Mospajtime të mëdha në BE për heqjen e sanksioneve – vijnë sinjale jo të mira për Kosovën!

Politika

Mospajtime të mëdha në BE për heqjen e sanksioneve – vijnë sinjale jo të mira për Kosovën!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 dhjetor 2024 Në ora: 21:09
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian gjatë vitit 2023 vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, kjo si pasojë e rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja kishte vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim, ndonëse ishte Serbia ajo që nxiste tensione me bandat e saj kriminale.

Megjithatë, së fundi janë shtuar kërkesa për heqjen e këtyre sanksioneve, madje edhe autoritetet e Kosovës deklarojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat dhe masat e BE-së i konsiderojnë të padrejta.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, tash e një kohë këto masa kanë mbeture pezull dhe nuk dihet ende se si do veprohet.

Këshilli i Bashkimit Evropian do të mund të deklarojë javën që vjen se do t’i heqë gradualisht masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por paralelisht me hapat tjerë që do duhet të ndërmarrë Kosova për t’i ulur tensionet në veri.

Kjo porosi do të duhej të ishte pjesë edhe e konkluzioneve të ministrave të vendeve anëtare, që do të takohen të martën, më 17 dhjetor, në Bruksel në të ashtuquajturin Këshill i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.

Por, edhe në këtë pikë ka dallime në qëndrime mes vendeve anëtare, prandaj për këto konkluzione do të ketë sërish diskutime të dielën mes ambasadorëve të vendeve anëtare.

Vazhdimi i mospajtimeve rreth mënyrës së heqjes së masave ndaj Kosovës ka bërë që ato të mos hiqen fare as tërësisht as gradualisht.

Sipas burimeve diplomatike, ato mund të mos hiqen para zgjedhjeve në Kosovë që janë caktuar për 9 shkurt të vitit që vjen.

E në lidhje me këto maspajtime brenda BE-së për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, folën njohësit e çështjeve politike.

Koci: Nuk pres heqjen e masave ndaj Kosovës

E në lidhje me këtë, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, foli ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci.

Si fillim, ai tha se nuk është befasues fakti që ka mospajtime brenda BE-së për heqje të sanksioneve ndaj Kosovës, pasi ka ende shtete që e preferojnë Serbinë.

Në këtë pikë, vlerësoi se BE ka humbur kredibilitetin e saj.

“Dallimet në qëndrime të vendeve të BE-së rreth heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës janë një dëshmi tjetër e dështimit të Brukselit në raport me dialogun Kosovë - Serbi. BE-ja e tashme e (Borrellit dhe Lajcakut) ka humbur kredibilitetin dhe e ka komprometuar procesin e normalizimit të raporteve Prishtinë - Beograd. Kjo nuk befason sepse kemi të bëjmë me 27 vende që kanë interesa të ndryshme dhe disa prej tyre ende preferojne një Serbi që do të dominonte Ballkanin. Vendet e BE-së që aktualisht refuzojnë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ishin po ato që para dy vitesh hoqën njohjen "de jure" nga marrëveshja franko - gjermane, duke bërë që ajo të dështoj ende pa u bërë publike”, u shpreh ai.

Image
Melazim Koci

Po ashtu, Koci përmendi edhe shtetet që nuk e njohin Kosovën, të cilat kanë qëndrime të njëjta me Rusinë dhe Kinën sa i përket vendit tonë, derisa ende vazhdojnë të përfitojnë nga BE dhe NATO.

“BE-ja ka në radhët e veta 5 vende që nuk njohin pavarësinë e Kosovës dhe ky qëndrim është identik me qëndrimin ruso - kinez.

A është kjo normale? A është normale që vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s të kenë qëndrim identik me Rusinë dhe Kinën në raport me Kosovën?

Konsumojnë siguri nga NATO dhe mirëqenie duke qenë anëtarë të BE-së, por mbajnë qëndrime anti - perëndimore në raport me Kosovën!

BE-ja nuk do të mund të bëjë asgjë në të mirë të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkan nëse vazhdon të mbajë këto qëndrime absurde rreth Kosovës. Ata duhet të unifikojnë politikën e vet të jashtme për të qenë faktor kredibil kur ndërmjetësojnë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nuk mund të ndihmosh tjerët në normalizimin e raporteve, nëse qëndrimet t'ua janë kontradiktore”, vlerësoi ai,

Më tutje, ish-kryeredaktori i REL u shpreh pesimist sa i përket heqjes së masave të vendosura ndaj Kosovës, derisa kërkoi nga krerët e shtetit të bashkëpunojnë me SHBA-në dhe Britaninë.

“Rrjedhimisht, nuk pres heqjen e masave ndaj Kosovës, gjithnjë përderisa nuk ka ndërhyrje të fuqishme të SHBA-së në këtë proces. Jane SHBA-të dhe Britania e Madhe që siguruan intervenimin e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe jo Bashkimi Evropian.

Udhëheqja e Kosovës duhet ta kuptoj që aleatët tanë të vërtetë janë në Uashington e Londër, dhe jo në Bruksel. Bashkëpunimi, koordinimi dhe harmonizimi i qëndrimeve me boshtin anglo - sakson është çelësi i mbylljes së procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Çdo shmangie eventuale nga ky orientim e vonon dhe rrezikon shtetësinë e Kosovës”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.

Kapiti: BE padrejtësisht i ka vendosur sanksione Kosovës!

Ndërsa, opinionisti Skënder Kapiti potencoi se këto masa të vendosura ndaj Kosovës janë të padrejta.

Për këtë, ai befasohet se si Serbia nuk është sanksionuara, marrë parasysh sulmet terorriste në veri dhe afërsinë me Putinin, derisa shteti ynë po.

“BE vitin e kaluar i ka vendosur Kosovës nje sërë sanksionesh krejtësisht padrejtësisht. Dhe i pyesim këta të BE-së, se pse e ndëshkoni Kosovën, pse ajo është më mirë se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në realizimin e demokracisë dhe të funksionimit të shtetit ligjor, apo ju i vendosët sanksione Kosovës për të kënaqur Serbinë, dhe nuk i vendosni sanksione Serbisë, pse Serbia me bandat terroriste kërkojnë të destabiliziojnë Kosovën, pse Serbia është aleate besnike e Rusisë, dhe pse Serbia nuk i ka vënë sanksione shtetit rus pas pushtimit të Ukrainës”.

Image
Skënder Kapiti

Opinionisti u tregua i ashpër me BE-në, duke thënë se mospajtimet brenda saj për Kosovën, tregojnë shtetet aleate të vërteta të Kosovës, siç janë SHBA, Britania, Truqia,…etj.

“Ju BE, pse tregoheni kaq e pabesë dhe hipokrite me Kosovën dhe në vend që ta mbështesni atë për të vendosur sundimin e ligjit, në vend që ta mbështesni Kosovën në integrimin në BE dhe në NATO, dhe ne vend që ju të BE-së, në vend që ta armatosni Kosovën dhe ushtrinë e saj, ju veproni të kundertën. I vendosni sanksione Kosoves, pse ajo lufton korrupsionin, pse ajo zbaton ligjin dhe Kushtetutën dhe pse ajo mbron sovranitetin dhe legjitimitetin shtetëror të shtetit të Kosovës. Mospajtimet dhe qëndrimet e ndryshme të vendeve të BE-së karshi Kosovës le të shërbejnë për politikën dhe për publikun kosovar si leksione për të mësuar se cilat jane ato shtete mike dhe aleate të sinqerta për Kosovën, dhe ato duket se janë SHBA, Turqia, Britania e Madhe, Kroacia e ndonjë tjetër”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat