashpër...”/ Avokati Gazmend Halilaj: Thaçi nuk do të shmang dënimin!

Nga: N. Sh. Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 23:12
Gazmend Halilaj dhe krerët e UÇK-së

Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka berë një analizë juridike mbi procesin ndaj Hashim Thaçit dhe Rolin Potencial të Jack Smithit në Gjykatën Speciale.

Avokati thotë se, proceset juridike që po zhvillohen ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësojnë një moment të rëndësishëm në historinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe shtetit të Kosovës.

“Thaçi, një figurë kyçe e luftës së Kosovës ku ngritja e tij në këtë pozitë edhe sot mbetët e dyshimtë  dhe një lider politik, po  përballet me dy akuza të ndara: Krimet e luftës kundër njerëzimit, bazuar në Kodin Penal të ish-Jugosllavisë dhe Pengimi i drejtësisë, bazuar në Kodin Penal të Kosovës të vitit 2019”, thotë Halilaj.

Ai shprehet se, debatet e fundit mbi rikthimin potencial të ish-Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith, në Hagë, kanë nxitur spekulime dhe keqinterpretime mediatike, veçanërisht në Kosovë, lidhur me ndikimin që ai mund të ketë në zhvillimin e këtyre proceseve.

“Në këtë analizë, do të shqyrtojë aspektet juridike, procedurale dhe  pasojat e mundshme mbi sistemin e drejtësisë. Jack Smith, si Kryeprokuror i Dhomave të Specializuara në Hagë deri në një periudhë të caktuar, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formulimin e aktakuzave fillestare kundër Thaçit dhe të tjerëve. Megjithëse ai tashmë është larguar nga ky post, ligjërisht, një rikthim i tij është i mundshëm, por efektet e një rikthimi të tillë do të ishin kryesisht simbolike”, shton avokati.

Sipas tij, roli i një prokurori është të ndjekë provat dhe të paraqesë çështjen para trupit gjykues, ndërsa verdikti final mbetet ekskluzivitet i gjyqtarëve të pavarur.

“Nëse Jack Smith rikthehet, ai mund të përballet me zhvillime të reja që kanë ndodhur pas largimit të tij, siç është aktakuza e re ndaj Thaçit për ndërtimin e një strukture të re kriminale, që përfshin kërcënimin e dëshmitarëve dhe ndërhyrjen në administrimin e drejtësisë”, thotë ai.

Halilaj thekson se, Thaçi përballet me dy kode ligjore, secili me specifika dhe qëllime të veçanta.

“Kodi Penal i ish-Jugosllavisë: Ky kod aplikohet për krime të luftës dhe kundër njerëzimit, duke mbuluar periudhën e luftës në Kosovë (1998-2000). Nën këtë kod, akuzat e ngritura përfshijnë vrasje, tortura, ndalime te paligjshme  dhe krime të tjera të luftës”.

“Kodi Penal i Kosovës (2019): Ky kod përfshin veprat e pengimit të drejtësisë, siç janë kërcënimi i dëshmitarëve, manipulimi i provave dhe ndërhyrja në procedura. Ky është një precedent unik, pasi ndodh që një i akuzuar për krime lufte të kryejë krime të reja ndërsa procesi gjyqësor është në zhvillim”, potencon ai.

Halilaj thekson se, akuzat e reja e përforcojnë perceptimin juridik dhe publik se Thaçi nuk i ka ndal aktivitetet e tij të paligjshme, edhe pse gjyqi për krime lufte është në vazhdim.

“Në aspektin procedural, aktakuzat e reja: Forcojnë pozicionin e prokurorisë në argumentimin e saj për dënim maksimal. E bëjnë më të vështirë mbrojtjen e Thaçit, pasi mbrojtja duhet të përballet me prova të reja dhe një kontekst të përkeqësuar moral e juridik. Nëse analizojë nga pikëpamja juridike dhe procedurale, janë disa faktorë që tregojnë se një dënim për Thaçin është pothuajse i pashmangshëm: Provate e forta: Prokuroria  i ka mbështetur akuzat në dëshmi të shumta, përfshirë dëshmitarë të mbrojtur dhe dokumente autentike që provojnë përfshirjen e Thaçit në krime lufte dhe aktivitete tjera kriminale. Dy kodet ligjore: Gjykata Speciale vepron mbi bazën e juridiksionit të saj unik dhe do të sigurohet që vendimi të jetë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. Dënimi i Thaçit për krimet lufte do të bazohet në Kodin e ish-Jugosllavisë, ndërsa veprat e reja të pengimit të drejtësisë do të gjykohen sipas Kodit Penal të Kosovës”, thekson ai.

Avokati tutje shprehet se, veprimet e reja kriminale kanë minuar besueshmërinë e Thaçit, duke e bërë të vështirë mbrojtjen e tij, veçanërisht në sytë e trupit gjykues dhe opinionit ndërkombëtar.

“Rikthimi i Smith-it në Hagë, megjithëse do të ishte i bujshëm, nuk ka kapacitet të ndryshojë rrjedhën e proceseve gjyqësore. Roli i tij do të kufizohej në përgatitjen dhe përfaqësimin e prokurorisë, ndërsa fati i Thaçit mbetet në duart e gjykatësve. Megjithatë, përvoja dhe njohuritë e tij për çështjen mund të japin shtese për një ndjekje më rigoroze të aktakuzave të reja. Hashim Thaçi përballet me një situatë të jashtëzakonshme juridike, ku dy procese gjyqësore të veçanta – një për krime lufte dhe tjetri për pengim të drejtësisë – bashkohen për të formuar një rast unik në historinë e drejtësisë ndërkombëtare. Përfundimi i këtyre proceseve pritet të sjellë një dënim të ashpër dhe precedent të rëndësishëm për drejtësinë ndërkombëtare. Rikthimi i mundshëm i Jack Smith-it mund të përforcojë perceptimin e fuqisë dhe seriozitetit të akuzave, por nuk do të ndryshojë thelbin e procedurave gjyqësore. Siç qëndrojnë gjërat, verdikti do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e Thaçit, por edhe integritetin e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare”, përfundon avokati Gazmend Halilaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat