Partitë politike të Kosovës kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Listat e subjekteve politike, morën vëmendje të madhe, kjo shkaku i llojllojshmërisë që kishin.
Vendet kryesore në këto lista, i kanë zënë kryesisht ministrat aktual, e ata që mbajnë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, në listat për deputetë nuk kanë munguar edhe personazhe të skenës muzikore, analistë, profesorë e aktorë të fushave të tjera, të cilët kanë vendosur t’i hyjnë garës për të fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Disa nga emrat e rinj janë, këngëtarja Edona Llalloshi, Genc Prevlukaj, Bylbyl Sokoli, Arton Demhasaj, Nezir Kraki e Gazmir Raci.
Këto zgjedhje të partive politike, për “Bota sot” i komentuan njohësit e çështjeve politike.
Zogaj: Listat e partive politike në përgjithësi janë nga më kalkulativet që ka pasur ndonjëherë në zgjedhjet e deritashme
E këto lista të partive politike i kritikoi opinionisti Skendër Zogaj.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se listat me kandidatë për deputetë, janë kalkulative dhe nuk përmbajnë kriterin e pastër partiak.
“Listat e partive politike në përgjithësi janë nga më kalkulativet që ka pasur ndonjëherë në zgjedhjet e deritashme, sepse, kësaj radhe është eliminuar kriteri i pastër partiak dhe, janë bërë llogari ordinere, kinse për kandidatë vlerash gjithëpërfshirëse, e në fakt, janë grumbulluar pikatore!” – tha opinionisti.
Krahas kësaj, Zogaj potencoi se është shkelur edhe profili ideo-politik dhe nuk i është kushtuar rëndësi përvojës dhe profesionalizmit.
“Brendia karakteristike dalluese e partive politike, që është profili ideo politik është shkelur, dhe nuk është aspak e saktë se i është kushtuar kujdes profesionalizmit dhe përvojës, sepse, kur nuk ka qenë më e munguar ana profesionale, derisa në lojë politike janë futur njerëz krejtësisht apolitikë, pra diletantë politike, që, në një parti serioze dhe pretenduese për qeverisje të vërtetë nuk mund të kishin pasur vend”.
Ndër të tjera, opinionisti shtoi se ka edhe prej atyre kandidatëve që nuk do duheshin të ishin pjesë e listave, në këtë pikë përmendi edhe analistët që kanë aderuar në partitë politike.
“Së dyti në lista janë me shumicë "xhokerë" dhe "endacakët" ndërpartiakë, që nuk do të duhej të ishin kandidatë as për kuvende komunale! Së treti, ka shumë nepotizëm dhe hileçarë që irritojnë publilun, siç është rasti me disa "analistë" që kahera janë vetrekrutuar në media për të tërhequr vëmendjen e partive, dhe për të hy në listat e tyre”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Preq: Prurje të kandidatëve të rinj kanë sjellë pothuajse të gjitha partitë e mëdha opozitare, më pak ka sjellë LVV
Kurse, opinionisti Dedë Preqi potencoi se prurjet e reja për partitë politike duhet të kenë domethënie pozitive.
Megjithatë, sipas tij PDK dhe LDK në prurjet e tyre të reja kanë prapavija të fshehta, e për këtë dha disa arsyje.
“Në secilën parti prurjet e reja e kanë kuptimin e një domethënie pozitive, duke nxjerrë në pah emra të rinj, përmes të cilëve synohet secili të ushtrojë ndikimin me pushtetin e vet dhe sa më shumë në rritjen e pushtetit që përfaqëson, që të jetë më i fortë ndaj rivalëve partiak politik.
Mirëpo, disa parti prurjet e tyre janë paksa interesante dhe kanë prapavija të fshehta dhe jo të sinqerta, sepse po bëjnë fushata në emër të luftës së UÇK-së, dhe në emër të presidentit historik, siç bëjnë PDK dhe LDK, për t’a bindur popullin se për hir të këtyre njerëzve duhet të votohen”.
Po ashtu, Preqi vlerëson se LVV ka sjellë më së paku prurje të reja në listën e saj, krahasuar me listat e partive opozitare.
“Kjo formë do të ishte spekulative dhe jo e sinqertë, për faktin se nuk do të bëjë zgjidhjen e problemit të votave dhe ca më pak që do ua kthejë dinjitetin atyre partive, që e kanë humbur besimin te popullata e vet, dhe kjo do të dëshmohet në zgjedhjet e ardhshme me 9 shkurt të vitit 2025.
Prurje të kandidatëve të rinj kanë sjellë pothuajse të gjitha partitë e mëdha opozitare, dhe më pak ka sjellë LVV, me ardhjen e profesor Nezir Kraki, analisti Gazmend Raci, pastaj dr. Zef Ndrejaj, prof.Bylbyl Sokoli dhe këngëtarja e njohur Edona Llalloshi, që do të thotë se LVV, në krye me Albin Kurtin, përveçse se promovon vlera kulturore dhe artistike, me fokus të veçantë i adresohet edhe barazisë gjinore, dhunës në familje dhe të tjera”, theksoi ai.
Tutje, opinionisti potencoi se nuk pritet diçka e re nga këto prurje të partive politike, derisa komentoi edhe përplasjet pozitë-opozitë.
“Me prurje të reja në këto zgjedhje nuk do të thotë se mundet të ndodh diçka e re dhe përmes tyre rritet kapaciteti i një partie duke i fituar votat e një shumicë absolute, nëse më parë rezultati i tyre do të ishte i dobët si në opozitë apo pozitë, dhe përballë realitetit do të shtiren sikur nuk ka ndodhur asgjë, mirëpo këtë më së mirë do ta tregoi vetë populli me votën që do të krijon një realitet tjetër.
Çfarë kuptimi ka sot në Kosovë, një marrëdhënie e acaruar në mes opozitës dhe pozitës, e ashtuquajtur marrëdhënie e egërsuar deri në atë pikë, sa që pak janë të interesuar ata(opozita), të cilët e kanë ndonjë ide lidhur me disa çështje jetike, siç është edhe zgjidhja e problemit ndëretnik në këtë vend, në mes serbëve dhe shqiptarëve”, shpjegoi Preqi.
Në fund, ai u shpre se nuk duhet të bëjmë paragjykime rreth pushtetit të ardhshëm pas 9 shkurtit
“Duhet të përpiqemi, edhe pse ndoshta na duket kjo si një «moralizëm» por duhet ta pranojmë se mund të ekzistojë një numër i madh njerëzish në vendin tonë, që e përkrahin një qeverisje të tillë dhe pakëz më ndryshe, e cila ka në brendinë e vet një vizion më të qartë, që mendon, gjykon dhe vepron, duke u nisur nga një arsye e kulluar dhe e vullnetit për të arritur qëllimin, jo vetëm të pushtetit, por të zotërimit të pushtetit, që ka një kontakt me të vërtetën dhe realitetin e këtij populli.
Nuk mund të bëjmë përgjithësime apo paragjykime rreth pushtetit të ardhshëm pas 9 shkurtit të vitit 2025, kjo varet nga bindjet dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës, por sidoqoftë populli i këtij vendi duhet të çlirohet nga ankthi, të jetë i qetë dhe i hapur për një mirëqenie më të mirë, po ashtu edhe përmes një qëndrimi ku mund të fitohet një pozicion i fuqishëm përballë kritikave dhe rrethanave që na rrethojnë”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.