“Enigmë e vështirë”, komentohen listat e partive politike – zbërthehet mesazhi i tyre

Politika

“Enigmë e vështirë”, komentohen listat e partive politike – zbërthehet mesazhi i tyre

Nga: A.M. Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 22:38
Foto ilustrim

Së fundi, partitë politike të Kosovës dorëzuan listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.

Natyrisht, në këto lista kishte prurje të reja dhe shumë befasuese.

Partitë i kanë kushtuar rëndësi të veçantë asaj që këta kandidatë të ri përfaqësojnë, si p.sh këngëtarja Edona Llalloshi, djali i këngëtares Shkurte Feja, dhe analistë të ndryshëm.

Analisti politik, Gani Qarri tha se listat e partive politike që janë dorëzuar në KQZ, nuk janë në tërësi me përfaqësim të denjë politik.

Së pari, ai në një prononcim për “Bota sot” disa kanë hyrë në garë zgjedhore jo për aftësitë që zotërojnë në politikë, por për profesionet që ushtrojnë.

“Listat e reja të partive politike, të dorëzuara para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta shpall të mbyllur afatin e aplikimit për certifikim të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje, përmbajnë jo-çdo kund dhe domosdo, përfaqësim të denjë politik, por ato më tepër shfaqin protagonizëm lokal dhe shoqërohen me emra të kandidatëve të rinj, të cilët realisht nuk janë të familjarizuar dhe aq me ide politike, e që për rrjedhojë, as nuk mund të pritet prej tyre, se do të jenë edhe aq produktiv në Parlament.

Ndaj dhe shihet qartë, se në listat e kandidatëve për deputet, ata u futën, jo për aftësitë që zotërojnë në politikë, por për profesionet që ushtrojnë në jetën personale, ngase janë të rëndësishëm, në vendin, qytetin, rajonin apo edhe laminë nga ata vijnë, gjë që i bënë të nevojshëm në përzgjedhje, për të shtri kontrollin në sa më shumë rajone dhe sa më gjerë në terren, kështu që në lista, u përfshinë këngëtare si Edona Llaloshi, mjek deri te ish-drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK dhe analist, profesor e sportist, si Gazmir Raci dhe trajneri Bylbyl Sokoli, i cili deklaroi se do ta braktis sportin, për tu bërë pjesë e kandidatëve politik për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025”.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Po ashtu, Qarri potencoi se kjo po lë një nënkuptim sikur mund të propozohet gjithkush dhe kandidohet kushdo.

Për këtë, u shpreh se pritet me befasi të shihet, se si do të reagojnë votuesit dhe sa do tu ndihmojnë këta emra.

“Krejt kjo dëshmon se ne, sot po jetojmë kohët, kur në listën e njerëzve për të hy në Parlament mund të propozohet gjithkush dhe kandidohet kushdo, mjafton që një parti ta fusë atë në listën për kandidatë.

E listat, siç dihet, bëhen nga krerët e partive politike, me synimin për të fituar kontrollin politik në sa më shumë pjesë të vendit edhe përmes elementëve lokalë, kështu që megjithëse kandidatët e paraqitur si prurje të reja, nuk janë të panjohur për opinion si emra, pjesa më e madhe e tyre janë figura pa bagazh të rëndësishëm në politikë, kanë mungesë profesionale, e disa nuk e kanë fare as përvojën më elementare politike, madje për disa kandidat thuhet se dyshohen të kenë lidhje edhe me krimin dhe janë edhe me pretendencë penale, gjë që vërtetë është fakt shumë shqetësues, për mbarëvajtjen e shtetit dhe seriozitetin që përçon politika e vendit tonë edhe para faktorit vendimmarrës ndërkombëtar, nga i cili, Kosova është e varur shumë.

Andaj dhe pritet me befasi të shihet, se si do të reagojë votuesi ndaj tyre dhe sa do tu ndihmojnë këta emra, partive në të cilat ata kanë aderuar dhe pranuar të jenë kandidatë për deputet, në zgjedhjet e reja parlamentare, nga të cilat na ndajnë edhe më pak se 2 muaj, ku nuk mund të vendosin partitë që ata i kanë vendosur në lista zgjedhore, por votuesit e Kosovës, me votën e tyre të lirë, se kush vërtetë, në mandatin e ardhshëm, do ta marrë vizën hyrëse, për të hy edhe në Parlament”, nënvizoi ai.

Më tej, analisti listën e kandidatëve të rinj e cilësoi si një enigmë të vështirë për votuesit, pasi nuk dihet mesazhi që ata përcjellni.

Gjithashtu, vlerëson se emrat e rinj renditen në listat zgjedhore sipas dëshirës së vendimmarrësve të partisë.

“Kështu që çështja e listave dhe kandidatëve të rinj që do të garojnë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, po kthehet në enigmë të vështirë edhe për vet votuesit e Kosovës, ta zbërthejnë se çfarë mesazhesh, po u përcjellin atyre, partitë me kandidatët e rinj, pa përgatitje minimale dhe mungesë të theksuar të përvojës në politik, cilat janë arsyet që duhet votuar kandidatët në fjalë, muzika, sporti, mjekësia, kultura apo me çfarë bagazhi profesional dhe aftësish personale, do ta ndihmojnë legjislativin e vendit dhe përmirësojnë përmbajtjen e kandidaturave në Kuvend.

Kësaj radhe bie në sy, një fenomen i veçantë, ngase edhe përkundër mungesës së përvojës në politikë, emrat e rinj, renditen në listat zgjedhore sipas dëshirës së vendimmarrësve të partisë, sepse ata nuk mund klasifikohen bazuar në arritjet që mund të kenë dëshmuar në veprimtaritë pararendëse politike të cilës do parti, grupimi politik apo edhe OJQ-je civile që ka përcjellë dhe vlerësuar zhvillimet politike në vend”.

Në fund, ai shtoi se nuk ka kuadro profesionale mjaftushëm në listat e partive politike, ku duket se nuk janë bazuar në aftësitë, përvojën dhe përgatitjen politike.

“Krejt kjo dëshmon se në listat e kandidateve për deputet të partive politike, nuk ka mjaftueshëm kuadro profesionale dhe të sprovuar, e me të kaluar të pasur politike, por nuk do të mungojnë këngëtarët, sportistët, profesorët analistët etj., gjë që duket se edhe vet partitë politike, më tepër i kane kushtuar rëndësi asaj që kandidatët e rinj përfaqësojnë, dhe nuk janë bazuar në aftësitë, përvojën dhe përgatitjen politike të tyre, me shpresën se do t’i vjelin edhe votat e simpatizantëve të kandidatëve me profesione muzikantësh, artistësh, profesorësh, sportistësh, mjekësh, analistësh etj, si bie fjala, këngëtarja Edona Llalloshi, djali i këngëtares Shkurte Fejza, mjekët nga QKUK, analist, profesor dhe sportist të ndryshëm, që edhe për votuesin e vitit 2025, është një risi, në përmasa tjera, ndaj dhe pritet me befasi, të shihet sesi do të votojë sovrani, me 9 shkurt të vitit që vjen dhe kujt do t`ia fal besimin që në 4 vitet e ardhshme, ta përfaqësoj në Kuvend”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat