Eksperti jep alarmin: Siguria në Ballkan varet nga ky shtet, ja çka ndodhë nëse Trump ndryshon qëndrimin ndaj Ukrainës

Politika

Eksperti jep alarmin: Siguria në Ballkan varet nga ky shtet, ja çka ndodhë nëse Trump ndryshon qëndrimin ndaj Ukrainës

Nga: P.R Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 17:18
Presidenti Donald Trump

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se presidenti në ardhje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nuk duhet ta ndryshojë qasjen ndaj luftës në Ukrainë, pasi një gjë e tillë do të kishte ndikim edhe në rajonin e Ballkanit.

“Nëse Donald Trump do të ndryshojë qasjen e SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë, kjo do të kishte pasoja të ndjeshme për konfliktin dhe sigurinë ndërkombëtare, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit. Sepse duhet të paraqesim qasjen e Trump ndaj luftës në Ukrainë është si në vijim: Trump ka shprehur në të kaluarën skepticizëm për mbështetjen e SHBA-së ndaj Ukrainës dhe aleancave tradicionale si NATO. Ai ka sugjeruar se do të përpiqej të ndërmjetësonte një marrëveshje paqeje, duke përfshirë edhe lëshime territoriale nga Ukraina ndaj Rusisë. Kjo qasje mund të dobësojë pozitën e Ukrainës dhe të forcojë ndikimin e Rusisë në rajon”, shprehet Shala.

Por cilat do të ishin pasojat për sigurinë në Ballkan sipas Shalës?

Image
Drizan Shala

“Dobësimi i NATO-s dhe ndikimi rus në rajon: Nëse SHBA tërhiqet nga mbështetja e Ukrainës ose dobëson angazhimin ndaj NATO-s, kjo do të krijonte një vakum të fuqisë që Rusia mund ta shfrytëzojë për të rritur ndikimin e saj në Ballkan. Serbia, një aleate tradicionale e Rusisë, mund të forcojë pozitat e saj, duke krijuar tensione me vendet si Kosova dhe Bosnja. Rritja e pasigurisë në Evropë: Një përfundim i favorshëm për Rusinë në Ukrainë do të inkurajonte sjelljen agresive të saj në vende të tjera, përfshirë Ballkanin. Kjo do të ndikonte në stabilitetin e vendeve me tensione të brendshme, si Bosnja dhe Hercegovina apo Mali i Zi. Dobësimi i mbështetjes amerikane për Ballkanin: Nëse SHBA fokusohet më pak te Evropa Lindore dhe Ballkani, vendet e rajonit mund të ndihen më pak të mbrojtura. Kjo mund të inkurajojë ndikimin e Kinës dhe Rusisë në ekonomitë dhe politikat e tyre”, shpjegon eksperti Shala.

Më tej, Shala tregon edhe mënyrat se si do të ndikohej kjo në Ballkanin Perëndimor.

“Presioni ndërkombëtar mbi dialogun Kosovë-Serbi mund të dobësohet, duke i lënë rrugë më të lirë ndikimit rus në Serbi. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, nacionalistët serbë mund të ndihen më të fuqizuar në ambiciet e tyre për shkëputje, duke rritur tensionet, NATO në Ballkan - anëtarësimi i vendeve si Bosnja dhe Kosovës mund të ndërlikohet më tej nga zhvillimet që mund të jene në shtet tjera që Serbia ka synimin t’i largojë nga NATO përmes politikës se brendshme në rajon në ato shtete ( Mali i Zi , Maqedoni e Veriut)”, thekson Shala..

Për fund, Shala deklaron se stabiliteti në Ukrainë lidhet ngushtë me sigurinë e Ballkanit dhe të Evropës.

“Pra si përfundim mund të them që një qasje më pak mbështetëse nga ana e SHBA-së në luftën e Ukrainës dhe ndaj Evropës në përgjithësi mund të dobësojë stabilitetin e Ballkanit. Kjo do të krijonte një mjedis më të paqëndrueshëm, ku aktorë si Rusia dhe Kina mund të shfrytëzojnë situatën për të zgjeruar ndikimin e tyre. Për këtë arsye, stabiliteti në Ukrainë lidhet ngushtë me sigurinë e Ballkanit dhe të Evropës”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat