Ballkani mes “pikave të nxehta” të misionit të ri të Grenell-it? Përmendet dialogu Kosovë-Serbi, vjen ky paralajmërim!

Politika

Ballkani mes “pikave të nxehta” të misionit të ri të Grenell-it? Përmendet dialogu Kosovë-Serbi, vjen ky paralajmërim!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 dhjetor 2024 Në ora: 13:57
Richard Grenell dhe Albin Kurti

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka bërë me dije se ka përzgjedhur Richard Grenellin, ish-shefin e tij të inteligjencës, si të dërguar presidencial për misione speciale, pozitë që duket se kërkon angazhim në drejtim të kundërshtarëve amerikanë, përfshirë Korenë e Veriut.

 “Ric do të punojë në disa prej pikave më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, ka thënë Trump përmes një postimi në platformën e tij sociale, Truth Social, pa dhënë më shumë hollësi.

Një burim nga ekipi i tranzicionit i zotit Trump tha për agjencinë Reuters se zoti Grenell do të fokusohet gjithashtu tek tensionet në Ballkan.

Zoti Grenell reagoi në platformën X:

 "Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën", u shpreh ai.

 Kujtojmë që gjatë mandatit të parë të zotit Trump, zoti Grenell shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, si edhe si Drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar.

 Ai ka qenë prej kohësh një nga këshilltarët e politikës së jashtme të zotit Trump.

Mirëpo, të gjendur në këtë situatë cili do të jetë ndikimi i Grenell në Ballkan specifikisht në Kosovë?

Agusholli: Grenell përfaqëson një shtet me të cilin kemi pasur marrëdhënie të mira gjithmonë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Gramos Agusholli.

Ai thotë se edhe nëse Grenell do të përfshihet në rregullimin e tensioneve në Ballkan tashmë situata ka ndryshuar dhe është krijuar një realitet i ri.

Image
Gramos Agusholli

Personalisht, nuk kam qenë ndër ata që kanë menduar se presidenti Trump do ta linte jashtë ekipit të tij Richard Grenellin. Përkundrazi, kam besuar se Grenell do të ngjitej edhe më lart në hierarkinë e administratës Trump, duke pasur parasysh aftësitë e tij.

Megjithatë, dje pashë që presidenti Trump e ka angazhuar atë në detyra të rëndësishme, në ato që ai i quajti “vendet e nxehta,” si Venezuela dhe Koreja. Kjo tregon se Grenell vazhdon të jetë një figurë kyçe për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Edhe nëse Grenell do të përfshihej në rregullimin e tensioneve në Ballkan, unë mendoj se situata tashmë ka ndryshuar shumë! Sidomos pas sulmeve të vazhdueshme të shtetit serb ndaj shtetit tonë, është krijuar një realitet i ri që duhet të merret në konsideratë”, u shpreh ai.

 Më tej, deputeti thekson që puna e Grenell do të përfshij Ballkanin dhe Kosovën mirëpo prioritet në agjendën e tij nuk besoj se do të jetë dialogu me Serbinë.

 “Para katër vitesh, diplomacia ndërkombëtare kishte si qëllim kryesor “të përfundohej puna shpejt,” por sot kjo qasje nuk është më e mjaftueshme, duke pasur parasysh zhvillimet e reja ne Ballkan!

Sidoqoftë, unë nuk besoj se dialogu me Serbinë do të jetë prioritet në agjendën e Grenellit. Edhe nëse do të jetë, duhet të kemi parasysh se Grenell përfaqëson një shtet me të cilin kemi pasur marrëdhënie të mira gjithmonë! Shtetet e Bashkuara kanë pasur një rol kyç në ndërtimin dhe pavarësinë e shtetit tonë, dhe besoj se ky bashkëpunim strategjik do të vazhdojë të jetë themelor për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, foli Agusholli për “Bota sot”.

Mehazi: Nuk është e rastësishme fshirja e të gjitha postimeve të Grenellit, kundër Kurtit e pro Vuçiqit 

Ndërsa profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që fokusi i Grenell do të jetë më shumë në sfidat e vështira në mes Venezuelës dhe Koresë së Veriut sesa me dialogun Kosovë-Serbi.

Image
Sulejman Mehazi

 “Deklarata e Presidenti të ardhshëm të SHBA-ve, Donald Trump, se ish-shefin e zbulimit, Richard Grenell, e ka propozuar në postin e Misionarit të Posaçëm të shteteve në botë, më shumë ka të bëjë me sfidat e vështira dhe të nxehta në mes Venezuelës dhe Koresë së Veriut sesa me dialogun Kosovë-Serbi, dhe vetë deklarata e Presidentit të ri, Trumpit, për detyrën e Grenellit janë problemet konfliktuoze në mes Venezuellës dhe Koresë së Veriut, që për SHBA-të do jetë një ndër sfidat më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane.

Nuk mendoj se Grenelli do fokusohej aq shumë në shtetet e Ballkani Perëndimor, Kosovë - Serbi, pasi posti kyç i tij është i krizave të posaçme e të rrezikshme në botë siç janë luftërat: ruse - ukrainase, izrailite-palestineze dhe Venezuellës me Korenë e Veriut”, shpjegon profesori.

Në fund, profesori përmend fshirjen e postimeve të Grenellit kundër Kurtit e pro Vuçiqit e që sipas tij nuk janë të rastësishme duke ngritur pikëpyetje në lidhje me këtë veprim.

“Nuk është e rastësishme fshirja e të gjitha postimeve të Grenellit kundër Kurtit e pro Vuçiqit në rrjetet sociale të tij, mos ndoshta për Grenellin kushti kryesor i marrjes së misionarit të posaçëm të SHBA-ve nga ana e presidentit të ri amerikan Trump ka qenë fshirja e të gjitha shkrimeve të tij kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Kosovës?

Zotëri Grenelli edhe nëse përcaktohet nga Kryetari i SHBA-ve, Trump për të zgjidhur tensionet politike, Kosovë -Serbisë, ai nuk do veprojë sipas dashurisë së tij ndaj Vuçiqit, por ndaj urdhërave të presidentit Tump”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat