Bashkimit Evropian përsëri po i bëhet thirrje të përshpejtojë procesin e integrimit të Kosovës në Union.
Madje, gjatë vizitës së Presidentes Vjosë Osmani në Bruksel, ku ka marrë pjesë në takimin me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian me rastin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ajo ka thënë se duhet të respektohet meritokracia që të ecët përpara me hapa konkret për Kosovën drejt integrimit në BE si dhe të mos ketë anshmëri në procesin e dialogut ku sipas saj BE-ja më shumë ka ledhatuar Serbinë.
“Nëse jam e sinqert, jam e zhgënjyer me trajtimin që Kosovës po i bëhet nga disa shtete anëtare të BE-së. Nëse pyetem pse, atëherë qartë arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë ende në fuqi e siç kemi parë në konkluzat e Këshillit, nuk do të hiqen as në dhjetor. Janë të padrejta e joeuropiane. S’ka asgjë europiane e nuk ka asgjë të bazuar në vlerë. Të ndëshkohen njerëzit edhe në projekte si uji i pijshëm…”, ka thënë Presidentja Osmani.
Kosova aktualisht është në fazën e përgatitjes së zgjedhje të reja parlamentare që pritet të mbahen brenda 7 javësh.
Duke qenë se politika në Kosovë është fokusuar në fushatën zgjedhore, në përmbylljen e këtij viti kalendarik dhe qeveritar, e vështirë të trajtoj ҫështjet madhore si anëtarësimi i Kosovës në BE.
Majkovci: Në kohë zgjedhjesh, zgjidhja e çështjeve madhore si anëtarësimi në NATO, BE, dhe njohjet ndërkombëtare përbën një sfidë për Kosovën
Politologu dhe njohësi i ҫështjeve politike, Fahredin Majkovci, thekson se angazhimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, dhe veçanërisht në BE dhe NATO, është një domosdoshmëri e kohës për të siguruar stabilitet, zhvillim dhe integrim të plotë ndërkombëtar.
“Për të përshpejtuar këtë proces, një strategji e veçantë për të punuar me shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës është thelbësore. Institucionet e Kosovës duhet të shtojnë prezencën e tyre në organizatat rajonale dhe globale për të forcuar profilin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar lidhje të reja diplomatike. Një qasje e koordinuar, e qëndrueshme dhe e bazuar në dialog të hapur me shtetet skeptike, si dhe një angazhim i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, janë çelësi për të përparuar drejt integrimit në BE dhe NATO. Kjo është një detyrë strategjike që kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve të saj global”, vlerëson ai.
Majkovci thotë se, anëtarësimi i Kosovës në NATO është një prioritet strategjik për disa arsye thelbësore që lidhen me sigurinë, stabilitetin, dhe integrimin ndërkombëtar të vendit.
“Është i rëndësishëm jo vetëm për të garantuar sigurinë kombëtare, por edhe për të forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar, për të siguruar stabilitetin rajonal dhe për të kontribuar në sigurinë globale. NATO për Kosovën është një hap vendimtar drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme, më të sigurt dhe më të zhvilluar”, thotë ai.
Sipas politilogut Majkovci, kërkesa për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është rezultat i disa faktorëve strategjikë, politikë dhe ekonomikë. Në këtë kontekst, përshpejtimi i procesit të integrimit të Kosovës është i domosdoshëm për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme, të zhvilluar dhe të integruar për vendin dhe qytetarët e saj.
“Megjithatë, ky proces kërkon përpjekje të vazhdueshme nga institucionet e Kosovës dhe mbështetje të fuqishme nga partnerët ndërkombëtarë. Në kohë zgjedhjesh, zgjidhja e çështjeve madhore si anëtarësimi në NATO, BE, dhe njohjet ndërkombëtare përbën një sfidë për Kosovën. Megjithatë, kjo nuk e bën të pamundur progresin, por kërkon përqendrim dhe koordinim të mirëfilltë nga institucionet e vendit. Së këndejmi, Kosova është e aftë të vazhdojë adresimin e çështjeve madhore edhe gjatë periudhave zgjedhore, por kjo kërkon lidership të përgjegjshëm, koordinim politik dhe institucione që funksionojnë në mënyrë të pavarur nga dinamika e zgjedhjeve. Nëse sigurohet kjo qasje, proceset strategjike të anëtarësimit në NATO dhe BE nuk duhet të ndalen, por të përparojnë paralelisht me procesin zgjedhor”, vlerëson Majkovci për ‘Bota sot”.
Shkodra: A është e gatshme Kosova në këtë kohë zgjedhjesh ta zgjidh edhe këtë ҫështje?
Poashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe njohësja e politikës, Magbule Shkodra.
Ajo thotë se është e vetmja Kosova që ende nuk e ka statusin kandidat për në BE, dhe sa më parë që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe pjesë e BE-së në këtë mënyrë do të kishim një stabilitet të qëndrueshëm, zhvillim ekonomik, mbi të gjitha stabilitet, siguri në Kosovë dhe në rajon.
“Tani a është e gatshme Kosova në këtë kohë zgjedhjesh ta zgjidh edhe këtë ҫështje, unë mendoj se jo. Në konkluzionet që u bën nga ministrat e BE-së, sa i përket zgjerimit, është parë qartë se Kosovës i janë përsëritur detyrat kryesore që pritet që ajo të i realizoj, po kërkohet pra që në vazhdimësi që draft-statuti të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe të vazhdohet me themelimin e Asociacionit, në mënyrë që të vazhdohet me agjenden tjetër dhe të përfshihet edhe lëvizja dhe avancimi i Kosovës në drejtim të integrimit në BE”, vlerëson ajo.
Shkodra thotë po ashtu se, në këtë kohë zgjedhjesh nuk besoj se do të ketë lëvizje të tilla.
“Zgjedhjet përfundojnë më 9 shkurt dhe deri të bëhet themelimi i qeverisë së re, që shpresoj të jetë një koalicion i dy partive, sepse edhe për demokracinë është më mirë që të mos kemi koncentrim të pushtetit të vetëm një partie, e pas zgjedhjeve atëherë do të shohim se kush do të jetë në udhëheqje dhe ҫfarë prioritete do të kenë ata për Kosovën”, thotë Shkodra për ‘Bota sot’.