Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është thirrur në Prokurorinë e Posaçme me 16 dhjetor, lidhur me një hetim për keqadministrimin e rezervave shtetërore.
Profesori universitar Enver Bytyçi, thotë për gazetën "Bota sot", se kjo çështje është zbuluar rreth dy vite më parë dhe përfshin hetime ndaj disa administratorëve dhe ministres përkatëse.
Megjithatë, sipas tij, thirrja e Kurtit ndodhi në kulmin e fushatës elektorale, vetëm 54 ditë para zgjedhjeve, gjë që ngre dyshime për motive politike.
“Objekti i çështjes thuhet se është administrimi i rezervave të shtetit, ku para gati dy vitesh janë gjetur shkelje dhe moszbatim të ligjit për këto rezerva. Rezervat e shtetit në Kosovë janë në administrim sekret sipas ligjit. Natyrisht që për prokurorinë dhe organet e zbatimit të ligjit nuk pengon ligje për një administrim sekret të hetohet dhe gjykohet me drejtësi për menaxhimin e tyre. Rezervat e shtetit shërbejnë për raste emergjente, kur presidenti shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të katastrofave natyrore ose për shkak të luftërave. Ato pasurohen kryesisht me fondet e qeverisë, dmth të taksave të qytetarëve.
Për pasojë janë objekt i luftës kundër çdo keqpërdorimi të tyre. Rasti është zbuluar në vitin 2022 apo në fillimin e vitit 2023. Dmth, afërsisht para dy vitesh. Është thirr ministrja përkatëse dhe janë në hetim disa nga administratorët e këtyre rezervave.
Tani është lëshuar thirrje për kryeministrin, që ai të dëshmojë për veprën penale të zbuluar për keqadministrimin e klrtyre rezervave. Thirrja është për datën 16 dhjetor. Vetëm 54 ditë para ditës së zgjedhjeve të përgjithshme për parlamentin e Kosovës. D.m.th kjo thirrje është bërë në kulmin e fushatës, madje ditën që po mbyllej afati i fundit i përcaktimit dhe dorëzimit në KQZ të listës së deputetëve”, thotë analisti politik.
Ai përmend edhe thirrjen e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria, teksa hedh dyshime se ato po bëhen si “shenjë hakmarrjeje” për shkak të kritikave të ministres ndaj Prokurorisë.
“Prokuroria e Posaçme ligjërisht është e pavarur dhe vepron në përputhje me ligjin për Prokurorinë. Prokuroria e Posaçme ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivel qeveritar e të administratës publike. Veprimtaria e saj diktohet edhe nga ligji anti-mafia dhe ligje të tjera të shtetit të Kosovës. Unë do të doja që thirrja e kryeministrit Kurti për të dëshmuar për rastin konkret të mos kishte asnjë lloj prapavije politike. Pra, që kjo thirrje të mos ishte e motivuar politikisht ose si një hakmarrje për kritikat e kryeministrit ndaj kësaj prokurorie. Prokuroria e Posaçme thirri me arrogancë para disa kohësh edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Për çfarë? Për një deklaratë të saj! Ndërkohë ministrja Haxhiu që prej ditës së parë në qeverisje ka lëshuar kritika të vazhdueshme ndaj kësaj prokurorie. Thirrja që iu bë krijoi imazhin e një prokurorie që abuzon me ligjin thjesht si hakmarrje ndaj kritikave që i bëhen prokurorisë”, thekson Bytyçi.
Profesori nënvizon se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe të shmangë perceptimin se përdoret si mjet politik. Ai thekson se thirrja e Kurtit mund të interpretohet si përpjekje për të dëmtuar reputacionin e tij dhe pozitën elektorale të partisë së tij. Kjo veçanërisht përforcohet nga historia e prokurorisë, e cila sipas tij, ka dështuar të ndëshkojë krimet e politikanëve të kaluar dhe ka krijuar një perceptim të hetimeve me standarde të dyfishta.
