“Serbia e pa interesuar për…”/ Analistët flasin për deklaratën e Waitz – kanë këtë paralajmërim!

Politika

“Serbia e pa interesuar për…”/ Analistët flasin për deklaratën e Waitz – kanë këtë paralajmërim!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 dhjetor 2024 Në ora: 14:03
Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz.

Dialogu Kosovë-Serbi ka disa vite që po vazhdon, mirëpo pa një marrëveshje finale, që në theks ka njohjen reciproke.

Ndërkombëtarët janë ata të cilët përmes ndërmjetësuesve ka kohë që mundohen të bëjnë një zgjidhje, mirëpo qasja dhe jogatishmëria e Serbisë, po e pamundëson këtë gjë.

E për njohje të Kosovës nga ana e Serbisë që e njëjta të futet në BE e ka kërkuar edhe eurodeputeti austriak, Thomas Waitz.

Waitz, së fundi në një intervistë foli rreth takimeve që po zhvillohen në Bruksel dhe dialogut Kosovë-Serbi.

Waitz u shpreh se zgjatja e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, është diçka shqetësuese. Sipas tij palët duhet të arrijnë sa më parë një marrëveshje, ndërsa Serbia duhet patjetër ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.

“Sot e nesër do të shikojmë lider të rajonit që do zhvillojnë takime me liderët e BE-së dhe të Ballkanit. Kjo mund të jetë një mundësi për të caktuar bisedime të reja.

Megjithatë kjo është shumë e vështirë për momentin pasi për shkak të zhvillimeve të brendshme në Serbi, Vuçiç nuk është shumë i gatshëm për dialogun me Kosovën”,-tha ai.

Ndërsa shtoi se “Për Serbinë duhet të jetë e qartë që nuk mund të futet në BE, pa e njohur Kosovën”.

Duke u bazuar në këtë deklaratë a është koha kjo trysni të vazhdohet ndaj Serbisë?

Mehmeti: Serbia duhet të dënohet dhe të shtrëngohet nga presioni, në të kundërtën s’do të ketë marrëveshje

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti.

Ai thotë se deklarata e Waitz qëndron, por në praktikë janë gjërat ndryshe, kjo pasi Serbia është e painteresuar për arritjen e një marrëveshje me Kosovën.

“Në parim deklarata e z.Waitz qëndron, por në praktikë gjërat janë më ndryshe. Më vjen keq që eurodeputeti nuk përmendi faktin se është Serbia pala e pa interesuar për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi. Gjithashtu Serbia kreu dy sulme terroriste në Kosovë të cilat nuk u përmenden nga z.Waitz”, u shpreh ai.

Ndër tjera, analisti thekson që BE me lojalitetin dhe ledhatimet e saj ndaj Serbisë ka ndikuar që mos të ketë marrëveshje ndërsa Kosova në këtë drejtim nuk ka faj.

“Kështu që, është Serbia që duhet të dënohet dhe të shtrëngohet nga presioni në të kundërtën s’do të ketë marrëveshje. Gjithashtu, BE me lojalitetin dhe ledhatimet e saj ndaj Serbisë ka ndikuar që mos të ketë marrëveshje. Kosova s’ka asnjë faj në këtë drejtim, është Serbia që më ndikimin e Putinit spo e nënshkruan marrëveshjen përfundimtare”, foli Mehmeti për “Bota sot”

Duhanaj: Fatkeqësia e madhe filloj me trazirat e marsit të vitit 2004

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kosova është dëmtuar mjaftë shumë nga dialogu me Serbinë.

Image
Leon Duhanaj

“Kur flasim për çështjen e dialogut Kosovë - Serbi, nëse e analizojmë si proces, atëherë lirisht mund të themi që sa me shumë ka zgjatur dialogu, aq me shumë ka humbur Kosova. Për mendimin tim, fatkeqësia më e madhe është se për një pjesë të dështimeve në ketë proces jemi fajtor vetë ne shqiptarët”, potencoi ai.

Në fund, analisti përmend trazirat e marsit të vitit 2004 duke u shprehur që Serbia e ka shfrytëzuar këtë situatë.

“Fatkeqësia e madhe filloi me trazirat e marsit të vitit 2004, aty ku ne si komb dështuam ta ruajmë respektin të cilin tashmë e kishim fituat me mjete paqësore dhe me luftë.

Këtë situatë e shfrytëzoj Serbia për interesa të veta, e unë besoj se e gjitha, përfshi edhe trazirat kanë qenë projekt i Serbisë”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat