Më 20 dhjetor, u mbajt Kuvendi i përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë.
E pikërisht në këtë mbledhje, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjeti rastin të kritikojë qeverisjen e Albin Kurtit dhe ta bëjë përgjegjës atë për situatën në të cilën gjendet Kosova.
Në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët, Haradinaj ‘shpërtheu’ me akuza të rënda ndaj Kurtit, duke thënë se ai është në shërbim të Serbisë e Rusisë.
“Hapat e pakoordinuar të Qeverisë bënë që Serbia të shihet si viktimë. Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Kryeministri ynë ka shkuar deri aty sa Blinkenin e ka quajtur naiv.
Në vendin tonë tenderët njëburimorë janë kthyer në gjakderdhje financiare, në vendin tonë është vjedhur mielli e vaji, pasuli është shpallur sekret shtetëror. Kryeministri sapo mashtroi më herët për investime në mbrojtje. Çdo veprim i Kurtit është në agjendë të Serbisë e Rusisë, bëri përpjekje në Shqipëri, por ju nuk e lejuat”, tha Haradinaj.
Ky fjalim i kreut të AAK-së u kritikua ashpër, madje në për këtë ccështje folën deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Abrashi: Deklarata e Haradinaj janë irracionale
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, (LVV) Artan Abrashi, i shkurt në përgjigjen e tij, thotë se për “Bota sot” se ai edhe dje në kuvend e dëshmoi se është irracional.
“Ka kohë që nuk i komentoj deklaratat dhe të bëmat e Haradinajt. Sepse është tërësisht irracional. Siç e dëshmoi edhe dje”, deklaron ai.
Batusha: Opozita po baltosë qeverinë dhe imazhin e Kosovës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se opozita po përdor të gjitha mjetet për të baltosur qeverinë dhe imazhin e Kosovës.
“Opozita nuk lë mjet pa përdorur për të baltosur qeverinë dhe imazhin e Kosovës, vetëm e vetëm që të heqin ndonjë përqindje Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Si burrë nga Dukagjini, Haradinaj e di mirë që kur ke mikun dhe vëllain në konak duhet të kursehesh nga situatat ditore. Por, siç duket edhe traditën edhe protokollin shtetëror e hedhin poshtë për interesa të vogla e ditore politike”, potencon ai.
Avdyli: Me këtë fjalim ky vetëm sa e vërtetoj që nuk ka lidhje as me politikë as me patriotizëm
Edhe deputeti nga lista “Guxo”, Haxhi Avdyli, thotë se Haradinaj i bëri ato deklarata sepse kishte siklet nga pragu zgjedhor.
“Në ditën e mbajtjes së Kuvendit gjithëkombëtar të dy shteteve, po pisket sikleti i Ramushit për pragun zgjedhor.
Me këtë fjalim ky vetëm sa e vërtetoj që nuk ka lidhje as me politikë as me patriotizëm.
Edhe pse u kap me Nismën, për të shpëtuar nga fundosja nën prag, ai bashkë me Partiçkën e tij familjare iku thellë nën prag, edhe me këtë në harresë. Adios AAK”, përfundoi ai për “Bota sot”.