Haxhi Shala dhe Sabit Januzi, janë deklaruar fajtorë të mërkurën para Gjykatës Speciale në Hagë për akuzën e frikësimit të dëshmitarit dhe pengimit të drejtësisë.
Shala dhe Januzi bënë një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Specializuar, ku Shala u pajtua edhe për një dënim me burgim deri në tri vjet, ndërsa Jonuzi u pajtua me një dënim prej 24 deri në 30 muaj burgim.
E sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve në vend, Faton Mehmetit, Shala dhe Januzi nuk kishin asnjë rrugë tjetër, pos pranimit të fajësisë.
"Haxhi Shala dhe Sabit Januzi nuk kishin rrugë tjetër përveç pranimit pasi faktet ekzistojnë. Pas këshillimit nga avokatët e tij e pranojë fajësinë, ngase rrugë tjetër nuk kishte", thotë Mehmeti.
Sipas tij, Gjykata Speciale i posedon të gjitha faktet për personat të cilët punojnë për pengimin e drejtësisë.
"Një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë, çdo herë që është akuzuar dikush për pengim të drejtësisë, kërcënim dhe shantazhe ndaj dëshmitarëve ata janë dënuar pasi gjykata ka fakte. Bisedat dhe çdo gjë tjetër të atyre qe janë të arrestuar me njerëz tjetër përgjohen, këto janë fakte mbi të cilat gjykata vepron dhe pastaj dënon personat e përfshirë në raste të tilla", thekson Mehmeti.
Siç thotë Mehmeti, fajësinë e tij duhet ta pranojë edhe Hashim Thaçi.
"Edhe Thaçi bën më mirë të pranojë fajësinë pasi do të dënohet edhe më shumë, gjykata ka fakte e me pranimin e fajësisë vetëm sa i ulët dënimi. Ky duhet të jetë mesazh për të gjithë që të jenë të kujdesshëm, mos të mundohen të ndikojnë tek dëshmitarët apo të shantazhojnë pasi e rëndojnë vetëm dhe personat të tjerë", deklaron Mehmeti.
"S’ka diskutim se Thaçi do të dënohet për rastin në fjalë, gjykata ka fakte të mjaftueshme që nuk mund të hedhen poshtë nga askush", përfundon për "Bota sot" analisti politik, Faton Mehmeti.