Këto kohë është shtuar presioni i ndërkombëtarëve që Kosova ta formojë me çdo kusht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ky presion vjen, si shumë herë të tjera në vitet e fundit, nga aleatët strategjikë të Kosovës: SHBA-të dhe Bashkimi Europian. Duket si një tentativë e qëllimshme.
Kështu shprehet profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, i cili thekson se ky presion po pason atë për hapjen e Urës së Ibrit.
“Në rastin e urës kemi thënë se qëllimi i aleatëve tanë strategjikë është të përcaktojnë me qartësi kufirin midis Serbisë dhe Kosovës. As idioti më i madh nuk mund ta pranojë se hapja dhe komunikimi përmes urave mund të përbëjë rrezik. Ata që dikur shkatërruan mure në fund të viteve 1990 dhe ndërtuan ura midis kombeve europiane, sot po veprojnë të kundërtën: po mbyllin ura dhe ndërtojnë mure midis Serbisë dhe Kosovës. Është një realitet i hidhur, por kjo është e vërteta”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, pas tërheqjes së Albin Kurtit nga vendimi për hapjen e urës, presioni po zhvendoset drejt krijimit të Asociacionit.
“Madje u tha se projektin do ta hartojnë europianët në Bruksel, ndërsa Kosova duhet vetëm ta zbatojë. Glauk Konjufca e ka sqaruar qartë dhe prerë: Bashkimi Europian nuk mund të formulojë draftin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Kjo është dhe duhet të mbetet përgjegjësi dhe ekskluzivitet i qeverisë së Kosovës. Ndërkaq, qeveria nuk ka lëvizur dhe nuk ka ndërmend të hartojë një statut për këtë Asociacion – dhe për mendimin tim nuk duhet ta bëjë. Nëse një projekt hartohet nga BE-ja, ai duhet të firmoset nga përfaqësues të institucioneve kushtetuese të Kosovës: presidentja, kryeministri, kryetari i parlamentit ose të tre së bashku. Ndryshe, Brukseli nuk ka tagër ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nëse ndonjë nga këta e firmos një projekt të tillë të hartuar në Bruksel, atëherë kjo përbën tradhti ndaj atdheut. Prandaj edhe po bëhet presion mbi institucionet kosovare”, potencon ai.
Megjithatë, profesori shton se presioni mbetet vetëm presion dhe nuk është fundi i botës.
“Nëse edhe aleatët më të ngushtë bëjnë presion për një akt antikombëtar dhe antishtetëror, nuk është hata e madhe t’u thuhet një ‘JO’ e madhe. Krijimi i Asociacionit, qoftë edhe si një organizatë joqeveritare, është po aq i rrezikshëm sa përpjekjet e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës për ndarjen e territorit të Kosovës. Automatikisht kjo do të nënkuptonte ndarjen e Kosovës. Pse do të ndodhte ndarja pas Asociacionit, pavarësisht formës së tij?”, pyet Bytyçi.
“Së pari, serbët do të kenë një elitë legjitime, përmes së cilës do të shpallnin fillimisht autonominë e më pas shkëputjen. Ata do të shfrytëzojnë Asociacionin për këtë qëllim, pavarësisht se çfarë do të përcaktohet në statut. Do të thonë se ‘Kosova nuk njihet si shtet nga Serbia, prandaj ne kemi të drejtë të vendosim nëse duam të qëndrojmë pjesë e sovranitetit të Kosovës.’ Kjo do të nisë një skenar të ngjashëm me lëvizjen e Donjeckut në Ukrainë. Skenari është i njëjtë: pasi rusët në lindje të Ukrainës fituan autonomi lokale, shpallën pavarësinë nga Ukraina. E njëjta gjë do të zbatohet në veri të Kosovës.”
“Së dyti, Serbia do të mbështesë serbët e veriut që të shkëputen nga sovraniteti i Kosovës, duke përdorur si argument Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të saj. Në këtë bazë, Beogradi do të insistojë që, të paktën, pjesa veriore e pasur e Kosovës t’i bashkohet Serbisë. Kjo do të bëjë që perëndimorët të thonë: ‘Epo, për të shmangur një konflikt të ri në Evropën Juglindore, le të marrë Serbia veriun e Kosovës.’ Pastaj do të propozojnë që zonat bujqësore të mbeten me Shqipërinë e rraskapitur nga varfëria dhe migrimi.”
“Së treti, Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje të njohjes de facto të territorit. Vuçiq jo rastësisht e kushtëzon zbatimin e saj me krijimin e Asociacionit. Jo rastësisht nuk e firmos dhe as nuk e ratifikon atë. Qëllimi është që, pasi të krijohet Asociacioni, të mund të përgatitet terreni për aneksimin e veriut të Kosovës,” thekson ai.
Bytyçi shton se aleatët perëndimorë po bëjnë përpjekje për të transferuar pasuritë e Kosovës te Serbia.
“Prandaj, liderët kryesorë të Kosovës duhet të jenë të bashkuar dhe të dërgojnë mesazhe të qarta në Uashington dhe Bruksel, se nuk do të pranojnë asnjë Asociacion pa njohjen e plotë juridike të Kosovës nga Serbia dhe pranimin e saj në OKB. Nëse këta liderë përçahen, gjithçka merr fund. Krijimi i Asociacionit do të thotë zhbërje e shtetit të Kosovës. Asnjë kompromis nuk duhet pranuar. Nëse aleatët këmbëngulin, qeveria e Kosovës duhet të hapë Urën e Ibrit si kundërpërgjigje,” përfundon profesori.