A mund ta ketë Aleksandër Vuçiq, fatin e Bashar Al Assadit?

Politika

A mund ta ketë Aleksandër Vuçiq, fatin e Bashar Al Assadit?

Nga: N.E Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 22:01
Aleksander Vuciq- Bashar Al Assad

Rënia e diktatorit Bashar al Assad në Siri ka sjellë reagime edhe në Ballkan.

Pa kënaqësitë e opozitës në Serbi dhe protestat e studentëve janë duke ia prishur “kolltukun”, Aleksandër Vuçiqit.

Por, ky i fundit ka deklaruar se nuk do të largohet dhe se ai nuk është Asadi.

“Edhe nëse mendoni se unë jam Asadi, kështu që nuk do të ik diku – NUK JAM”, deklaroi Vuçiq.

“Jam gjallë, gjithë jetën kam jetuar këtu në Serbi, i jam falënderues Serbisë sime, do të qëndroj këtu, ky është vendi im ku do të përfundoj. Do të luftoj për Serbinë dhe do t’i shërbej popullit serb dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të Serbisë, asnjëherë të huajve, asnjëherë atyre që duan ta mposhtin, poshtërojnë dhe shkatërrojnë Serbinë”, shkroi Vuçiqi në profilin e tij në Instagram.

Vuçiq paralajmëroi se Serbia është nën presion nga anët e ndryshme dhe se po mundohen ta rrëzojnë me të gjitha mjetet e mundshme hibride.

A mund ta ketë Vuçiq fatin e Assadit?

Rreth kësaj çështjeje ka folur njohësi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi dhe publicisti Fadil Lepaja në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Lepaja thotë se Vuçiq grindet me opozitën serbe dhe përpiqet ta bindë atë se nuk ka frikë.

Por, nëse krahasohet Serbia me Sirinë atëherë ka mjaftueshëm dallime.

“Presidenti serb me statuse grindet me opozitën serbe dhe përpiqet ta bindë se nuk e ka frikë. Ai dhe Serbia në njërën anë dhe populli në tjetrën. Rezultati dihet.

Nëse e krahasojmë pak Serbinë me Sirinë. Serbia është në Evropë dhe do të jetë në Evro-Azi, ndërkohë që Siria është në Azi por qartazi do të jetë në Evropë, pasi pjesa më e madhe e popullit ja ka mësy këndej, duke ikur nga shteti/parajsa që u ofrohet nga ushtritë e shumta të zotit, apo të djallit, sido që ta marrësh.

Pastaj ka dallime të tjera Serbia nga Siria. Serbia nuk ka baza ruse, as detare, as aeroporte, sepse Serbia nuk ka det. Aeroplanmbajtëset e mëdha nuk hyjnë dot në Danub. Kishte ca debate në qendrën e Ministrisë ruse për Menaxhimin e Emergjencave, në Nish. Është bazë, nuk është bazë, është qendër spiunazhi, apo nuk është? Pra, ka ngjashmëri, ka edhe dallime. Pavarësisht zhvillimeve, në Siri, me shumë gjasë, Presidenti serb do ta mbajë mirë edhe me udhëheqjen e re siriane”, shprehet Lepaja.

Image
Fadil Lepaja

Ai thotë se Vuçiq nuk tërhiqet lehtë dhe do të qëndrojë me këmbëngulje.

“Vuçiç nuk do të tërhiqet lehtë. Ai do të qëndrojë me këmbëngulje para protestuesve, para parlamentarëve, para gjithkujt, duke trimëruar veten se ka popullin prapa, kështu do qëndrojë derisa të mundet edhe pse siç e tha edhe vet, “ndoshta jo aq gjatë sa herën e kaluar”. Serbia edhe mund të përfundojë si Siria, nëse Presidenti serb nuk reflekton”, përfundon Lepaja.

Për situatën në Serbi ka shkruar edhe e përditshmja berlineze Tageszeitung, me autor të artikullit, Andrej Ivanji.

Ai ka shkruar se demonstratat në Beograd po zhvillohen me moton “15 minuta për 15 viktima”, gjatë të cilave u ndërpre qarkullimi. Gjatë njërës prej këtyre aksioneve, disa studentë të Fakultetit të Arteve Dramatike u rrahën nga persona të njohur si anëtarë të SNS, partisë qeverisëse. Si reagim, studentët bllokuan fakultetin e tyre dhe kërkuan arrestimin e sulmuesve. Më pas, bllokada u zgjerua në fakultete të tjera, duke sjellë edhe kërkesa të reja.

Situata ngjan me protestat studentore në Serbi të viteve 1996/1997, që çuan në rënien e Slobodan Millosheviçit, shkruan Ivanji. Ai thekson se mbi një mijë profesorë dhe shkencëtarë kanë nënshkruar një peticion në mbështetje të studentëve, të cilët po mbështeten gjithashtu nga shumë aktorë dhe punonjës të arsimit, ndërsa paralelisht edhe fermerët kanë organizuar protesta sociale.

“Për herë të parë, duket se Aleksandar Vuçiq nuk di çfarë të bëjë”, përfundon Andrej Ivanji në artikullin e tij për Tageszeitung

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat