Nesër, me datën 20 dhjetor, salla e seancave plenare e Kuvendit të Kosovës do të pres deputetët e Shqipërisë, të cilët do të bashkohen në mbledhjen e dy kuvendeve.
Të dy shtetet shqiptare kanë për synim agjendën e përbashkët evropiane.
Në këtë mbledhje do të marrin pjesë të gjithë drejtuesit grupeve parlamentare pozitë-opozitë të të dyja vendeve.
Nisja nga Tirana do të bëhet në mënyrë të organizuar me autobusë nga Kryesia e Kuvendit. Të pranishëm në këtë mbledhje, përveç dy kryetarëve të kuvendeve në Kosovës dhe Shqipërisë, do të jenë kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti, të cilët do të mbajnë nga një fjalim.
Kjo do të jetë hera e dytë e këtij formati, që bën bashkë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës, pas mbledhjes së parë që u zhvillua në Tiranë në nëntor të 2022.
Shpesh janë komentuar raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, kjo si shkak i marrëdhënieve të dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama.
Kësisoj, ka pritshmëri që kjo mbledhje do ndikojë në thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy shteteve.
Për këtë mbledhje folën njohësit e çështjeve politike, të cilët e mirëpriten mjaft mirë këtë nismë dhe mbledhje mes dy qeverive shqiptare.
Zogaj: Takim i mirë, madje shumë mirë, nëse kjo iniciativë më në fund ka qëllim serioz
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Skënder Zogaj.
Si fillim, ai u shpreh kritik ndaj qeverisë së Shqipërisë dhe injorimit që ia ka bërë institucioneve të Kosovës ndër vite.
“Fakti që kanë kaluar plotë 24 vjet nga koha e çlirimit të Kosovës dhe Shqipëria i ka injoruar institucionet e Kosovës, është një dëshmi e neglizhencës së planifikur me parandalim për të mos krijuar lidhjen bashkëvepruese ndërmjet dy pjesëve më të rëndësishme territoriale të shqiptarëve në hapësirën etnike! Kujt i ka konvenuar kjo dhe pse i ka konvenuar, është vështirë të dihet saktë, mirëpo, një gjë është e ditur: Kosova fuqishëm ka dëshiruar ndërlidhje sa më të plotë të Shqipërisë me Kosovën, por edhe me shqiptarët e trevave të tjera, që e kanë vetëm një qdndër gravitacioni - e kjo është Tirana, sepse përfaqëson pavarësinë 112 vjeçe dhe, interesi jetik historik i saj të bashkëpunoj me etnikumin e saj!”, deklaroi ai.
Po ashtu, Zogaj përmendi edhe bashkëpunimet që kanë pasur kuvendet shqiptare, por që tha se nuk kanë sjellë rezultate.
“Tentimet për bashkëpunim ndërmet dy kuvendeve nuk kanë munguar, por asgjë konkrete e rëndësishme nuk ka ndodh, dhe rezultat i kësaj është se: Shqipëria dhe Kosova nuk janë të integruara në BE! Dhe, kështu do të vazhdojë të jetë gjendja, derisa dy kuvendet dhe dy qeveritë shqiptare të mbajnë qëndrime përbuzëse ndaj njëta tjetrës!”.
Ndër të tjera, potencoi se mbledhje e së premtes është një ogur i mirë, pasi synim dy shtetet shqiptare kanë integrimin në BE.
Mirëpo, shpreson që kjo mbledhje nuk lidhet me faktin se shumë shpejt do mbahen zgjedhjet si në Shqipëri, ashtu dhe Kosovë.
“Paralamërimi se deputetët dy kuvendet, Kosovës dhe Shqipërisë do të ndodh të premten është ogur i mirë, sepse, siç bëhet e ditur dy kuvendet kanë synim agjendën e përbashkët evropiane!
Takim i mirë, madje shumë mirë, nëse kjo iniciativë më në fund ka qëllim serioz, e të mos jetë farsë elektorale, sepse jemi në kohën e paragjedhjeve dhe, përvojat e deritashme kanë treguar, se lufta për pushtet në Kosovë e në shqipëri nuk zgjedh as formë mjete, e kur të kalohet, të gjitha hidhen në harresë!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Qarri: Kuvendet e të dy vendeve tona, kanë ndërmarrë vërtetë një hap të domosdoshëm historik
Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri vlerësoi këtë mbledhje të dy qeverive shqiptare e cilësoi si një hap të domosdoshëm historik dhe nismë të mirëpritur vëllazërore, të cilët propozoi që ta kthejnë në një akt tradicional.
“Me seancën e të premtes, Kuvendet e të dy vendeve tona, me përfaqësuesit e vet, që janë edhe zëri i popullit, kanë ndërmarrë vërtetë një hap të domosdoshëm historik dhe nismë të mirëpritur vëllazërore e cila, nga 20 dhjetori i këtij viti, duhet të kthehet në akt tradicional dhe mision mbarëkombëtar, për bashkërendim të përhershëm dhe të pashkëputshëm, deri në unitet të plotë, shtetëror e kombëtar, ashtu siç edhe jemi një popull me një gjuhë, traditë dhe kulturë”.
Gjithashtu, Qarri në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se kjo iniciativë është një ogur shumë i mirë, për të gjithë shqiptarët dhe që duhet të kthehet në misionin e të ardhmes së përbashkët mbarëshqiptare.
“Kuvendi i Kosovës, ka nderin por dhe rastin ideal, të mirëpres përzemërsisht deputetët e Shqipërisë të cilët do t’iu bashkohen deputetëve të Kosovës, në mbledhjen e përbashkët në mes të dy kuvendeve, takim i cili do të hapet me fjalimet e të dy kryeparlamentarëve, kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeparlamentares së Shqipërisë, zonjës Elisa Spiropali.
Dhe derisa nga Kuvendi i Shqipërisë pritet të marrin pjesë rreth 60 deputet, në agjendën e këtij takimi, do të jetë adresimi i dy kryeminstrave kryeministri Kurti dhe kryeministrit Rama, dy kryetarëve të kuvendeve, dhe shefave të grupeve parlamentare, takim në të cilin parashihet të mbahet edhe një seancë e veçantë, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, gjë që ndodhë për herë të parë dhe është një ogur shumë i mirë, për të gjithë shqiptarët, akt që duhet të forcohet, intensifikohet dhe kthehet në misionin e të ardhmes së përbashkët mbarëshqiptare”, nënvizoi ai.
Tutje, analisti tha se pjesëmarrja e të gjitha partive politike do ishte një konfirmim që shqiptarët kanë synim agjendën evropiane.
“Seancë në të cilën përveç pritshmërisë për konfirmim edhe nga partitë tjera, shpresohet në pjesëmarrje e bashkërendim edhe të opozitës si dhe gatishmërinë dhe vullnetin e deputetëve opozitar, veçanërisht për votimin e përbashkët dhe unik të marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi që të dy vendet, qeveritë, partitë dhe deputetët e të dy Kuvendeve, me pjesëmarrjen fizike dhe votimin personal edhe konfirmojnë se të gjithë shqiptarët, kanë për synim, agjendën evropiane, takim që pritet të përmbyllet në mënyrë solemne dhe me diskutimet e të dy kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama”, shpjegoi Qarri.
Në fund, ai thotë se kjo nismë do e “thyej akullin” që u krijua mes dy qeverive, pas abstenimit të qeverisë Rama për takim me qeverinë Kurti, vitin e kaluar në Gjakovë.
“Në takimin ndërmjet të dy Kuvendeve më 20 dhjetor në Prishtinë, mendohet se do të marrin pjesë të paktën 130 deputet, nismë shumë e qëlluar, që do ta thyej edhe akullin e krijuar, tash e mbi një vit, nga abstenimi i Qeverisë së Edi Ramës, në takimin e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, vetëm një ditë, para se takimi i paraparë, për vitin e kaluar, të mbahej në Gjakovë, andaj përveç koordinimit të dy Kuvendeve, shpresojmë dhe presim me të drejtë që kjo nismë, të shndërrohet jo vetëm në një shtysë, por të kthehet në akt tradicional për bashkërendim të pandërprerë të të dy kuvendeve dhe koordinim të vazhdueshëm edhe ndërmjet të dy qeverive shqiptare, i cili duhet t’i paraprijë njësimit tonë dhe shndërrohet në shembull të përshpejtimit të unitetit të plotë kombëtar”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.