Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, i dhanë fund një raundi të ri bisedimesh, pa ndonjë përpaim përveç, siç tha kryengeociatori serb, pajtimit për zbatimin e deklaratës mbi personat e zhdukur, që ishte pjesë e marrëveshjes së arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Në maj të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës u zotuan për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të rreth një mijë e 600 personave për të cilët nuk dihet asgjë 25 vjet pas luftës.
Në deklaratë thuhet se palët do të “bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e vendvarrezva dhe të angazhohen në gërmimin e tyre, të sigurojnë qasje të plotë në informata të besueshme e të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore nga një janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000”.
E në lidhje me korrektsinë dhe gatishmërinë që Serbia mund të ketë në lidhje me këtë zbatueshmëri duke marrë parasysh që e njejta nuk ka zbatuar asnjë marrëveshje, për “Bota sot”, ka folur deputeti Agon Batusha.
Ai thotë se Serbia ka kohë që dakordohet dhe bënë zotime për zbatim të marrëveshjeve mirëpo gjen gjithmonë arsyje për moszbatimin e saj.
“Serbia të njejtat zotime dhe deklarata ka dhënë që nga fillimi apo më saktë që nga dakordimi i kësaj marrëveshje. Por, përherë dhe gjithmonë tenton të gjej arsye për ta shmangur zbatimin e saj”, u shpreh ai.
Më tej, deputeti thekson që BE duhet të jetë më vigjilente dhe e përkushtuar që të shtyhet përpara zbatimit të kësaj marrëveshje.
“Presim nga BE-ja që të jetë më vigjilente dhe më e përkushtuar në shtytjen përpara të zbatimit të kësaj marrëveshje, e cila është edhe çështje e ndjeshme për Kosovën, plagë ende e hapur për familjet, por është e rëndësishme për ecjen tutje në proceset e ardhshme”, përfundoi Batusha për “Bota sot”.
Kujtojmë që Ministrat e Bashkimit Evropian në një tekst me përfundimet mbi procesin e zgjerimit që e miratuan të martën u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, duke theksuar se ky është kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në bllok.
Nga Kosova kërkohet që të nisë pa vonesa themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq nga Serbia që të njoh dokumentet dhe simbolet e Kosovës. Këto kërkesa janë pjesë e marrëveshjes së aritur vitin e kaluar zbatimi i së cilës, me gjithë trysninë perëndimore, deri tani ka ngecur.