“Dialogu i vitit 2024 i barabartë me zero” - Analistët tregojnë si mund të funksionojë procesi në vitin 2025

Politika

“Dialogu i vitit 2024 i barabartë me zero” - Analistët tregojnë si mund të funksionojë procesi në vitin 2025

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 dhjetor 2024 Në ora: 15:51
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Ka mbetur edhe pak deri në përfundimin e vitit 2024, ndërsa takimet Kosovë- Serbi në Bruksel, gjatë muajit të fundit të vitit vazhdojnë të mbahen.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar të martën se takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel, dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.

Në përgjithësi i gjithë viti që do ta lëmë pas, bisedimet Kosovë- Serbi, ka vazhduar në nivel kryenegociatorësh dhe kjo sipas analistëve politikë ka bërë që dialogu në këtë vit të jetë i barabartë me zero. Sipas tyre, dialogu nuk do të ketë kthesë pozitive pa ndërmjetësim të fortë ndërkombëtar dhe presione rigoroze.

Koncepti i gabuar për bisedimet teknike

Analisti Skënder Zogaj, konsideron se dialogu nismën e ka pasur të gabuar.

Sipas tij, po kalojnë dekada dhe nuk ka asgjë konkrete në dialog dhe Kosova po mbetet peng.

“Dialogu Kosovë-Serbi që në fillim ka nisur ters, ashtu siç nuk është dashur, me mendjelehtësi të skajshme e me mashtrime që, nuk do të duhej të bëheshin edhe sikur të bëhej fjalë me bisedimet e dy kooperativave bujqësore, e le më ndërmjet dy shteteve armike! Pra, dialogu ka nisur kinse për "çështje teknike", edhe pse në fakt edhe pëllumbat e kanë ditur se, pas një lufte të përgjakshme ndërmjet dy shteteve çdo lloj bisede është politike apriori politike! Prandaj, nisma ishte e gabuar dhe për rezultatin jemi dëshmitarë, po kalojnë dekada dhe asgjë konkrete, në mos po thellohet problemi dhe Kosova e mbetur peng, për më keq, me acarime të brendshme politike dhe dëshpërime pa fund!”, shprehet Zogaj.

Image
Analisti Skënder Zogaj

Analisti pret një kthesë të dialogut gjatë vitit 2025, gjersa shton që Kosova duhet të mbledh veten dhe të punojë shumë e të flasë sa më pak.

Me keqësim të situatës deri te eskalimet terroriste nga ana e Serbisë që, unë mendoj se po i ndërmerr e inspiruar nga kundërthëniet që po i shikon në skenën politike dhe parlamentare të Kosovës, dhe që po i materializon për qëllimet e regjimit aktual në Serbi, që janë punkt i Rusisë! Viti 2024 nuk solli ndonjë ndryshim në nivelin e kryenegociatorëve, dhe sa mund të kuptoj, nuk do të ketë kthesë pozitive pa ndërmjetësim të fortë ndërkombëtar dhe presione rigoroze! Unë pres që kjo të ndodh në vitin 2025. Kosova duhet të mbledh veten dhe të punoj shumë e të flas sa më pak! Të kuptoj dhe të angazhohet për të mundshmen gjithnjë në bashkëveprim me partnerët ndërkombëtar. Kjo është udha dhe nuk ka zgjidhje tjetër!”, shton analisti.

Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh, është mbajtur më 24 tetor në Bruksel dhe as në këtë takim nuk ishte arritur ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.

Kushtet e Kurtit dhe vazhdimi i dialogut

Analisti Visar Xani, thotë se gjatë gjithë vitit 2024 dialogu nuk ka pasur progres dhe as përpjekje serioze për adresim të çështjeve.

“Dialogu i vitit 2024 është barabartë me zero, nuk ka pasur progres dhe madje nuk ka pasur as përpjekje serioze për t’i adresuar çështjet dhe për të marrë një epilog të qëndrueshëm. Përkundër kësaj, jemi ballafaquar edhe me sulme terroriste dhe sulme që kanë pasur për qëllim të ndikojnë në procesin e dialogut, janë të pa logjikshme dhe jo në harmoni me vlera demokratike”, shprehet Xani.

Image
Analisti Visar Xani

Takimi i mundshëm i 17 dhjetorit vjen pas sulmit terrorist në kanalin Ibër- Lepenc, sulm që sipas Kosovës ka gisht Serbia. Ndërsa, i gjithë viti 2024 ishte realizuar me takime kryenegociatorësh, kjo pasi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas sulmit të Banjskës i kishte vënë kushtet e tij për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

 Ai i ka paraqitur tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e dialogut dhe në një proces më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve. Kushtet e Kurtit që të takojë presidentin serb ishin; formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Në anën tjetër, analisti Xani konsideron se dialogu duhet të vazhdojë pavarësisht tensioneve.

“Konsideroj se pavarësisht tensioneve dialogu duhet të vazhdojë me qëllim që  të ketë një formalizim dhe të kemi një marrëveshje që hapë rrugë për integrime në struktura euroatlantike”, shton Xani.

Kujtojmë se, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh nga shtatori i vitit 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat