Partia Guxo, parti kjo e themeluar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së fundi po përballet me përçarje të mëdha.
Së fundi, njëra nga degët më të mëdha të saj, ajo e Ferizajt, ka bërë të ditur se ka pushuar aktivitetin e tyre politik për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Pas diskutimeve të shumta në frymën e demokracisë së mirëfilltë dhe respektimit të mendimeve të ndryshme, me shumicë votash në kryesi, u mor vendim që Dega e Partisë GUXO – Ferizaj, të tërhiqet plotësisht dhe të pushojë aktivitetin e saj politik me të gjitha strukturat e saja në zgjedhjet nacionale të vitit 2025, duke qenë të vendosur që të qëndrojmë brenda kauzës së saj politike dhe identitetit politik Shkaqet që çuan deri te ky vendim janë disa, por më kryesorja është “ndjekja e interesave puro personale të dy Bashkëkryetarëve, znj. Donika Gërvalla dhe z. Faton Peci dhe anashkalimi i interesave të partisë, gjë e cila e ka dëmtuar dhe po e dëmton ekzistencën, qëndrueshmërinë dhe përfaqësimin e interesave të përbashkëta të anëtarësisë, duke cenuar dhe vazhdueshmërinë e saj”, thuhet ndër tjerash në reagimin e degës së Guxo në Ferizaj.
Po ashtu, deputeti i Guxo që vjen nga Ferizaj, Burim Meta doli hapur kundër Donika Gërvallës dhe Faton Pecit, të cilët janë bashkëkryetar të Partisë Guxo.
“Ne në të ardhmen do të kemi një përçarje tjetër, tani mes partisë GUXO dhe qeverisë, kur ministrja Gërvalla natyrisht nuk do të jetë ministre e Punëve të Jashtme të Diasporës, për shkak se nuk duhet të jetë ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Është një mbyllje e partisë, është dëmtim i kauzës përmbi të cilat është krijuar partia GUXO, është largim nga identiteti dhe dinjiteti i saj politik partiak. Është rrënim i maksimës apo motës që e ardhmja i u takon atyre që guxojnë, të cilët pikërisht dy bashkëkryetarët, Peci dhe Gërvalla, nuk guxuan asnjëherë që të merren me partinë, që të merren me strukturat e partisë”, tha deputeti i Guxo, Burim Meta.
Se në Guxo ka shpërthyer një përçarje e thellë në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, e thonë edhe analistët politikë dhe njohës të fushës së politikes në vend.
Rikthimi në LDK
Sipas Nexhat Hazirit, koha e ka dëshmuar se partia Guxo ishte vetëm për një përdorim, dhe se nuk ka identitet të saj politik.
"Historia e kësaj të ashtuquajturës parti "GUXO", filloi dhe mbaroi me interesat e tre individëve, sic është Vjosa Osmani, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, që verbërisht një pjesë e elektoratit të LDK-së iu shkuan pas në zgjedhjet parlamentare të 2021, dhe tani po shpërfaqet ajo qe e kishim thënë edhe më parë se kjo e ashtuquajtura "GUXO", ishte vetëm për një përdorim dhe asgjë tjetër", thotë analisti politik Nexhat Haziri.
Sipas tij, votuesit e Guxo, tashmë janë rikthyer në LDK.
"Pra ishte krejtësisht një krijesë artificiale për t'u shërbyer interesave të këtyre të treve qe i përmendem më lartë, pasi me fitoren e LDK-së në zgjedhjet lokale, u pa se e ashtuquajtura "GUXO" nuk kishte një shtrat të vetin elektoral, se votuesit po i kthehen partisë së tyre, pra LDK-së, dhe goditja e fundit, mbase vendimtare për t’i dhë në fund telenovelës "GUXO" ishin përçarjet në mes Vjosa Osmanit, presidentes së vendit, dhe kryediplomates Donika Gervalla në një betejë që kishte të bënte me interesat e tyre personale e klanore", thekson Haziri.
"Po ashtu edhe skandali me grante te bashkëkryetarit të GUXO, Faton Pecit, u tregoi qartë se kush janë këta dhe çfarë në të vërtetë ishte vet krijesa e tyre e ashtuquajtura "GUXO". Dhe duke pare që "GUXO" nuk ka asnjë perspektivë politike, dy bashkëkryetarët Gërvalla e Peci vendosët që t’i ndjekin interesat e tyre, duke pranuar që të përfshihen në një listë të LVV-së për deputetët për zgjedhjet e shkurtit 2025, pa figuruar GUXO në këtë listë si pjesë apo partner i koalicionit, dhe kjo tregon se tashmë Gërvalla dhe Peci janë LVV, dhe ky është edhe fundi i të ashtuquajturës "GUXO"", përfundon analisti Nexhat Haziri.
Guxo drejt rrugës së LDD?
Kurse Faton Mehmeti, analist politik thotë se ka një përçarje brenda Guxo, në prag të zgjedhjeve nacionale.
"Ka shumë kohë që brenda Guxo ka përçarje, në veçanti egot e mëdha për të qenë në pjesën udhëheqëse të partisë kanë ndikuar të ketë përplasje të forta. Dega e Guxo në Ferizaj është ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe më e fuqishme, përçarjet në këtë degë kanë shkaktuar tërmet në Guxo", deklaron Mehmeti.
Edhe pse është presidente e vendit, Vjosa Osmani është dashur të ndërhyjë në Guxo sipas analistit Mehmeti.
"E habitshme është mos reagimi i presidentes Osmani, si themeluese e Guxo mbi të cilën edhe identifikohet partia është dashur të ndërhy privatisht për të shuar mos marrëveshjet e rrjedhimisht për të parandaluar ndarjen e saj".
Për fund, Mehmeti thotë se Guxo mund të përfundojë si LDD dikur.
"GUXO mund të përfundojë së LDD e Nexhat Dacit nëse nuk e ndalon ndarjen e saj, pastaj të forcohet me kadro të reja. Ka shumë uri brenda disa prej anëtarëve të saj për të qenë prijës të partisë, Vjosa o të ndërhyj tani o Guxo do të shuhet si LDD", përfundon Faton Mehmeti për "Bota sot".