“Në fakt nëse ka debat midis qeverisë dhe organeve ligjzbatuese, kjo do të thotë se drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi. Pavarësia nga qeveria, pra nga ekzekutivi është thelbi i pavarësisë së gjyqësorit. Edhe nëse organet ligjzbatruese bashkëpunojnë me opozitën për të luftuar korrupsionin në sistemin e qeverisjes dhe administratën publike, kjo për mua nuk përbën asnjë problem shqetësues. Por në rastin e thirrjes së zotit Kurti njerëzit kanë të drejtë së paku të diskutojnë për dy aspekte: Së pari pse duhej që kryeministri të thirrej në prokurori në kohë fushate elektorale? Pse nuk u thirr para gjashtë muajsh, ose pse nuk u prit të thirrej më 10 shkurt 2025? Përgjigja e kësaj pyetjeje na çon te dyshimi se prokuroria po përdoret politikisht. Po përdoret si hanxhar për të dobësuar pozitën elektorale të forcës politike, të cilën e drejton Albin Kurti. Pra që ta përfshijë kryeministrin së paku në perceptim në afera korrupsioni. Thjesht të thirrurit në prokurori e bën Kurtin objekt thash e themesh dhe opinionesh të ndryshme, të cilat synojnë dobësimin e reputacionit të tij. Thuhet se drejtësisë nuk çfarë i duhen proceset politike. Por prokuroria jeton në të njëjtin territor si edhe qytetarët e politikanët e Kosovës. Ajo duhet të bëjë kujdes të mos krijojë opinionin se merret me politikë”, thekson profesori për "Bota sot".
Bytyçi kritikon edhe faktin se prokuroria ka sulmuar Kurtin dhe qeverinë e tij, ndërkohë që ka mbrojtur krimet dhe korrupsionin e mëparshëm.
“Së dyti, këtë narrativë e përforcon fakti se Prokuroria e Posaçme e ka sulmuar politikisht Kurtin edhe kur ishte në opozitë. Ndërkohë që nuk ka ndëshkuar pushtetarët e korruptuar të estabilishmentit të kaluar. Kosova e di se politikanët kanë blerë një ari tokë me 5 euro dhe kanë shit me 7000 euro vetëm pak kohë më vonë, madje shtetit, të cilit ia kanë blerë atë tokë. Por askush nuk u vu para përgjegjësisë për këtë aferë korruptive dhe abuzimi të pashembullt. Kosova e di se në përfundim të luftës në Kosovë dhe disa muaj më pas janë ekzekutuar, plagosur e mbetur gjymtim gati 200 politikanë dhe veprimtarë politikë, të gjithë kundërshtarë të një ktrahu tjetër politik. Por asnjë prej vrasësve nuk ka shkuar në gjyq. Prokuroria është përgjegjëse për këtë fakt. Si është e mundur që kjo prokurori të mos zbulojë qoftë dhe një nga vrasësit e shumtë në Kosovë?! Nuk po kërkoj që ajo të kishte zbuluar qoftë dhe një nga urdhërdhënësit. Prokuroria e di se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë është produkt i moskryerjes së detyrës së saj për të dënuar krimet që përmendëm më lart. Këtë e di edhe Kosova. Dhe derisa ka shumë fakte me të cilat provohet se kjo prokurori ka mbrojtur dhe mbron krimet e ish-politikanëve në pushtet, a nuk dëshmon me thirrjen e Kurtit se është pjesë e një skenari politik?! Hetimi i krimeve me dy stadarde e ka bërë Prokurorinë e Posaçme të Kosovës të pabesueshme, madje palë politike në betejat politike. Kjo do të thotë se Kurti shkon në Prokurori si kundërshtar i saj, shkon pra politikisht dhe po ashtu politikisht duhet t’i përgjigjet edhe pyetjeve të prokurorit përkatës! Nëse opozita apo kushdo tjetër që e përdor prokurorinë e Posaçme kundër një pale tjetër politike mendon se vjen në pushtet me kësi intrigash, duhet ta harrojnë këtë”, potencon analisti.
Në përfundim, ai argumenton se populli i Kosovës ka intuitë politike të lartë dhe nuk do të mashtrohet nga skenarë të tillë, por mund të forcojë mbështetjen për Kurtin si viktimë e një sulmi politik.
“Kosova ka intuitën politike më të zhvilluar në Evropë. Është në këtë pikëpamje populli më i kultivuar dhe si i tillë vetëm se do të shtojë, ndoshta pa meritë, mbështetjen për viktimën politike të prokurorisë së Posaçme, në rastin konkret të Albin Kurtit”, përmbyll Enver Bytyçi.