Kosova dhe Serbia ranë dakord për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa më 2015 u pajtuan për parimet mbi bazën e të cilave do të duhej të themelohej.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi po atë vit se këto parime nuk janë plotësisht në përputhje me ligjet e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen.
Ndërkohë, vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, një nga pikat e së cilës kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.
E trysnia për formimin e Asociacionit tash e një kohë është prezente ndaj Kosovës.
Së fundmi është ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill i cili ka thënë se nuk sheh alternativë për dialogun dhe se duhet të formohet sa më parë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill tha se është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet dialogu dhe se ai personalisht, si shumë të tjerë, është i zhgënjyer që disa probleme nuk janë zgjidhur.
“Ka pasur përpjekje për të arritur një marrëveshje të caktuar për disa çështje, sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, është dashur të formohet para 12 vitesh, ende nuk është zbatuar. Ka shumë punë. Në vend që të analizohet se si këto probleme janë zgjidhur, është e rëndësishme që ne të shikojmë se çfarë mundësish kemi në dispozicion dhe ne gjithmonë i kthehemi dialogut, kjo është padyshim mënyra më e mirë”, tha ai.
Duke folur për Asociacionin e Komunave Serbe, Hill tha se duhet të formohet, se është “zgjidhja më e mirë”, dhe se SHBA-të e mbështesin.
Mirëpo a duhet kjo trysni të drejtohet nga Serbia, kur jemi dëshmitar të veprime terroriste të tyre ndaj Kosovës?
Burjani: Me Kurtin Asociacion s’ka, por as me LDK dhe PDK s’ka Asociacion bazuar në draftin e fundit
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.
Ai thotë se është bërë gabim në marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin sepse në këto kushte vetëm Kosova obligohet të formojë Asociacionin, ndërsa Serbia ledhatohet.
“Mendoj se është bërë gabim me marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin, sepse praktikisht veç Kosova obligohet menjëherë pa humbë kohë të formojë Asociacionin, ndërsa Serbia ledhatohet dhe në anën tjetër sanksionet janë vendos Kosovës përkundër Banjskës dhe Ibër Lepencit si akte terroriste që ndodhen nga Serbia dhe njerëzit e specilizuar terroristë që sulmuan Kosovën”, u shpreh ai.
Sipas tij, draft-statuti i paraqitur nga BE është kundër kushtetues dhe i tillë nuk duhet pranuar nga Kosova.
“Asociacion s’do të ketë, jo ashtu siç pretendohet arsyet janë të qarta: Kosova nuk do Asociacion kundër kushtetues, draft i fundit i BE është në pjesë të madhe kundër kushtetues, secili Asociacion që mund të themelohet duhet te ketë bazën në ligjin për bashkëpunim ndërkomunal, Kosova ka një Asociacion të tillë. Pra duhet vepruar në pajtim me këtë ligj, dhe nuk mund të ketë Asociacion etnik, pra mendoj se me detyrim për themelim të këtij Asociacioni është bllokuar dialogu”, foli juristi.
Më tej, juristi nënvizon që nëse nuk do të ketë një marrëveshje të re Kosovë -Serbi për zbatim që i referohet vetëm integrimit të serbëve në institucione siç ishte pa Asociacion, dialog më nuk do të ketë.
“Kosova nuk e bën përderisa Serbia kërkon Asociacionin me kompetenca shtetërore ekzekutive dhe dëshron të kontrolloj 33% të territorit të Kosovës përmes Asociacionit, pra në gjitha komunat, kjo është e papranueshme.
Nëse nuk do të ketë një marrëveshje të re Kosovë -Serbi për zbatim që i referohet vetëm integrimit të serbëve në institucione siç ishte pa Asociacion, dialog më nuk do të ketë, pra me Kurtin Asociacion s’ka por as me LDK dhe PDK s’ka Asociacion bazuar në draftin e fundit”, foli juristi Blerim Burjani për “Bota sot”.
Qarri: Qëndrimet e Serbisë vazhdojnë të mos jenë në pajtim me qëndrimet e BE-së dhe SHBA-ve
Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që krijimi i Asociacionit është një kërkesë e rrezikshme jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin.
Sipas tij, krijimi i Asociacionit nuk mund të realizohet në Kosovë.
“Personalisht mendojë se kërkesa për asociacion një etnik për vetëm 7-8 mijë serb të veriut, është një kërkesë shumë absurde dhe tepër e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, si shembulli më keq, për prishjen e rregullimit të brendshëm shtetëror dhe nxitjes së tendencave të reja për secesion dhe separatizma, në shkallë të gjerë, siç po ndodhë me tendencën e të ashtuquajturës “republika srpska” në Bosnjë, me qëllim të krijimit të “botës serbe” apo të ashtuquajtur “serbia e madhe”.
Tendencë e cila nuk besojë se edhe mund të realizohet në Kosovë, ngase e para, ky është një akt i paprecedent që tentohet ti imponohet vendit tonë forcërisht dhe që nuk ka të bëjë me vlera evropiane, as akte demokratike, përkundrazi, mund të jetë një veprim i rrezikshëm” edhe për rajonin, sepse nëse u dashka për 7-8 mijë serb në veri të Kosovës, të krijohet asociacion një etnik, pse të mos krijohet një autonomi territoriale dhe politike edhe për gati 1 milion shqiptarët në FYROM, që edhe ata të bëhen popull shtet-formues ngase ata, atje përbëjnë mese 40% të banorëve të këtij shteti multi-etnik, por që megjithatë nga sllavo-maqedonët, thirret edhe gjykata kushtetuese në ndihmë, që shqiptarëve tu mohohet edhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në trojet e veta autoktone” foli ai.
Qarri më tej shtjellon deklaratën e Hill, duke thënë që nga i njëjti nuk mund të presim të bëj presion ndaj Serbisë, pasi gjithmonë ka mbajtur anëen e saj.
Duke vazhduar tutje ai thotë se pas ndërrimit të administratës shtetërore në SHBA, është koha që edhe Hill, njëjtë si Eskobar dhe Hovenier, të dërgohet andej nga vendet amerikano-latine, në Siri apo Irak dhe të zëvendësohet.
“Dhe derisa mijëra shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë u pasivizohen publikisht edhe adresat nga shtëpitë dhe pronat e veta, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, nuk mjaftohet me problemet që shkakton e ashtuquajtura “republikë serbe” në Bosnjë, ndaj kërkon edhe një krijesë të ngjashme në Kosovë, se gjoja zgjidhja na qenka, duke e formuar “Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, i cili nuk e di se si mund të harrojë kaq lehtë, se pikësëpari vet ai personalisht, është treguar gjithmonë i njëanshëm dhe nuk ka qenë asnjëherë faktor i zgjidhjes, por pjesë e problemit, bashkë me ish të dërguarin special latino-amerikan Gabriel Eskobar, të cilët nuk e kanë trajtuar asnjëherë Kosovën në mënyrë të barabartë, në dialogun me Serbinë.
Ndaj pas ndërrimit të administratës shtetërore në SHBA, është koha që edhe Hill, njëjtë si Eskobar dhe Hovenier, të dërgohet andej nga vendet amerikano-latine, në Siri apo Irak dhe të zëvendësohet me një përfaqësues tjetër më korrekt dhe të paanshëm të SHBA-ve, i cili sheh shpresa dhe di të ofrojë ide, për zgjidhjen e problemit duke detyruar Serbinë ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe Kosova ta krijojë një Këshill Nacional serb, njëjtë si në Kroaci, që do të përfaqësonte pakicën minore serbe në Kosovë”, shpjegon ai.
Serbia ka qenë dhe mbetet faktori më destabilizues në rajon
Tutje, analisti thotë që nëse flasim për dialogun atëherë më e zhgënjyer në këtë rast është Kosova pasi Serbia ende nuk ka jepur përgjegjësi për veprimet e saj.
Gjithashtu, ai shtoi që përveç qëndrimeve të kundërta politike me BE-në dhe SHBA-të, Serbia as që e ka në plan vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Sa i takon kohes dhe kohëzgjatjes së dialogut, më e zhgënjyer nga të gjithë është vet Kosova, të cilës tash e mbi një dekadë, në vijimësi i kërkohen koncesione në llogari të Serbisë, edhe pse Serbia përveçse akoma nuk ka dhënë asnjë llogari për krimet dhe gjenocidin që ka shkaktuar gjatë viteve të luftës në Kosovë, regjimi kriminal i Vuçiqit as pas kalimit të 25 viteve nga përfundimi i luftës, nuk pranon ti kthej mbi 1643, shqiptar në shtëpitë dhe trojet e veta, të kidnapuar nga forcat kriminale policore dhe ushtarake të Serbisë fashiste!
Por përkundër të gjithave ambasadori Hill, merr kurajo ta paraqes presidentin serb dhe Serbinë si partner të Perëndimit, edhe pse në fakt Serbia ka qenë dhe mbetet faktori më destabilizues në rajon, e cila derisa promovon publikisht "Botën serbe" ndërhynë hapur dhe në vijimësi edhe në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë, duke promovuar publikisht Kinën dhe Rusinë si partner të saj strategjik, ekonomik dhe politik, në vend se të ishte partner i vendeve perëndimore dhe tu bashkohej sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve ndaj Rusisë.
Madje përveç qëndrimeve të kundërta politike me BE-në dhe SHBA-të, Serbia as që e ka në plan vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, e cila edhe pas gati tri viteve luftë, nga agresioni rus në Ukrainë, vazhdon edhe më tej, partneritetin strategjik me Kinën dhe Rusinë”, foli ai.
Në vazhdim të bisedës, analisti thotë që është koha trysnia të kthehet nga Serbia e jo nga Kosova, duke marrë parasyshë veprimet destabilizuese të saj.
“E me gjithë veprimet e Serbisë, që janë në kundërshtim të plotë me ato perëndimore dhe sot e kësaj dite, qëndrimet e Serbisë vazhdojnë të mos jenë në pajtim me qëndrimet e BE-së dhe SHBA-ve, Hill lëshon deklarata për formimin e asociacionit, përkundër faktit logjik, që duke marrë parasysh aktet terroriste serbe në veri të Kosovës, është momenti i fundit, kur trysnia e SHBA-ve, BE-së dhe ajo ndërkombëtare, do duhej të kthehej kundër Serbisë, dhe ti vendosen sanksionet më të ashpra për aktet e agresionit dhe veprimet terroriste në veri të Kosovës.
Dhe jo të vij në shprehje, kjo që tash e mbi një vit, po ndodhë padrejtësisht kundër Kosovës me sulme frontale dhe në mënyrë të gjithanshme, ku përveç sanksioneve të padrejta e të njëanshme të BE-së ndaj Kosovës, nga pjesëtar të vendeve të caktuara të KFORIT u ndalohen edhe vizitat dhe qarkullimi i lirë, në veri, ministrave të Qeverisë së Kosovës në territorin e shtetit të vet”, thotë analisti.
Qarri në fund përmendi heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të Serbisë që po rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të Kosovës.
“Me sa dimë ne, ushtarët e KFOR-it edhe ata hungarez, italjan dhe të tjerët, janë me detyrë, pikërisht për garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë, për të gjithë dhe jo tua ndalojnë lëvizjen e lirë ministrave të Kosovës, ta bllokojnë urën e Ibrit, siç vepruan para pak kohësh dhe të mbajnë edhe stërvitje, se si kinse, po përgatiten për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit, i cili vetëm pak kohë më parë ka përvetësuar edhe 40 hektar tokë të komunës dhe qytetarëve të kësaj treve, ndaj lind pyetja, athua nga kush qenka kaq në rrezik, të sulmohet tani edhe Manastiri, që i paska vënë kaq në siklet të madh ushtarët e KFOR-it, le të themi hungarez, të cilët siç dihet botërisht, nuk janë sulmuar asnjëherë nga shqiptarët, por nga kriminelët dhe terroristët serb, madje ndonjëri prej tyre, deri në ato përmasa, sa ti amputojë edhe gjymtyrët e trupit, edhe pse për akte të tilla nuk flet askush, madje për këto akte kriminale serbe, heshtë edhe ambasadori Hill, duket me shumë dëshirë”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.