Hovenier përmendi ‘aktorët e huaj’ që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës/ Zbardhen prapaskenat - kërkohet kujdes, sepse…!

Politika

Hovenier përmendi ‘aktorët e huaj’ që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës/ Zbardhen prapaskenat - kërkohet kujdes, sepse…!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 dhjetor 2024 Në ora: 10:00
Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar të hënën se në Kosovë ka “aktorë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë e Kosovës duke i shfrytëzuar përçarjet etnike”.

Por, ai tha se “nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”.

Hovenier, në një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington, tha se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta gjithmonë, sidomos gjatë periudhës zgjedhore, në të cilën Kosova ndodhet aktualisht.

Ndër të tjera, ai kujtoi audiencën për një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vite më parë, e cila përfshinte atë dhe kryeministrin Albin Kurti dhe që kishte për “synim të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”.

“Fatmirësisht, jo shumë njerëz e morën seriozisht… Por, fakti që një aktor shkroi një skenar, përgatiti një skenar, krijoi një regjistrim krejtësisht të dizajnuar për të mbjellë mosbesim dhe shqetësim në komunitetin serb dhe e publikoi atë në rrjetet sociale, është një tregues i këtij problemi”, theksoi ambasadori amerikan.

Vlen të theksohet, që Hovenier theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës si një vend i larmishëm dhe në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.

Mirëpo për cilët “aktorë të huaj” e ka fjalën Hovenier?

Makolli: Institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë strikt me miqtë tanë ndërkombëtarë

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli.

Ai tha se Serbia nuk po arrin të pranojë ende që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Image
Vesel Makolli

Sipas tij, në pamundësi që të realizoj qëllimet e saj në pjesën veriore të vendit, Serbia së bashku me Rusinë po tentojnë ta bëjnë këtë përmes luftës speciale.

“Serbia, nuk po pajtohet që Kosova është shtet i pavarun dhe sovran, i pranuar nga  shumicë dërmuese e shteteve të botës, përfshi këtu edhe shtetet më të zhvilluara botërore dhe fuqitë e mëdha dhe liderët aktual të saj,  japin sinjale se kurrë nuk do ta pranojnë këtë fakt që tërë bota demokratike e ka ndihmuar dhe pranuar.

Në pamundësi për t'i arritur qëllimet e saja, sidomos në pjesën veriore, me luftë të hapur aneksuese, Serbia në bashkëveprim me aleatin e saj historik, Rusinë, tenton që me anë të luftës speciale, t'i arrijë qëllimet e veta hegjemoniste dhe njëherit të krijojë terren për ndikimin rus në këtë pjesë strategjike të botës, të cilën gjithmonë e kanë dëshiruar aleatët e lindjes.

Fatkeqësisht, Kosova përmban një terren të përshtatshëm për lufta speciale, duke filluar nga mundësia e lehtë e përhapjes së informatave të ndryshme të rrejshme, si dhe dezionformatave që ndikojnë në përçarje etnike e fetare”, u shpreh ai.

Makolli më tej thekson që Kosova duhet të kultivojë paqe dhe qetësi për qytetarët e saj dhe se duhet të jetë në bashkëpunim të vazhdueshëm me ndërkombëtarët.

“Çdo veprim individual apo nga grupime të ndryshme, që nxit përçarje etnike, fetare, ka tendenca të minimit të demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës, andaj ata individ apo grupime që i bëjnë këto veprime, edhe nëse nuk janë të ndikuar drejtpërdrejt nga shërbimet e huaja, duhet të dinë që po “qojnë ujë në mulli të huaj".

Interesi madhor dhe jetik i Kosovës është që të kultivohet paqja, qetësia, demokracia, barazia etnike, fetare e gjinore, si dhe sundimi i drejtësisë - ligjit. Çdo veprim tjetër që i minon këto atribute të shtetit demokratik, janë të rrezikshme për Republikën tonë dhe duhet evitohen nga të gjithë ne.

Institucionet e Kosovës, duhet të bashkëpunojnë strikt me miqtë tanë ndërkombëtarë, në veçanti me nunin e pavarësisë së Kosovës SHBA-t, për t'i evituar këto veprime të luftës speciale të shërbimeve serbo-ruse.

Jemi me fat që për sigurinë kombëtare dhe shtetërore të Kosovës dhe për sovranitetin e saj, kujdesen dhe kemi garanci nga miqtë tanë ndërkombëtar, me në krye SHBA-t”, u shpreh Makolli për “Bota sot”.

Kelmendi: Shteti i Kosovës është në sulme të ‘aktorëve’ të ndryshëm keqdashës

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shpjegon në mënyrë të detajizuar faktorët që sjellin faktorët që ndikojnë negativisht në shtetin e Kosovës.

Ai fillon me spiunët e instaluar kundër shtetit tonë e deri tek ata që bashkëpunojnë me Serbinë dhe Rusinë.

“Në Kosovë kemi shumë forca të huaja spiunazhi të instaluar dhe që veprojnë kundër shtetit tonë. Mendohet se spiunët i kemi në pushtet dhe jashtë pushtetit. Të dhënat e deklaruara nëpër media shkojnë me mijëra vet që po e dëmtojnë Republikën e Kosovës. Në këtë fushë aktive janë kryesisht spiunët ose aktorët e ndryshëm që po punojnë për shtetin serbo-rus, duke futur urrejtje midis kombeve në këtë anë të Evropës Juglindore”, u shpreh ai.

Më tej, profesori kërkon nga Kosova të ketë kujdes dhe të jetë mirë e organizuar pasi ‘aktorët e huaj’ tashmë janë mobilizuar për të dëmtuar vendin.

“Këtu prijnë aktorët serbo-ruso-maqedono e malazez. Këta janë mobilizuar dhe organizuar. Në ndihmë po iu shkojnë edhe aktorët me përkatësi shqiptare, përndryshe spiun të shtetit serb.

E tërë kjo gjendje kërkon syçelëti dhe veprime të mençura shtetërore dhe kombëtare. Nuk duhet asgjë të përkrahet që dëmton shtetin dhe kombin.

Republikës i duhen veprime që ruajnë shtetësinë e shtetit të Kosovës. Në këtë anë kërkohet të punohet nga të gjithë qytetarët e Kosovës”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat