Profesori Maxharraj kritikon ashpër Haradinajn për akuzat ndaj Kurtit – Përmend edhe Radoiçiqin

Politika

Profesori Maxharraj kritikon ashpër Haradinajn për akuzat ndaj Kurtit – Përmend edhe Radoiçiqin

Nga: A.SH Më: 22 dhjetor 2024 Në ora: 13:46
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Profesori Binak Maxharraj ka folur mbi deklaratat e Ramush Haradinajt kundër kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, gjatë mbledhjes së përbashkët të parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë.

Ai thekson se me qëndrimet e tij, Haradinaj po ndihmon në rritjen e mbështetjes për Kurtin.

“Edhe në mbledhjen e përbashkët të dy parlamenteve, Haradinaj nuk kurseu sharjet ndaj kryeministrit Kurti. Nuk e kuptoj këtë mllef, këtë urrejtje patologjike të z. Ramush Haradinajt ndaj kryeministrit të vendit. Gati çdo muaj, Ramushi sulmon Kurtin. Me këto sharje, ai shpesh ia kalon edhe retorikës së çetnikut të Serbisë, presidentit Vuçiq. Pse po ndodh kjo?! Duhesh të jesh shumë i zemëruar, të kesh urrejtje apo smirë për të arritur këtë nivel.

Por kjo nuk vjen nga ndonjë qëndrim personal i Kurtit ndaj Haradinajt, por nga dinamika politike që rrjedh nga vota e popullit. Populli e di se kush janë z. Haradinaj dhe z. Kurti.

Me këto sharje dhe sulme, Haradinaj po i falë ditë për ditë vota Kurtit. Këtë e tregojnë edhe zgjedhjet e fundit të vitit 2021, kur LVV mori mbi 50% të votave, ndërsa AAK e Haradinajt pësoi rënie të theksuar. Votat nuk mblidhen me sharje dhe denigrime, por me program dhe vizion për qytetarët,” thotë Maxharraj.

Profesori shton se sulmet e Haradinajt ndaj Kurtit do të vlerësohen nga populli në zgjedhjet parlamentare të 6 shkurtit.

“Z. Haradinaj nuk po e kupton se sa më shumë që e sulmon Kurtin duke e quajtur spiun apo vegël të Serbisë, aq më shumë i forcon pozitën Kurtit. Haradinaj, për ironi, e kritikon më shumë Kurtin sesa Vuçiqin dhe nuk përmend fare Radoiçiqin, me të cilin dikur kishte një farë bashkëpunimi, deri në nivel të pranimit të tij në zyrën e tij sa ishte kryeministër. E

dhe në mbledhjen e dy parlamenteve, Haradinaj, në vend që të mbante një fjalim konstruktiv, e sulmoi Kurtin me sharje dhe denigrime që nuk i kanë hije një komandanti të UÇK-së. Me këto qëndrime, ai rrezikon të humbasë shkëlqimin e tij si një lider i luftës.”

Profesori e përmbyll duke thënë se zgjedhjet e ardhshme mund të jenë momenti kur Haradinaj do të përballet me dënimin e elektoratit.

“Atë ditë, Haradinaj mund të pësojë rënie të mëtejshme, deri në rrezikun e daljes nga skena kryesore politike. Populli nuk jep vota atyre që shajnë dhe denigrojnë të tjerët, por atyre që ofrojnë programe dhe zgjidhje për mirëqenien e qytetarëve.

Në vend që të humbasë energjinë duke sulmuar Kurtin, Haradinaj duhet të përqendrohet në organizimin dhe fuqizimin e partisë së tij, që aktualisht përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të elektoratit. Por ky është stili i Haradinajt – sharje dhe piskama. Zoti e ndihmoftë në zgjedhjet e shkurtit 2025,” përfundon Maxharraj për “Bota Sot.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat