Listat e partive politike me kandidatët për deputetë tashmë janë bërë publike. Edhe kandidatët për të parin e qeverisë tashmë dihen. Partitë kanë treguar edhe koalicionet e tyre parazgjedhore, përpara se të dorëzonin listat e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërkaq për koalicione paszgjedhore partitë politike nuk kanë dhënë ndonjë ide se si do të vendosin, derisa të dihen rezultatet e zgjedhjeve.
Lidhur me këtë ҫështje deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, ka thënë se nuk beson që partia e saj ka nevojë për një koalicion paszgjedhor.
Deputetja Grainca thotë se duke u bazuar në mbështetjen që kanë marrë nga qytetarët deri më tai, LVV-ja vazhdon të jetë forca e parë në vend.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë tashmë një koalicion parazgjedhor me Alternativën dhe me subjektin Guxo, duke krijuar platformë të fuqishme dhe të bashkuar për të vijuar me qeverisjen tonë të mirë. Bazuar në mbështetjen që kemi parë nga qytetarët, duket se nuk do të ketë nevojë për ndonjë koalicion paszgjedhor, ashtu siç nuk pati nevojë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit me asnjë parti, siç për herë të parë në qeverisje nuk ishte as Lista Serbe. Ne besojmë se qytetarët do të vazhdojnë të na besojnë si forcën kryesore politike që garanton stabilitet, zhvillim dhe qeverisje të pastër”, vlerëson deputetja Grainca.