Serbisë nuk i besohet! Një dakordim nën hijen e sulmeve terroriste dhe mosndëshkimit - akuzohet BE-ja

Politika

Serbisë nuk i besohet! Një dakordim nën hijen e sulmeve terroriste dhe mosndëshkimit - akuzohet BE-ja

Nga: M.L. Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

Dje (e martë 17 dhjetor) Kosova e Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.

Palët ranë dakord në Bruksel për themelimin e një Komisioni të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e kësaj deklarate sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2023.

Ndër zotimet në këtë deklaratë janë qasja në informacione të besueshme, përfshirë edhe atyre me status të kualifikuar dhe vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.

Por, në Kosovë nuk po i besohet edhe aq Serbisë se do ta zbatojë marrëveshjen e arritur dje në Bruksel.

Kjo për shkak të veprimeve të vazhdueshme kriminale dhe sjelljes kërcënuese e destrtuktive të saj ndaj shtetit tonë.

Në një deklaratë për gazetën “Bota sot”, juristi Muhamet Kelmendi ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për vazhdimin e politikave përkëdhelëse ndaj Serbisë, duke e akuzuar se ky shtet po shkel marrëveshjet dhe po ndërmerr akte terroriste kundër Kosovës pa u ndëshkuar.

Sipas tij, Serbia po luan dyfishtë, duke paraqitur një imazh demokratik përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Rusinë dhe të ndërmarrë veprime agresive ndaj Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

Serbia de facto po luan me Bashkimin Evropian dhe me SHBA-të.

Ajo po paraqitet ndaj tyre si demokratike, ndërkohë që bashkëpunon ngushtë me Rusinë dhe ndërmerr akte terroriste ndaj Kosovës.

Krijon gjendje terroriste.

Serbia asnjë marrëveshje nuk e ka zbatuar.

Përkundrazi!

Është Serbia që ka ndërmarrë akte terroriste ndaj Kosovës dhe po vepron në drejtim të zhbërjes dhe të zhdukjes së Republikës së Kosovës me masa dhune, terroriste etj. Por, në këtë gjendje, që e ka krijuar Serbia, nga BE ky shtet nuk u dënua. Asnjë masë ndëshkuese ekonomike apo politiko-juridike nuk u caktua”, theksoi juristi.

Kelmendi tha se Bashkimi Evropian doli përsëri pa ndëshkim ndaj shtetit serb, ani pse me fjalë u gjykuan aktet terroriste në Banjskë dhe në kanalin Iber-Lepenc, por nuk u dhanë masa ndëshkuese.

“Mjaftoi vetëm, gjoja, qortimi.

Ndërsa Kosovës iu kërkua Asociacioni dhe u tha se gradualisht do të hiqen masat ndëshkuese”, shtoi ai.

Prandaj, juristi tha që marrëveshja për personat e zhdukur që u bë në Bruksel është vetëm një maskim i dështimit të vazhdueshëm të BE-së.

Zaten nga forcat pro-serbe, si Lajçak e Borel, nuk priteshin masa tjera. Tash kemi forca të reja dhe përsëri po vazhdohet me kohën e vjetër, me Asociacion dhe me përkëdhelje të shtetit serb.

Kjo nuk siguron paqe.

Veprimet e tilla të BE-së ndaj Serbisë vetëm e nxisin terroristët serbë dhe kryeterroristin Vuçiq për të bërë aksione tjera kriminale dhe terroriste”, u shpreh ai duke theksuar se mos dënimi i Serbisë e nxit terrorin serb dhe edhe aktet luftarake në këtë anë të Evropës.

“BE kërkohet të ndëshkojë shtetin serb. Nuk duhet kërkuar veprime të njëanshme nga Prishtina pa njohje reciproke de jure të shtetit të Kosovës. Inkuadrimi i Serbisë nga Brukseli e në vende të tjera duhet të marrë fund. Me atë politikë ngrihet dhuna dhe terrori racist serb.

Paqja kërkon masa të rënda ndëshkuese ndaj kriminelëve dhe terroristëve. Serbia duhet të dënohet.

Rrugë të mesme nuk ka”, u shpreh Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat