Një nga ngjarjet më të përfolura dhe të rëndësishme kohët e fundit, ishte sulmi terrorist në Zubin Potok, ku ndodhi një shpërthim i fuqishëm dhe u dëmtua kanali i “Ibër-Lepencit”.
Ky u cilësua edhe sulm terroist, ku më pas policia e Kosovës zhvilloi aksione të ndryshme në këtë pjesë të vendit, me që rast edhe sekuestroi armatim e pajisje të ndryshme.
Në lidhje me këto zhvillime dhe situatën aktuale në komunën e Zubin Potokut, foli për gazetën "Bota sot", kryetari aktual i kësaj komune, Izmir Zeqiri.
Së pari, ai tha se kontrollet e policisë janë të mirëseardhura, pasi me konfiskimet e fundit po dëshmohet se ka ende “mbeturina” të grupeve terroriste.
“Kontrollet kanë qenë edhe janë më se të nevojshme, për shkak se këto komunat e veriut kaherë kanë qenë një hapësirë e veprimeve të grupeve kriminale dhe terroriste. Natyrisht se këto faktet po na tregojnë se ka mbeturina të grupeve terroriste dhe duke e pasur parasysh sulmin e fundit që ka qenë shumë i rrezikshëm, këso sulmi nuk ka pasur as gjatë luftës. Pasi që kjo goditje në kanalin Ibër Lepenc kishte me pasë pasoja për shumë komuna në qendër të Republikës së Kosovës, rrjedhimisht edhe pasojat do të ishin në mungesën e ujit, por edhe të rrymës”.
Sa i përket sulmit terrorist në Ibër-Lepenc tha se ishte shumë i rrezikshëm, për këtë edhe nevoja për kontroll është shtuar, pasi ka grupacione të mbështetura nga shërbimet sekrete serbe.
Ndër të tjera, shtoi se duhet të jemi krenar me Policinë e Kosovës dhe punënë e tyre.
“Ky ka qenë sulm shumë i rrezikshëm dhe kur i kemi këto fakte, natyrisht se ka nevojë për kontroll se këto grupacionet natyrisht janë të lidhurat, po edhe të mbështetura nga shërbimet sekrete të Republikës së Serbisë dhe është e nevojshme të bëhen kontrolle dhe të vazhdohet me me to. Kujtojmë se, ky terren nuk ka qenë i kontrolluar si duhet me dekada dhe ka mundësi të fshehjes së armatimeve dhe grupimeve.
Kontrollet janë më se të nevojshme dhe natyrisht të krenohemi me Policinë e Kosovës, me aftësitë e tyre fizike dhe natyrisht profesionale. Kështu që duhet të vazhdohet me këto gjëra, sepse po shihen shenjat se këtu ka elemente akoma të grupeve terroriste”, përfundoi Izmir Zeqiri për “Bota sot”.