Kosova nënshkroi kontratën për themelet e fabrikës së municioneve, ish- ushtaraku tregon rëndësinë/ Ja cili duhet të jetë hapi i radhës

Politika

Kosova nënshkroi kontratën për themelet e fabrikës së municioneve, ish- ushtaraku tregon rëndësinë/ Ja cili duhet të jetë hapi i radhës

Nga: N.E Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 20:13
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kosova ka nënshkruar të hënën kontratën me prodhuesin turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) për fabrikën e municioneve.

Këtë lajm e ka konfirmuar vetë kryeministri Albin Kurti, ku ka thënë se në kontratë përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim.

“Sapo nënshkruam kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes.

MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.

Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, ka shkruar Kurti.

Një reagim të menjëhershëm ndaj këtij lajmi ka reaguar Daut Haradinaj, anëtar i kryesisë së AAK-së.

Ai e ka konsideruar lajm të mirë, por ka kërkuar që të mos lihet anash Amerika për këtë, kjo pasi sipas tij, çdo gjë që ka të bëjë me ushtri, municion e siguri - i jemi borxhli të përjetshëm Amerikës.

Ai madje ka kërkuar që Kurti të bëjë edhe publikimin e kontratës.

“Është gjithmonë lajm i mirë kur Kosova avancon në sektorin e sigurisë dhe prodhimit të municionit. Por të lihen anash kompanitë amerikane me letra mbi tavolinë, është gabim. Falënderues ndaj Turqisë për përkrahjen e vazhdueshme, mirëpo çdo gjë që ka të bëjë me ushtri, municion e siguri - i jemi borxhli të përjetshëm Amerikës.

Gabim në hapa, njësoj sikur me energjetikë, me anulimin e kontratës me Contour Global për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re dhe me anulimin e projektit të gazsjellësit amerikan.

P.S.

Publiko kontratën Kryeministër!”, ka shkruar Haradinaj.

Rreth lajmit për fabrikën e municioneve, ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ish- ushtaraku Hafir Hoxha.

Hoxha thotë se një gjë ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme për shtetin e Kosovës.

Sipas tij, prodhimi i municioneve është një nga elementet kryesore të forcmimit dhe përgatitjes dhe pajisjen e FSK-së me armatim e municion të mjaftueshëm.

“Kryeministri Albin Kurti edhe më herët ka lajmëruar për këtë projekt, por tani po e dëshmon me akt të nënshkrimit se është nismë e vërtetë e këtij projekti. Pasi e njoh shumë mirë ministrin e Mbrojtjes z. Ejup Maqedoncin, kam njohuri për gatishmërinë dhe konceptin e tij në strategji të përforcimit të FSK-së dhe përfundimin e Doktrinës së mbrojtjes së Kosovës në tërësi me të gjithë faktorët e mbrojtjes dhe sigurisë. Mendoj se ky aktivitet është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për shtetin e Kosovës pasi për të marrë detyrën në të ardhmen për të siguruar dhe garantuar integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës nuk do të ishte e mundur, e as nuk do të kishte logjikë që të varemi nga procedurat byrokrate për të furnizuar forcat tona me municion. Prandaj prodhimi i municionit është një nga elementet kryesore të forcimit dhe të përgatitjes dhe pajisjen e FSK-së me armatim e municion të mjaftueshëm”, deklaron Hoxha.

Image
Hafir Hoxha

I pyetur nëse kontrata për fabrikë a mund të mbetet vetëm në letër dhe kjo gjë të përdoret për fushatë para zgjedhore, Hoxha thotë se nëse ndodh një gjë e tillë mbetet përgjegjësi e madhe.

Sipas tij, në kuadër të përforcimit të shteti dhe sigurisë duhet të ketë edhe ndërmarrje që kanë kapacitete të prodhojnë veshmbathje dhe pajisje tjera ushtarake, policore.

“Tani gjatë fushatës kjo deklaratë me siguri do të shfrytëzohet ose do të keqinterpretohet si deklaratë politike në fushatë para zgjedhjeve, por unë jam i sigurt që kjo duhet të ndodhë sa më parë dhe qysh tani duhet të thuhet se duhet të mbajë përgjegjësi të madhe po të mbetet ky projekt vetëm si premtim politik dhe të mos të realizohet. Në kuadër të përforcimit të shtetit dhe të sigurisë ne duhet të angazhohemi edhe në ndërmarrje të shumta private vendore që kanë kapacitet të prodhojnë edhe veshmbathje dhe pajisje tjera ushtarake, policore, për Zjarrfikësit, për Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave ku do të rritet punësimi, prodhimi vendor dhe mos të rrjedhë buxheti i Kosovës jashtë vendit, për gjëra që kemi mundësi vet t’i prodhojmë e si shembull duhet të marrim ushtrinë zvicerane ku shumë pajisje dhe teknologji i posedon nga prodhuesit privat zviceran. Prandaj në këto elemente nuk duhet shikuar se kush është kryeministër, kush është në pozitë apo opozitë, këto janë projekte serioze dhe të vonuara tek ne prandaj duhet të gjithë t’i mbështesim dhe të kërkojmë llogari tek ata që pengojnë ose sabotojnë këto projekte për arsye të ndryshme”, përfundon ish- ushtaraku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat