Presidenti në ardhje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka emëruar Richard Grenellin si përfaqësues i tij për misionet speciale. Grenell i cili më herët ka qenë edhe emisar për Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht dialogun Kosovë-Serbi, sipas raportimeve në media, Grenell do të ketë një rol të rëndësishëm edhe në Ballkanin Perëndimor në kuadër të misioneve speciale, ashtu siç e ka emëruar Trump.
Lidhur me këtë vendim të Trump, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.
“Prej kohësh opinioni ka pritur se me çfarë do të merret ambasadori Riçard Grenell në administratën e Presidentit Trump! Tashmë u bë e qartë se ai do të ketë një rol negociatori për zgjidhjen e konflikteve kudo në botë e për të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas presidentit Trump, Riç do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”! Është interesant për të kuptuar pse presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, përmend si pika më të nxehta Venezuelën dhe Korenë e Veriut. Normalisht do të duhej të përmendej Lindja e Mesme dhe lufta Rusi-Ukrainë. Megjithatë më vonë ndoshta do të kuptojmë më mirë se pse për Trump dy vendet e përmendura përbëjnë pikat më të nxehta të konflikteve në botë. Normalisht do të duhet të nisemi nga fakti se Venezuela është pjesë e Amerikës Latine dhe mundtë ketë ndikime të drejtpërdrejta në SHBA. Po ashtu Koreja e Veriut është tashmë një vend që posedon një arsenal bërthamor, i cili arrin edhe territorin e SHBA-ve. Ndërsa konfliktet e tjera mundet të shihen si “jashtë sferës amerikane të ndikimit të drejtpërdrejtë”!”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, Richard Grenell përparësi do të ketë zgjidhjen e konfliktit ushtarak e politike midis Rusisë dhe Ukrainës e më pas edhe të konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Ngjarjet në Siri mund të perceptohen si arsye për të besuar që Rusia është dobësuar. Por mendoj se ky do të ishte një arsyetim i pa vend dhe i paargumentuar plotësisht. Për mendimin tim Rusia hoqi dorë nga Siria për shkak se nuk donte të mbante më gjatë mbi kurriz shpenzimet e bazave ushtarake në këtë vend. Është shenjë dobësie e saj. Por nuk do të thotë se Moska është dobësuar në raport me luftën që ajo i ka hapur prej gati 3 vitesh Ukrainës. Prandaj dhe këto dy konflikte janë ato që shqetësojnë njerëzimin e ndoshta nxisin frikën e një Lufte të Tretë Botërore. Ambasadorit Grenell do t’i duhej të merrej me gjithë labirintin diplomatik në këto dy ose katër konflikte në botë. Ai do të negociojë kushte, projekte të paqes dhe armëpushime, si dhe marrëveshje përfundimtare në këto pika të nxehta”, shprehet Bytyçi, sipas të cilit, Grenell nuk do të ketë fare kohë që të merret me Ballkanin.
“Por atij do t’i duhet të angazhohet edhe me zgjidhjen ose mbajtjen nën kontroll të konflikteve që ekzistojnë në Detin e Kinës Jugore, në Tajvan etj. Nuk dihet nëse ai do të ndërmjetësojë edhe marrëveshjet e paralajmëruara tregtare të SHBA-ve me Kinën dhe Bashkimin Evropian. Ose zgjidhjen e pikave të mosmarrëveshjeve midis presidentit Trump dhe vendeve anëtare të NATO-s sa i përket shpenzimeve ushtarake dhe çështjeve të tjera që lidhen me aleancën. Nëse ai angazhohet në të gjitha këto çështje të mëdha të konflikteve globale, atëherë unë besoj se do t’i mbetet pak ose aspak kohë që të merret me Ballkanin”, thekson Bytyçi.
“Sa më afër zgjidhjes së konfliktit Rusi-Ukrainë të vijë Grenell, aq më pak do të ketë interes të merret me Ballkanin. Dhe nëse ndodh që të afrohet paqja në Ukrainë, atëherë besoj se konfliktet në Ballkanin Perëndimor, do të relativizohen. Kjo do të thotë se me shumë mundësi në këtë rast zgjidhja të vijë nga Bashkimi Evropian. Sigurisht që një koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të të ngarkuarin e posaçëm të presidentit Trump, pra me zotin Grenell, do të jetë gjithnjë në axhendë. Pavarësisht kësaj, ka shumë mundësi që për këtë rekordim të ketë një qasje tjetër, sipas të cilës të ngarkohet dikush nga Departamenti i Shtetit për t’u marrë me dialogun Kosovë-Serbi. Vetë Grenell do të ketë ndihmësit e tij në secilën prej zonave të konflikteve. Që do të thotë se do të ketë pak mundësi kohore të merret edhe me këtë konfliktin tonë me Serbinë”, shpjegon profesor Bytyçi për “Bota sot”.
Më tej, Bytyçi tregon se çfarë mund të ndodhë nëse Grenell do të angazhohet drejtpërdrejt në Ballkanin Perëndimor.
“E para, do të duhet të merret me Dayton-in dhe me Kosovën. Pra, do të duhet të rivendosë paqen dhe garantojë integrimin euro-atlantik të Bosnjë-Hercegovinës e njëkohësisht të Kosovës e Serbisë. Nuk besoj se Grenell, në kushtet e angazhimit të tij për zgjidhjen e konflikteve të mëdha, do të nxitë ndryshim kufijsh në rajonin e Ballkanit, edhe nëse kufijtë do të ndryshonin midis Ukrainës dhe Rusisë. Ndryshimi i kufijve në Ballkan çon në një konflikt të pashmangshëm dhe zoti Grenell është ngarkuar nga presidenti Trump për shuarjen e këtyre konflikteve. Këtë e shoh si pamundësi”, thekson Bytyçi.
“E dyta, Grennell, ashtu si në marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 midis Kosovës e Serbisë nga njëra anë dhe SHBA-ve nga ana tjetër, mund të riaktivizojë filozofinë e tij të zhvillimit ekonomik dhe investimeve amerikane në Serbi, Kosovë e gjetkë në Ballkan, si metodë e zgjidhjes së konflikteve politike. Këtë e shoh si një mundësi më të favorshme, nëse në Ukrainë vendoset paqja. Ndoshta edhe mund të funksionojë”, shpjegon Bytyçi.
“Së treti, Grenell mund ta detyrojë Serbinë që të pranojë integrimin e saj në NATO. Në këtë rast do i hapej menjëherë rruga anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Atlantike. Ndoshta ai ka prioritet pikërisht integrimin në NATO të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si kusht themelor të zgjidhjes së të gjitha konflikteve në rajon. Dhe së fundi, ekziston edhe një mundësi tjetër, por që konsiderohet e pazakontë dhe deri diku e pamundur nga ana ime. Të imponohen marrëveshje midis vendeve ballkanike në konflikt. Kjo do të thotë të përdoret forca. Por përdorimi i forcës në marrëveshjet ndërkombëtare nuk është zgjidhje. Kjo është provuar edhe nga pikëpamja filozofike përmes filozofit të shquar gjerman, Immanuel Kant”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.