Shteti mik si Amerika, aleati kryesor që ndihmoi në krijimin e Kosovës, mbetet thelbësor në rrugëtimin e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit.
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën "Bota Sot," theksoi rëndësinë e mesazhit të ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier për institucionet e Kosovës.
Ambasadori Hovenier ka bërë thirrje për një qasje serioze dhe të koordinuar nga liderët e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, duke vënë theksin në arritjen e një marrëveshjeje të ndërsjellë gjatë vitit 2024.
Diplomati amerikan deklaroi se ky proces normalizimi duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, një hap kyç për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Tërnava vlerësoi se një marrëveshje e tillë jo vetëm që do të përmirësonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu do të hapte rrugë për investime të mëdha ndërkombëtare dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.
“Rinia e Kosovës pritet të përballet me një perspektivë të ndritur, duke i dhënë shpresë edhe të rinjve që janë larguar nga vendi për t'u kthyer në atdheun e tyre”. tha ai.
Mesazhi i ambasadorit Hovenier përbën një udhërrëfyes të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, duke e orientuar atë drejt stabilitetit ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar.