A është lista e LDK-së për deputetë oferta më e mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit?

Politika

A është lista e LDK-së për deputetë oferta më e mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit?

Petrtit Rudi Nga Petrtit Rudi Më 18 dhjetor 2024 Në ora: 16:01
Foto ilustrim, fushata e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në KQZ listën me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.

Në krye të listës padyshim që gjendet kreu i saj dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, i cili tash e sa kohë ka filluar një turne nëpër komuna të Kosovës, ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë. E sipas analistëve dhe zyrtarëve të LDK-së, lista e LDK për zgjedhjet e 9 shkurtit, pa dyshim që është më kualitativja dhe do të dal fituese.

Së paku kështu pret deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj.

Image
Armend Zemaj

“Lista e LDK-së është shumë kualitative, në përbërje të profesionistëve të dalluar nga të gjitha fushat e qeverisjes, prej atyre me përvojë të gjatë politike e deri te figurat e reja, me bagazh të pastër kombëtarë. Normalisht, këto dhe shumë elemente tjera e bëjnë listën e LDK-së fituese të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit”, thotë deputeti Armend Zemaj për “Bota sot”.

Lista e LDK-së, oferta më e mirë për qytetarët

Kurse analisti politik, Nexhat Haziri, listën e LDK-së e sheh si ofertën më të mirë për qytetarët e Kosovës.

“Është një listë përfaqësuese me njerëz kredibil, profesionist të fushave të ndryshme që garanton një përfaqësim të denjët të interesit të qytetarëve dhe një ekip që premton realizimin e ofertës së vet LDK-së përmes programit të tyre qeverisës të bërë publik tash e një vit”, shprehet Haziri.

Sipas tij, në listën e LDK-së nuk gjendet asnjë kandidat me të kaluar të dyshimtë kriminale.

Image
Nexhat Haziri

“Po ashtu kjo listë ka një përparësi në raport me listat e tjera të subjekteve politike edhe për shkak se nuk shohim persona të dyshuar apo nen hetim nga institucionet e drejtësisë për afera korruptive. Pra është një listë që premton me njerëz për të cilët sot ka nevojë shteti ynë që të jenë drejtues të institucioneve të shtetërore dhe për ta nxjerr vendin nga ky ngërç që është prezent në të gjitha fushat e jetës, qoftë në aspektin politik, diplomatik, ekonomik, shëndetësor, arsimor e të tjera”, nënvizon Haziri.

Siç thotë ai, LDK ka ofruar kuadrot më të mira dhe më premtuese për vendin.

“Se a është listë fituese, këtë do ta vendos qytetarët me 9 shkurt, por që është një nga listat me premtuese dhe më e përgatitur për t'i dhënë zgjedhje problemeve të shumta dhe për ta kthyer shpresën në këtë vend dhe për këtë vend , unë nuk kam dyshim. Por gjithashtu kjo do të varët edhe nga mënyra e lidershipit të LDK së dhe ekipit të kampanjës  zgjedhore për ta ofertuar votuesin me programin e tyre”, përfundon Nexhat Haziri për “Bota sot”.

E kaluara e LDK-së

Por ndryshe nga Haziri mendon analisti Skënder Zogaj, sipas të cilit, LDK nuk mësoi nga gabimet e së kaluarës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nga koha e dështimeve të mëdha në zgjedhjet e kaluara, është dashur që nga mësimet të mësojë më shumë dhe të përgatitet që t'i evitojë dobësitë, e jo që t'i thellojë dhe më shumë. Isa Mustafa pat premtuar por nuk arriti të bënte reformën e premtuar! As pas tij kjo nuk ndodhi dhe partia më demokratike e Kosovës po përjeton një letargji të dhimbshme, që nuk ka asnjë arsye pse ka ndodhur, po të ishte ndjekur përvoja thelbësore e LDK-së burimore, që është vota e lirë dhe demokratike e anëtarësisë së gjerë, që nga aktivi e deri te Kryesia Qendrore! Vota e lirë si bazë për krijimin e të gjitha hallkave strukturore, nga njësia më e vogël partiake”, shprehet Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Ai thotë se kjo mund t’i kushtojë rëndë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Kjo nuk ka ndodhur dhe kjo ka me i kushtuar rëndë LDK-s, sepse ka cenuar profesionalizmin dhe meritokracinë e devotshme partiake, duke menduar se mund të  zëvendësohet me "luleshtrydhe" të seleksionua nëpër koluare jo fort të përshtatshme për LDK e Rugovë. Kjo ka bërë  që partia të vërshohet nga një numër jo i vogël përfaqësuesish të mos jenë ata që i duhen dhe që i meriton LDK-ja. Për më tepër nuk janë pak as ata me prirje të theksuara anti-ldk-iste!”, thekson Zogaj.

“Në listën aktuale janë rreth 17-20 kandidatë të denjë për të hy në Kuvendin e Kosovës. Pjesa tjetër janë "të talentuarit" e rinj nga kultura, sporti dhe OJQ-t, dhe aspak nuk janë ata që do të duhej të faktorizohen në politikë, kohën dhe rrethanat jetike për LDK-në si shpresa e ardhmërisë së Kosovës! Hulumtimet e mia prej militanti ekstrem i LDK-së, tregojnë se, 80 përqind e të kandiduarve janë të  emëruar privatisht e jo përfaqësime të anëtarësisë brenda strukturave partiake! Pra, e gjithë kjo është absolutisht e gabuar dhe padyshim jo e paqëllimtë!”, shprehet Zogaj, sipas të cilit, në këtë mënyrë është dëmtuar keq LDK-ja.

“Kush qëndron prapa kësaj nuk e di, por e di saktë se, me këtë lloj punë, është dëmtuar shumë LDK në kohën më të volitshme për ta evituar krizën e demokracisë në Kosovë, që LDK është dashur ta ketë parasysh! Anëtarësia e LDK-së nuk e ka aspak lehtë, por them se do të jetë e vetëdijshme dhe masivisht do ta votojë LDK-në, duke zgjedhur kandidatët e merituar dhe të denjë për Parlamentin, (që nuk mungojnë) dhe jo pendlat ilustrative! Dua të shpresoj se me numrin maksimal të elektoratit të LDK-së do të arrihet rezultati me shifra historike të cilësisë së fituesve dhe kjo do të ishte një mrekulli e kulturës politike që i ka hije LDK! Kështu nderohet LDK-ja dhe kështu i kontribuohet Kosovës!”, përfundon Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat