Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një rëndësi të madhe për Kosovën.
Si një shtet mik dhe aleat i fortë i yni, që ka ndihmuar në shtetndërtimin dhe çlirimin e vendit tonë, natyrisht që raportet me të, zënë një vend dhe rëndësishëm për ne.
Ndër vite, kanë shërbyer diplomatë të ndryshëm amerikan në Kosovë, e së fundi në krye të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ishte Jeffrey Hovenier.
Ky i fundit, ditë më parë njoftoi largimin e tij nga detyra pas periudhës së gjatë të shërbimit në Kosovë.
Hovenier tregoi madje se edhe do pensionohet me përfundimin e misionit të tij diplomatik në Prishtinë, pas një karriere të suksesshme, ku siç tha, SHBA kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve me Kosovën që të avancohet në ato që ka arritur si shtet.
“Do të dal në pension pas 34 vitesh e shtatë muajsh, në fund të dhjetorit”, deklaroi ai.
Ai ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin që kishte gjatë këtyre viteve, por edhe ndaj administratës Biden për mundësinë e dhënë.
Duke parë zhvillime, tensionet dhe dinamikat e shumta në vendin tonë, si rrjedhojë e raporteve me Serbinë, Hovenier nuk ka pasur punë të lehtë.
Analistët për “Bota sot” folën mbi mandatin e Hovenier në Kosovë, largimin e tij, si dhe për atë se çka e pret pasardhësinë e tij.
Shabani: Hovenier, po lë pas një karriere të suksesshme diplomatike
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani në një prononcim për “Bota sot” foli mbi këtë çështje.
Së pari, ai karrierën e Hovenier e cilësoi si të suksesshme, ku veçanërisht theksoi kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA.
“Hovenier, pas një karriere të suksesshme diplomatike, duket se angazhimin e tij të fundit në këtë sferë po e përfundon në Kosovë, ku si ambasador amerikan ka kontribuar mjaftë në forcimin e marrëdhënieve me Kosovën që të avancohet në ato që ka arritur si shtet.
Ai me mekanizmat e tij është përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë, pavarësisht agresioneve të ndryshme që kanë ngjarë nga Serbia, pasiqë referencë e paqebërësve në Kosovë dhe rajon jënë SHBA-të”, nënvizoi ai.
Po ashtu, potencoi se pasardhësinë e tij, më saktë ambasadorin e ri amerikan e prej një punë dinamike, ku shpreson që i njëjti t’i njeh mirë rrethanat e Kosovës.
“Pasardhësin e tij e pret punë dinamike dhe qasje e menjëhershme drejt vazhdimësisë së proceseve për integrimin e Kosovës, i cili duhet t'i njeh rrethanat dhe ta konsiderojë Kosovën si një ndër partnerët kyq në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.
Halimi: Besoj shumë që shërbimi i tij në Kosovë, do të lë gjurmë pozitiv
Kurse, njohësi i çështjeve politike, Jeton Halimi potencoi se Hovenier ka bërë punë shumë të mirë në Kosovë, ku angazhimi i tij ka pasur efekte pozitive në sigurinë e shtetit tonë.
“Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka shërbyer në Kosovë dhe ka bërë një punë shumë të mirë, kolosale. Ai iu ka ndihmu institucioneve të Kosovës, siç ishte rasti Banjskës që ishte një sulm terrorist, po ashtu edhe në sulmin e dytë, atë në kanalin e Ibër Lepencit. Angazhimi i ambasadorit Hovenier ka pasur efekte pozitive për sigurinë e vendit ton”.
Krahas kësaj, Halimi në prononcimin e tij për “Bota sot” theksoi përkushtimin që kishte ambasadori amerikan për ta ndihmuar Kosovën në realizimin e qëllimeve të saj.
“Besoj shumë që shërbimi i tij në Kosovë, do të lë gjurmë pozitiv, si ambasador i një shteti mik, siç është SHBA. Ai ka dhënë ndihmën e tij që edhe tani i jep në pafundësi Kosovës, për me arritur qëllimet e saj, siç janë synimet në BE dhe NATO”, theksoi ai.
Në fund, u shpreh falënderues ndaj Hovenierit për gjithë punën që ka bërë, duke thënë se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës.
“Shërbimi i ambasadorit z.Hovenier në Prishtinë do të jetë i fundit si një diplomat karriere i SHBA-së, do ta përmbyll karrierën e tij si ambasador tek një shtet i vuajtur shumë nga regjimi Serbisë-Millosheviçit. Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës dhe falënderues këtij ambasadori dhe SHBA-së, për kalimin e të gjitha sfidave e vështirësive që e kanë përcjell Kosovë gjatë gjithë kohës”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.