Lidhur me kontratën e nënshkruar nga Kosova me prodhuesin turk për themelimin e një fabrike të municioneve, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes të vendit, si dhe për avancimin e industrisë së mbrojtjes.
Sipas tij, kjo do të ndikojë në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Ku Kosova është një vend që vazhdon të jetë i angazhuar në procesin e forcimit të sigurisë kombëtare, si dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s. Krijimi i një fabrike për prodhimin e municioneve do të kontribuonte në forcimin e kapaciteteve të forcave të armatosura, si dhe në përmirësimin e aftësive për mbrojtje dhe ruajtje të sovranitetit të vendit”, shprehet Shala.
Ai thotë se më këtë hap, Kosova do ta fitojë pavarësinë dhe sigurinë për furnizimin me municion për ushtrinë e Kosovës.
“Pjesë e rëndësishme është që një prodhues i tillë i municioneve do të mundësonte furnizime të sigurt dhe të pavarura për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke eliminuar varësinë nga furnizuesit e huaj. Ky është një hap i rëndësishëm për të siguruar që vendi të ketë mundësinë për të përballuar sfidat e sigurisë brenda dhe jashtë kufijve të tij”, thekson Shala.
Më tej, sipas Shalës, themelimi i fabrikës së municioneve, do të ndikojë edhe në rritjen e industrisë dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
“Kjo do të ishte një mundësi për të rritur industrinë e mbrojtjes dhe për të krijuar vende të reja pune në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë prodhimin, inxhinierinë, logjistikën dhe mbështetje teknike”, thekson Shala.
Por sa e rëndësishme është themelimi i kësaj fabrike për Kosovën?
“Kosova ka qenë varur nga furnizues të huaj për municionet që përdor forca të sigurisë. Një hap i tillë do të mundësojë që të kemi municione në sasi dhe cilësi të duhur në çdo kohë, duke rritur kapacitetin për të reaguar në rast të krizave ose kërcënimeve. Nga ana tjetër, mbështetja e industrisë vendore do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës përkatëse”.
“Duke prodhuar municione sipas standardeve të NATO-s, Kosova do të sigurojë që forcat e saj të jenë në përputhje me kërkesat dhe praktikat më të mira të aleatëve ndërkombëtarë, duke rritur interoperabilitetin dhe mbështetje për forcimin e partneriteteve me shtetet anëtare të NATO-s”, shton eksperti Shala për “Bota sot”.
Më tej, Shala tregon edhe faktorët kryesor që duhet të merren parasysh për themelimin e kësaj fabrike.
“Vendndodhja e fabrikës do të jetë shumë e rëndësishme për operativitetin dhe sigurinë e saj. Fabrika duhet të jetë e vendosur në një zonë me infrastrukturë të zhvilluar, si për transportin e materialeve, ashtu edhe për shpërndarjen e prodhimeve. Po ashtu, një lidhje e mirë me rrjetet rrugore dhe hekurudhore do të ndihmonte në optimizimin e logjistikës”
“Fabrika duhet të jetë e vendosur në një zonë që siguron mbrojtje të lartë ndaj kërcënimeve të mundshme, duke u siguruar që të jetë sa më larg zonave të populluara dhe rajoneve ku mund të ketë rrezikshmëri nga aksidentet ose sulmet. Lokacionet afër resurseve natyrore, si dhe afër qendrave të trajnimit dhe mbështetjes për inxhinieri dhe teknologji, do të ishin më të përshtatshme për të mbështetur prodhimin e municioneve”, shpjegon Shala.
Shala thotë se fabrika e municioneve, do të ndikojë padyshim në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës.
“Si pjesë e forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes, ky projekt ka mundësinë të rrisë aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Ndikimi i tij do të ndihmojë në minimizimin e varësisë nga furnizuesit e huaj dhe do të sigurojë që vendi të jetë i përgatitur për t'u përballur me sfida të mundshme. Ky hap do të tregonte angazhimin serioz të Kosovës për të forcuar sektorin e sigurisë dhe për t'u përshtatur me kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe përfshirjes së Kosovës në organizata dhe inisiativa ndërkombëtare të sigurisë”, shprehet Shala.
“Kosova mund të shohë rritje të mundësive për partneritete të reja me shtetet e NATO-s dhe me kompani të tjera që operojnë në industrinë e mbrojtjes. Kjo mund të hapë mundësi për zhvillim të teknologjive të avancuara dhe për eksport të prodhimeve. Pra si përfundim, krijimi i një fabrike të municioneve në Kosovë është një hap shumë i rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ky projekt jo vetëm që do të kontribuonte në mbrojtjen e interesave kombëtare, por do të rrisë aftësinë e Kosovës për të qenë më e pavarur dhe më e përgatitur për sfida të mundshme të sigurisë”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.