Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, kanë vendosur t’i lënë me një anë hatër mbetjet dhe të takohen për mbledhje të përbashkët.
Më 20 dhjetor në Prishtinë, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Të pranishëm do të jenë kryeministrat e të dy vendeve, Albin Kurti dhe Edi Rama, ndërsa mbledhja pritet të nisë në orën 11:00 në sallën e seancave plenare.
Pritet që të pranishëm në këtë mbledhje të jenë në total 130 deputetë, 70 prej tyre do të jenë nga Parlamenti i Kosovës dhe 60 të tjerë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sa i përket agjendës, parashikohet që pas himneve të të dyja vendeve, mbledhja të nisë me fjalën e kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe pas tij do të flasë kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Mbledhja e përbashkët do të përmbyllet me një fjalim të Albin Kurtit dhe Edi Ramës.
Gjersa kanë mbetur pak deri në mbajtjen e mbledhjes, analisti shqiptar nga Presheva, Refik Hasani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka kërkuar që në këtë mbledhje të miratohet rezoluta mbi diskriminimin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Sipas Hasanit, kjo mbledhje duhet të ngrit dhe të mbrojë gjithë hapësirën shqiptare jashtë kufijve të administratës Kosovë dhe Shqipëri.
“Mbledhja e përbashkët e Parlamentit të Kosovës dhe Shqipërisë, do të duhej të miratojnë rezolutë mbi diskriminimin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Është paralajmëruar se Parlamenti i Shqipërisë dhe i Kosovës, do të mblidhen në një seancë të përbashkët me 20 dhjetor të këtij muaji në sallën e seancave plenare të Parlamentit të Kosovës. Kjo është mbledhja e përbashkët e dytë mes dy parlamenteve, të cilët për herë të parë u mblodhën në një takim historik më 27 nëntor 2022 në Kuvendin e Shqipërisë.
Kjo mbledhje e përbashkët do të duhej të ngrisin dhe mbrojnë gjithë hapësirën shqiptare jashtë kufijve administrativë të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe diasporës duke përfshi edhe Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc. Dy Parlamentet, të diskutojnë përmes një pike të rendit të punës dhe do të duhej të miratojnë rezolutë mbi spastrimin etnik-diskriminimin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc përmes pasivizimit të adresave”, shprehet Hasani.
Ai thotë se angazhimi intenziv i përbashkët do të sjellë hapa konkret përmes bashkëpunimit të thellë, të përafërt, zgjerim e shumëfishim bashkëpunimi miqësor e vëllazëror.
Sipas Hasanit, legjislativët duhet të afrojnë edhe në fusha tjera shqiptarët.
“Është momenti të themelojnë e funksionalizojnë një Komision Parlamentar mikst për shqiptarët jashtë kufijve administrativë të Kosovës dhe Shqipërisë, ku angazhimi intenziv i përbashkët do të sjell hapa konkret përmes bashkëpunimin të thellë, të përafërt, zgjerim e shumëfishim bashkëpunimi miqësor e vëllazëror, por edhe binjakëzim i komunave duke përcaktuar prioritete në interes jo vetëm të këtyre dy shteteve, por gjithë shqiptarëve në hapësira shqiptare dhe diasporë do të sjellë rezultate konkrete. Dy legjislativet do të duhej të afrojnë për mbrojtjes, kërkime shkencore, kulturës, medias, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. Në caktimin e bashkëpunimit, në mbështetje të veprimtarive prodhuese e sipërmarrjes private, administratës publike, bujqësisë e zhvillimit rural, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe transportit, energjisë, qeverisjes vendore, etj. ”, thekson analisti.
Do tē duhej të ngrisin funksionalizojnë një sekretari të përhershme e të përbashkët që do të jetë me detyra e aktivitete edhe në interes të shqiptarëve jashtë këtyre dy shteteve dhe për diasporën.
Dy Parlamentet, do të duhej trajtuar diskriminimin, pasivizimin dhe pastrimin etnik, të mbështesin formimin e Universitetit në gjuhën Shqipe, rregullimi me Ligj përdorimin i Simbolit tonë Kombëtarë shqiptarë dhe përfaqësimi proporcional në instanca dhe mekanizma të nivelit lokal dhe Qendror.
Krahina Shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë që përfshin Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc kanë mbajtur dhe organizuar Referendumin e datës 1 e 2 mars 1992, por edhe pasi kanë zhvilluar dhe një kryengritje të armatosur luftën nga UÇPMB-ja dhe mbajtur nën garancion ushtarak dhe civil nga faktori ndërkombëtarë Marrëveshjen e Konçulit. Dy Parlamentet, të adresojnë diskriminimin në mekanizma të BE-ës dhe instancave më të lartë të OKB-ës. Shqiptarët shumicë në Krahinën, e vetmja shpresë është në Parlamentin e Kosovës dhe Shqipërisë”, përfundon Hasani.