Kanë mbetur pothuajse edhe dy muaj e gjysmë që nga zgjedhjet e reja parlamentare, ndërsa partitë politikë kanë vendosur që të shfrytëzojnë të gjitha mënyrat për ta bindur qytetarin t’i votojë.
Ajo se çfarë vihet re ditëve të fundit, pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër- Lepencit dhe shpalljes së aktakuzës së re për ish- presidentin Hashim Thaçi, është diskursi patriotik gjatë fjalimeve.
Nga AAK, dëgjojmë fjalë të “tipit nën qeverisjen tonë s’guxon kush me na ngucë as veri as jug, pritojnë sepse historia flet”, nga PDK dëgjojmë fjalë të cilët “shenjtërojnë” luftën e ish- krerëve të UÇK-së, ndërsa LDK nuk nguron ta përmend ish- presidentin historik, Ibrahim Rugovën dhe të niset nën virtytet e tij.
A po vazhdon opozita të kërkojë vota nën “ombrellën” e së kaluarës dhe sa do të ndikojë kjo në rezultat të tyre, kanë folur për “Bota sot”, analistët politikë.
Qarri: E kanë bastarduar tërësisht traditën rugoviste
Analisti politik, Gani Qarri, thotë se opozita në mungesë të bagazhit vetanak vijon të bëjë fushatë në emër të luftës së UÇK-së dhe në emër të rugovizmit.
Ai kritikon sloganin e LDK-së, gjersa thotë se ata e kanë bastarduar tërësisht traditën rugoviste.
“Sa më shumë që afrohen zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, opozita (PDK, LDK, AAK), në mungesë të bagazhit vetanak, një pjesë po vijon të bëjnë fushate në emër te luftës se UÇK-së, kurse pjesa tjetër në emër të Rugovizmit, ani pse veçanërisht në LDK-në e sotme, nuk ka asgjë nga rugovizmi i dikurshëm, madje me sloaganin irritues "Voto Lumirin 2025" është vrarë edhe ai pak rugovizëm, nëse kishte ngelur ndonjë grimcë e tij, deri më tani. Slogani voto Lumiri 2025, është tendencë e hapur, për ta shuar edhe trashëgiminë politike të krijuesit historik të saj, Dr. Ibrahim Rugova, kur dihet nga të gjithë, se kryetari aktual, nuk ka asnjë mërit personale për partinë as për Kosovën dhe është katapultuar në krye të LDK-së nga Isa Mustafa, për zëvendësimin më konfuz, që ka mundur ti bëhet emrit të Ibrahim Rugovës!
Shabllonet qesharake "voto "Lumiri 2025", e kanë bastarduar tërësisht traditën rugoviste dhe kanë kaluar në personalizim të formës më banale, deri në irritim total të votuesve, slogan që do ta quaja edhe denigrues dhe fyes deri në nënçmim të votuesit rugovist dhe LDK-së aktuale. Kjo është edhe përbuzja më e rëndë, që ka mundur tu bëhet votuesve tradicional të Kosovës, të cilët LDK-n, deri më tani e kanë ditur si parti të qytetarëve, ndërsa slogani i padëgjuar ndonjëherë "Voto Lumirin 2025" është befasi shkatërruese për simpatizantët e LDK-së dhe goditja më e rëndë, për votuesin e Kosovës, ngase me këso kultesh të ulëta dhe personalizimesh të banalizuara politike, nuk është konfrontuar votuesi i Kosovës asnjëherë dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë të hy asnjë parti politike në fushata zgjedhore”, thotë Qarri.
Sipas tij, populli i Kosovës, nuk ka inteligjencë kaq të ulët, sa të poshtërohet deri në këtë masë me njerëz pa taban politik dhe slogane të çoroditura.
“Slogane si "Voto lumirin..." të orientuara pikërisht për vrasjen e rugovizmit dhe thurjen e kultit të një figure egoiste, për një njeri i cili nuk ka qenë as anëtarë i thjeshtë i partisë, nuk ka përdorur asnjë segmenti tjetër politik, as PDK e cila është thirrur në luftën e UÇK-së, e madje as Donald Trump nuk ka hy në fushat me matrapazllëqe dhe slogane të personalizuara në njëjës; "voto Trump 2025", apo kundër kandidatja e tij me "voto Harris 2025" e mos të përmendim shtetet tjera, ndaj me slogane të tilla tragjiko-komike, mund të turpërohesh, por jo ti fitosh zgjedhjet kurrë dhe asnjëherë. Populli i Kosovës, nuk ka inteligjencë kaq të ulët, sa të poshtërohet deri në këtë masë me njerëz pa taban politik dhe slogane të çoroditura, si "Voto Lumirin 2025" në vend se të shkruhet “Voto LDK-voto ndryshimin!”, kur të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, nuk janë në dijeni, të kurrfarë historie të "lavdishme" të këtij hipozitari, të cilin nuk mund ta marr askush seriozisht, sepse me këso lloj humori të hidhur, të ulët dhe mjaft irritues, vërtetë kurrë nuk janë ekspozuar para votuesit, as diktatorët, në asnjë kohë e në asnjë vend në botë. Është shumë e pakuptimtë e madje edhe e pabesueshme për votuesin dhe qytetarin e Kosovës, që në njërën anë të kërkosh votën në emër të rugovizmit, kurse në anën tjetër të dalësh në fushatë zgjedhore me slogane qesharake si "Voto Lumiri 2025", i cili nuk ka asnjë kontribut, për lirinë, çlirimin as shtetndërtimin që kanë ndodhur në Kosovë”, thekson Qarri.
