Pse u arratis Artan Grubi? Flasin njohësit nga RMV: Po vërtetohet se ai ka qenë koka...!

Politika

Pse u arratis Artan Grubi? Flasin njohësit nga RMV: Po vërtetohet se ai ka qenë koka...!

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 22 dhjetor 2024 Në ora: 07:59
Artan Grubi

Kryeministri i RMV-së, ka thënë se sipas informacioneve që posedon, ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, bashkë me një biznesmen, me veturë me targa diplomatike, kanë dalë nga Maqedonia e Veriut, në drejtim të Kosovës.

“...por që ish-zv/kryeministri, bashkë me një person tjetër biznesmen, me veturë me targa diplomatike, e ka lëshuar Maqedoninë dhe për herë të fundit është drejtuar në drejtim të fqinjit verior, Kosovës. Ky është informacioni i fundit të cilin e kam në dispozicion”, theksoi Mickoski.

Është bërë e ditur se edhe Policia e Kosovës ka pranuar fletarrestin nga ana e Maqedonisë së Veriut ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi.

Policia maqedonase ende nuk ka detaje se ku ndodhet ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Por, së fundi zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti ka folur në një emision në Shqipëri për shpalljen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit i ish-zv.kryeministrit të mëparshëm shqiptar Artan Grubi.

Ai ka thënë se sipas informacioneve Grubi është në Shqipëri.

“Mendoj se është detyrë e organeve të rendit, ata do të bëjnë dhe padi ndërkombëtare përmes INTERPOLIT. Sipas informatave, nuk është në Kosovë, por është tek ju në Shqipëri. Por s’është kjo e rëndësishme, por me arratisjen e tij ka dëshmuar fajësinë e tij dhe ndaj ai ka ikur nga vendi”, tha Mexhiti.

Shabani: Grubi ka ndërhyrë për ta lehtësuar gjykimin e njërit ndër kriminelët më të mëdhenj në vend

Image
Amir Shabani

Njohësi i politikës, Amir Shabani në një përgjigje për “Bota sot”, deklaron se arratisja e tij nga Maqedonia e përforcon tezën se ai ka qenë i njollosur me verpra jashtëligjore.

“Fakti se Artan Grubi po ik përballjes më drejtësinë vetëm se e përforcon tezën se ka qenë i njollosur me vepra jashtëligjore për të cilat akuzohet, ndër to ishte ndërhyrja në gjyqësor dhe biznesi me kazinot, si dhe lotaria e Maqedonisë së Veriut. Autoritetet thonë se ai do kthehet dhe do përballet me gjyqësinë, pasi që i është shpallur fletarrest ndërkombëtar, gjë që e turpëron akoma më shumë atë.

Futja në listën e zezë të DASH-it jep pasoja të radhës ku do të përndjeket nga drejtësia dhe t'i shqyrtohen të gjitha rastet, pasi ka ndërhyrë për ta lehtësuar gjykimin e njërit ndër kriminelët më të mëdhenj në vend”, thekson ai.

Mehazi: Largimi tinëzar i ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjige për “Bota sot”, thotë se ikja e Grubit, kjo tregon se ai paska qenë koka korruptive e ish-qeverisjes LSDM-BDI, duke shtuar se ikja e tij po krahasohet me ikjen e ish-kryeministrit të RMV-s, Nikolla Gruevskit.

“Largimi tinëzar i ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubit, nga urdhëresa e prokurorisë së RMV-s për të paraburgosur tregon se Grubi s'është "i pastër si loti", por doli gënjeshtar, pra ikja tregon se Grubi paska qenë koka korruptive e ish-qeverisjes LSDM-BDI. Ikja spektakolare e Grubit nga RMV-ja krahasohet me ikjen e ish-kryeministrit të RMV-s, Nikolla Gruevskit, dallimi është se Grubi me makinë zyrtare iku në Kosovë, kurse Gruevski me makinë zyrtare iku në Shqipëri nga Shqipëria në Hungari. Këto ikje të funksionarëve të lartë të shtetit na detyrojnë të mendojmë se RMV është rruga më e sigurtë për t'u pasuruar e për të ikur nga prokurorët dhe gjykatësit e brishtë të këtij shteti.

Se klanet e rrezikshëm korruptive qeverisëse BDI-LSDM në RMV paskan qenë të dyfishta, klani i parë  për të zhvatur sa më shumë shtetin, klani i dytë qeverisës paskësha qenë që ish-funksionarëve të korruptuar ju sigurohen makina diplomatike për të ikur nga ndjekja e prokurorëve dhe gjykatësve të RMV-s. Kështu deklaroi dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski, që tha se: "ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, bashkë me një biznesmen, me veturë me targa diplomatike, kanë dalë nga Maqedonia e Veriut, në drejtim të Kosovës.", dekalron ai.

Tutje, Mehazi shprehet se për fat të keq, baza e ikjes së politikanëve të korruptuar të RMV-s është Shqipëria dhe Kosova.

Ai shton se, “Vënia e amerikanëve në Listën e Zezë të tre funksionarëve të lartë të BDI-së: Xhevat Ademin, Ramiz Mekon dhe Artan Grubin janë paralajmërime ogure kriminale për BDI-n në krye me Ali Ahmetin”.

“Rrjedha e ikjes së Artan Grubit dhe Përparim Bajramit në Kosovë del nga klanistët e njëjtë korruptive të ish-kryministrit të RMV-së, Nikolla Gruevskit, lidhja kriminale zinxhirore e ikjeve të Gruevskit, Grubit dhe Bajramit është e të njëjtës vijë kriminale: Gruevski - Mihallkov - Grubi, Bajrami e BDI.

Për fat të keq, baza e ikjes së politikanëve të korruptuar të RMV-s është Shqipëria dhe Kosova, Gruevski iku me targa diplomatike në Shqipëri, gjersa Grubi iku në Kosovë, mjerisht Shqipëria dhe Kosova duarhapur e me kënaqësi i pranojnë politikanët me përmasa të mëdha korruptive të RMV-së.

Hapur vërehet se çerdhet transite të ikjes së poltikanëve të korruptuar të RMV-s janë Shqipëria dhe Kosova.

Mos ndoshta baza kriminale e ikjes së Gruevski dhe Grubit rrjedh nga klani i rrezikshëm shqiptare-maqedonase: Edi Rama- Pronto - Ali Ahmeti - Mihallkovi - Gruevski. Nëse Grubi merr azil politik në Hungari atëherë ky konstatim do del i saktë, nëse merr azil poltik në Serbi apo Rusi atëherë ky klan korruptiv i ikjes së Grubit mund të jetë serbe-ruse.

Vënia e amerikanëve në Listën e Zezë të tre funksionarëve të lartë të BDI-së: Xhevat Ademin, Ramiz Mekon dhe Artan Grubin janë paralajmërime ogure kriminale për BDI-n në krye me Ali Ahmetin”, përfundon Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat