Kërkesat e BE-së/ Analistët: Ndërkombëtarët duhet të shtojnë presionin mbi Serbinë dhe Kosova të vazhdojë…!

Politika

Kërkesat e BE-së/ Analistët: Ndërkombëtarët duhet të shtojnë presionin mbi Serbinë dhe Kosova të vazhdojë…!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 dhjetor 2024 Në ora: 17:01
Petar Petkoviq, Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

Të martën u zhvillua takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç, në Bruksel.

Ata i dhanë fund një raundi të ri bisedimesh, pa ndonjë përparim përveç, siç tha kryengeociatori serb, pajtimit për zbatimin e deklaratës mbi personat e zhdukur, që ishte pjesë e marrëveshjes së arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Në maj të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës u zotuan për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të rreth një mijë e 600 personave për të cilët nuk dihet asgjë 25 vjet pas luftës.

Në deklaratë thuhet se palët do të “bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e vendvarrezva dhe të angazhohen në gërmimin e tyre, të sigurojnë qasje të plotë në informata të besueshme e të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore nga një janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000”.

E në lidhje me këtë takim gjatë ditës së mërkurë është deklaruar edhe emisari, Miroslav Lajçak.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me përfaqësuesin e Kosovës Besnik Bislimi dhe me atë të Serbisë Petar Petkoviq ka treguar për temat që kanë diskutuar.

Lajçak përmes një postimi në X është tha se është i lumtur për dakordimin për komisionin e përbashkët për të zhdukurit, derisa ka përmendur se normalizimi i raporteve do të thotë integrim në BE dhe se nuk ka shkëputje mes të dyjave.

Emisari Lajçak shtoi se janë disa kërkesa që duhet të bëhen për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit, sipas konkluzave të Këshillit Evropian të vitit 2024.

“Depërshkallëzimi, përgjegjësia për sulmet e 2023-s, riintegrimi i serbëve të Kosovës, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”, janë disa temat që ka renditur Lajçak në X.

Mirëpo sa zbatueshmëri do të gjejnë këto kërkesa që të implementohet marrëveshja?

Gashi: Kosova ka nevojë për qetësi dhe stabilitet për të avancuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian

Image
Eduard Gashi.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Eduard Gashi.

Ai thotë se presioni ndërkombëtar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është mjaftë prezent.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për stabilitet për të vazhduar rrugën drejt integrimit evropian, ndërsa Serbia të ndalojë veprimet destabilizuese.

“Pas takimit të fundit në Bruksel dhe deklaratave të emisarit Lajçak, bëhet e qartë se presioni ndërkombëtar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është intensifikuar. Në vijim, po shtjelloj disa pika kyçe që mendoj se janë relevante për këtë proces:

Depërshkallëzimi dhe përgjegjësia për incidentet e 2023-s

“Kosova ka nevojë për qetësi dhe stabilitet për të avancuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Megjithatë, për ta arritur këtë, Serbia duhet të ndalojë veprimet destabilizuese dhe të mbajë përgjegjësi për sulmet e dhunshme që kanë sfiduar integritetin territorial të Kosovës. Ky është një hap i rëndësishëm për ndërtimin e besimit midis palëve”, u shpreh ai.

Analisti më tej, përmend përfshirjen e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, mirëpo që Serbia gjithmonë e ka ndaluar këtë gjë.

Ndërsa për Asociacion ai thotë që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Riintegrimi i serbëve të Kosovës

“Kosova ka bërë përpjekje konkrete për të përfshirë komunitetin serb në institucionet e saj, por ndikimi politik dhe financiar i Serbisë ka qenë një pengesë e vazhdueshme. Integrimi i këtij komuniteti duhet të realizohet me kujdes, duke ruajtur sovranitetin dhe funksionalitetin shtetëror të Kosovës.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Kjo mbetet çështja më e ndjeshme. Çdo iniciativë për themelimin e këtij asociacioni duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejojë krijimin e strukturave paralele që mund të minojnë sovranitetin shtetëror. Kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet të kapërcehet”, shpjegon analisti.

Gashi tutje vazhdon bisedën duke thënë që ndërkombëtarët duhet të veprojnë ndaj Serbisë që e njëjta të i dokumentet dhe simbolet e Kosovës.

“Njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës

Mosnjohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës nga Serbia është një diskriminim që pengon lëvizjen e lirë dhe shkakton vështirësi praktike për qytetarët. BE dhe SHBA duhet të shtojnë presionin mbi Serbinë për ta adresuar këtë çështje, pasi ajo është një gur themeli për normalizimin e marrëdhënieve.

Rëndësia e angazhimit ndërkombëtar

Kosova duhet të ruajë partneritetin me faktorët ndërkombëtarë si garantues të marrëveshjes. Këta partnerë kanë një rol kyç në sigurimin që të gjitha palët, përfshirë Serbinë, t’i përmbahen detyrimeve që kanë marrë. Bashkëpunimi konstruktiv me ta do të jetë i rëndësishëm për të mbrojtur interesat kombëtare të Kosovës.

Nevoja për maturi dhe pragmatizëm

Në këtë proces, është e domosdoshme që Kosova të tregojë qasje të matur dhe të shmangë vendime të nxituara. Çdo hap duhet të jetë pjesë e një strategjie afatgjatë që forcon shtetësinë dhe siguron stabilitetin e brendshëm. Ndërkohë, komunikimi diplomatik duhet të jetë i qartë, i hapur dhe i fokusuar në rezultate konkrete, pa i lënë vend tensioneve të panevojshme”, foli ai.

Në fund, analisti thekson që marrëveshja e Ohrit do të funksionojë vetëm nëse respektohet reciprociteti dhe sovraniteti i Kosovës.

“Kosova duhet të mbetet konstruktive në këtë proces, por gjithashtu e vendosur në mbrojtjen e interesave të saj. Marrëveshja e Ohrit do të funksionojë vetëm nëse respektohet reciprociteti dhe sovraniteti i Kosovës. Në fund të ditës, është jetike që Kosova të ruajë qetësinë, të avancojë agjendën e saj shtetërore dhe të ruajë mbështetjen ndërkombëtare”, foli analisti Eduard Gashi për “Bota sot”.

Ahmeti: Çështja e dialogut është një problem i ndjeshëm

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që dialogu është një çështje e ndjeshme, mirëpo që kompromisi në të duhet të bëhet pa u dëmtuar substance e shtetësisë.

“Çështja e dialogut është një problem i ndjeshëm, pasi temat janë të ndjeshme dhe të rëndësisë si e veçantë në proceset e anëtarësimeve në mekanizmat ndërkombëtar. Dialogu është kompromis, por jo deri aty ku dëmtohet substanca e shtetësisë”, u shpreh ai.

Në fund analisti nënvizon që Kosova nuk duhet të pranoj kompromise të dëmshme për vendin dhe se integrimi i serbëve në jetën institucionale është një mundësi vetëm atëherë kur serbët nuk do të instrumentalizohen nga Serbia.

“Përfaqësuesit e Kosovës nuk duhet të vazhdojmë me kompromise, pasi “eksperimentet” janë të rrezikshme për të ardhmen dhe rrugën e Kosovës në konsolidimin e saj. Integrimi i serbëve në jetën institucionale është një mundësi vetëm atëherë kur serbët nuk do të instrumentalizohen nga Serbia”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat