Policia e Kosovës ditët e fundit bëri disa bastisje në veri të vendit, më saktë në komunën e Zubin Potokut.
Këto aksione erdhën pas sulmit terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit”, e gjatë të cilave u konfiskuan armë dhe paisje të ndryshme.
Mirëpo, a janë këto gjetje të armatimeve të ndryshme sinjal se bandat serbe mund të përgatisin sulme të reja?
E për këtë gjë, foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci në një prononcim për “Bota sot”.
Si fillim, ai u shpreh se policia e vendi tonë po e bën maksimumin e saj për të ofruar një siguri publike.
Po ashtu, potencoi se armatimet e konfiskuara tregojnë se çka janë në gjendje të bëjnë grupet kriminale.
“Me bastisjet që po i bënë Policia e Kosovës në atë pjesë matan lumit Ibër, ku u sulmuam shumë here si shtet dhe dy here me akte terorriste të rezikshme, policia e Kosovës po e bën maksimumin e saj me punën operative, ku ata që e cenojnë sigurinë publike dhe kombëtare të Republikës së Kosovës të identifikohen dhe të sjellen para drejtësisë.
Po dëshmohet se sa shumë armatim ka dhe çka janë në gjendje të bëjnë këto grupe të ndryshme kriminale të dirixhuara nga ata që na shkaktuan Banjskën dhe sulmin në Ibër Lepenc”, nënvizoi ai.
Po ashtu, eksperti i sigurisë vlerësoi se shteti serb ka probleme të mëdha të brendshme, për këtë duke sulmu Kosovën, synon të tërheq vëmendje.
“Duke pasur parasysh zhvillimet e brendshme në Serbi, protestat e shumta kundrejt atij establishmenti të kontaminuar të tyre, me sulmet që bëhen ndaj nesh, si shtet mundohen ta zhvendosin vëmendjen për t’i mbuluar problemet e mëdha që kanë brenda territorit të tyre nga qytetarët e pakënaqur”.
Ndër të tjera, ai shtoi se duhet të jemi të përgatitur dhe të marrim masat e duhura, pasi Serbia do tentojë ta krijojë tensione.
Për këtë, kërkoi edhe reagim nga ndërkombëtarët dhe sanksionim të shtetit serb.
“Andaj vigjilenca dhe preventiva nuk ka alternativ, duhet të jemi të përgatitur mendoj unë, që të ruhet siguria dhe paqja në Kosovë, sepse janë momente vakumi deri në inaugurimin e qeverisë Trump 2, dhe Serbia tenton ta mbajë situatën në tension që të krijoj përshtypje që te ne nuk ka siguri.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të reagoj ashpër që të ndaloj këtë qasje të Serbisë me sanksione të ashpra, sepse ne jemi të sanksionuar, kurse ne po sumlohemi pa e sulmuar dhe pa provokuar askënd”, përmbylli Arben Dashevci për “Bota sot”.