Vërtet do të ndikojnë për të keq në rezultatet e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, kur kërkojnë vota për të kaluarën thotë Qarri, gjersa shton se dy partitë më të mëdha opozitare PDK dhe LDK, udhëhiqen nga njerëz të katapultuar pa merita personale dhe asnjë begraund as bagazh të lartë politik
“ Ndaj dhe habit fakti se si vazhdojnë këto perversitete elektorale, pavarësisht viteve dhe transformimeve, që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës, kur dihet mirëfilli se me njerëzit që kanë aktualisht në krye të partive, vërtetë do të ndikojnë për të keq, në rezultatet e LDK-së, por edhe të PDK-s e AAK-së, të cilët duke mos pasur vlera personale për t’i shfaqur në fushata elektorale, kërkojnë vota për të kaluarën, kandidatëve të tillë qytetari i ngritur dhe vetëdijesuar i Kosovës, nuk mund t`ua besojë votën!
Për fund duhet t`ua tërheqim vëmendjen këtyre rrahagjoksëve pa asnjë meritë vetanake, që të mos harrojnë se aventura të tilla përçmuese dhe aspak serioze para votuesve, nuk përdoren as në shtetet më diktatoriale, madje as në Rusi nuk kemi parë të shkohet në zgjedhje me slogane putiniste, si; "Voto Putini 2025" apo në Bjellorusi "Voto Lukashenko 2026", a Kore të Veriut "voto- Ban Ki Moon-2027", Kinë, Bangladesh etj, siç veproi çuditërisht LDK-ja e shkërmoqur kësaj radhe. Dy partitë më të mëdha opozitare PDK dhe LDK, udhëhiqen nga njerëz të katapultuar pa merita personale dhe asnjë begraund as bagazh të lartë politik, madje veçanërisht LDK aktuale, përveç përvetësimit të emrit, nuk ka të bëjë fare me ish LDK-në famoze, nuk ka asgjë të përbashkët me frymën unifikuese as vizionin koherent e shtet formues të Dr. Ibrahim Rugovës, ndaj besoj fort, që në paranisje, se me slogane të personalizuara tragjiko-komike, si; voto "Lumiri 2025" etj., LDK me apo pa vetëdije, është e destinuar, paraprakisht për humbje dhe një dështim ndoshta edhe më katastrofal, se në zgjedhjet e më-parme, humbje për të cilat fajtore është vet ajo”, përfundon Qarri.
Hertica: Kësaj radhe premtimet janë më ‘për toke’
Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, konsideron se të gjitha partitë i kanë programe të përafërta .
Sipas tij, ata i kanë përdorur figurat eminente derisa i kanë zhveshur tërësisht.
“Fushata e partive politike në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurt, ashtu sikurse edhe në fushatat e mëhershmet ku të gjitha partitë politike kanë dhënë premtime afërsisht të njëjta dhe me programe të përafërta të gjitha partitë politike i kanë përdorur figurat eminente deri sa i kanë zhveshur tërësisht, tani kanë filluat që t’i përdorin fëmijët e tyre për interesa partiake qe të marrin pushtet ku nuk ju intereson klasa intelektuale dhe profesionalizimi, por vetëm egoja e marrjes se pushtetit”.
“Për shembull, të gjitha partitë politike kanë theksuar që rritja ekonomike vjetore , por me dallime te shuma e ndihmës apo ndihma momentale, që do të rregullojnë çështjen e pensioneve, që do të ndihmojnë ekonominë e vogël dhe të mesme, që do të ndihmojnë investimet në bujqësi, subvencionet, garantimin e çmimeve. Në segmentin politik, të gjitha partitë flasin për dialogun Kosovë-Serbi, si çështje mjaft e rëndësishme, për integrimet euroatlantike të Kosovës, si dhe për miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që bie në sy këtë herë, premtimet janë më ‘për toke’, nuk janë shumë premtime të mëdha, por janë më të përafërta. Do të thotë, nuk shkojnë për shumë dekada apo vite, por shkojnë për periudhën dyvjeçare.
Karakteristike është që të gjitha partitë politike i kanë programet e përafërta dhe nuk kuptohet se cila parti çfarë thotë, sepse e thonë ngjashëm. Partitë kanë kritikuar njëra-tjetrën, por më pak se herët e kaluara dhe me më pak afera se herëve të kaluara, se megjithatë partitë politike i kanë akuzuar mediat e caktuara se i favorizojnë subjektet politike të caktuara. Prandaj, gjatë kësaj periudhe kemi parë oferta të përgjithësuara, me premtime të pabazuara në projekte të detajuara. Prandaj edhe mund të thuhet se pas 9 shkurtit, për fat të keq, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim në raport me adresimin e problemeve të jetës së përditshme të qytetarëve, siç janë çështjet e shëndetësisë, arsimit, papunësisë mirëpo, duket se do të vazhdojë edhe më tej një inercion, siç ishte deri më tash”.
Si karakteristikë të kësaj fushate, Hertica konsideron futjen e faktorit të jashtëm për qëllime të brendshme.
“Ndërkaq, karakteristikë tjetër e kësaj fushate, të disa liderëve të partive politike, përmbajtja e të cilave përpiqet të paraqesë mbështetjen që kanë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e BE-së. Këto parti, dëshirojnë ta shfrytëzojnë faktorin e jashtëm për qëllime të brendshme dhe të thonë se kanë përkrahjen ndërkombëtare, pasi që populli pret shumë nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtete që kanë ndikim në Kosovë. Atëherë, ato paraqesin, pa shumë, lajme të rrejshme ose lajme që i përngjajnë që kinse e kanë përkrahjen ndërkombëtare, në mënyrë që të ndikojnë te ndërgjegjja e qytetarëve që t’i votojnë”, përfundon Hertica.