“Mision vëzhgues zgjedhor i BE-së në Kosovë”, a po rrezikohen zgjedhjet e 9 shkurtit?

Politika

“Mision vëzhgues zgjedhor i BE-së në Kosovë”, a po rrezikohen zgjedhjet e 9 shkurtit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 dhjetor 2024 Në ora: 20:29
Ilustrim

Ka mbetur edhe pothuajse një muaj e gjysmë që nga zgjedhje e reja parlamentare në Kosovë, ndërsa përgatitjet tashmë janë duke u bërë.

Për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të planifikuara më 9 shkurt 2025, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas të dërgojë një Mision të BE-së.

Kërkesës së Osmanit i është përgjigjur pozitivisht Kallas, e cila ka emëruar Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, si kryevëzhguese.

“Misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë, me kërkesë të autoriteteve të saj, do të demonstrojnë mbështetjen e vendosur të BE-së për Kosovën në përpjekjet e saj për të forcuar më tej qeverisjen e saj demokratike. Prania e misionit në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke i lejuar votuesit kosovarë të shprehin qartë zgjedhjet e tyre”, thuhet në njoftimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së.

Kryevëzhduesja Loiseau tha: “Ndihem e nderuar që shërbej si Kryevëzhguesja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve 2025 në Kosovë. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të parat që do të zhvillohen sipas një ligji të ri zgjedhor, i cili ka marrë parasysh rekomandimet tona të mëparshme. Mezi pres të angazhohem me autoritetet, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore në Kosovë”.

Njohësit e çështjeve politike në vend kanë folur për “Bota sot” rreth këtij vendim që zgjedhjet të vëzhgohen nga BE, duke e konsideruar vendim të mirë për zgjedhjet demokratike

Burjani: Është e natyrshme që të ftohen organizata të ndryshme vëzhguese

Image
Blerim Burjani

Analisti Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se vëzhgimi i zgjedhjeve nga një mision i BE-së nuk do të thotë se zgjedhjet rrezikohen, apo mund të ketë keqpërdorimi.

Sipas tij, kështu ka ndodhur edhe në zgjedhjet e më hershme.

“Vëzhgimi i zgjedhjeve nga një mision i BE-së në Kosovë nuk do të thotë se këto zgjedhje janë apriori, apo mund të jenë të rrezikshme dhe mund të ketë keqpërdorime. Është e natyrshme që të ftohen organizata të ndryshme vëzhguese, kështu ka ndodhur edhe më herët janë ftuar OSBE/ ODIR, Këshilli i Evropës dhe shumë organizata që janë akredituar për shfaqje të interesimit të tyre për të marrë pjesë në cilësinë vëzhguese, përveç shumë organizatave vendore që janë akredituar për vëzhgim.”, shprehet Burjani.

Sipas tij, mund të ketë tentativa për keqpërdorime, por nuk është mirë të paragjykohet në mënyrë që mos të ketë nxitje dhe tensione tjera shtesë

Ai shton se zgjedhjet duhet të jenë të qeta, pa probleme, me organizim teknik profesional dhe me vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar

“Tentativë mund të ketë, por nuk është mirë të paragjykohet asgjë në mënyrë që të mos ketë nxitje dhe tensione tjera shtesë. Pra, gjendja mund të mos jetë shumë e favorshme për shkak të rrethanave që janë prezentë, por ka shumë njerëz që po nxisin gjendje të pa qenë, tensione politike që nuk përkojnë me interesin e Kosovës për zgjedhje korrekte, të përgjegjshme dhe transparente. Pra, zgjedhjet duhet të jenë të qeta, pa probleme, me organizim teknik profesional dhe me vëzhgues vendor dhe ndërkombëtarë. Duhet të kontribojnë të gjithë për zgjedhje ferë dhe me validet të lartë demokratik”, shton Burjani.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Është normale kërkesa e presidentes Osmani bërë përfaqësueses së lartë të BE-së Kaja

Edhe analisti politik Nexhat Haziri e konsideron normale kërkesën e presidentes Osmani, por sipas tij ka tendenca të ndërhyrjeve në proces zgjedhor.

“Është normale kërkesa e presidentes Osmani bërë përfaqësueses së lartë të BE-së Kaja Kallasit që të ketë një komision vëzhgues nga BE-ja për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe emërimi i znj. Nathalie Loiseau si krye e këtij komisioni vëzhgues nga BE. Është një lajm i mire pasi ky është edhe një certifikim apo legjitimitet ndërkombëtar i këtij procesi zgjedhor në aspektin përmbushjes së standarteve demokratike të zgjedhjeve të drejta dhe të lira. Se a ka tendenca të ndërhyrjeve në këtë proces zgjedhor, e që do të mund ta lëndonte procesin, unë them po, siç ishte rasti me kërkesën e MPJD-së që kërkonte nga KQZ-ja që të bëhej palë në organizimin e zgjedhjeve në mërgatën shqiptare ku shtetasit e Kosovës do të mund të votojnë në shtetet ku ata jetojnë dhe veprojnë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, dhe u bë mirë që kjo kërkesë u refuzua nga KQZ-ja pasi shihej si tentim i partisë në pushtet që përmes mekanizmave shtetëror t'i manipulonte votimet në favorin e saj”, deklaron Haziri.

Sipas tij, nuk mund të thuhet se do të ketë tentativë për manipulim apo vjedhje të votave, por monitorimi i zgjedhjeve parlamentare nga vëzhgues ndërkombëtar është i një rëndësie të veçantë.

“Pra nuk mund të themi se nuk do të ketë tentativë për manipulim dhe vjedhje të votave, edhe pse ne kemi pasur një periudhë të mirë të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, madje më të mirat në rajon, me përjashtim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2010, ku në atë kohë PDK- ja vodhi votat që nga organizmat ndërkombëtar që vëzhgonin procesin e votimit, u quajt vjedhje industriale. Dhe për të mos na u përsëritur procesi zgjedhor i 2010 edhe tani kur jemi dëshmitar të një polarizimi të skajshëm të skenës politike, monitorimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, sidomos nga vëzhgues ndërkombëtar është i një rëndësie të veçantë për të pasur një proces fer dhe demokratik që po ashtu të prodhojë një rezultat mbi bazën e vullnetit të lirë qytetar e që mos të kontestohet nga askush”, përfundon Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat